Bora Hysi: Pekini zë një vend të veçantë në zemrën time
2023-07-24 11:48:50


Bora Hysi ne Pekin gjate diplomimit 

Bora Hysi prej vitesh jeton në Santiago të Kilit bashkë me familjen e saj. Ajo ka përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer studimet master për marrëdhënie ndërkombëtare në një nga universitetet e Pekinit. Gjatë kohës së studimeve në Kinë ajo u njoh me bashkëshortin e saj me origjinë nga Kili, i cili ishte student në të njëjtin universitet me Borën në Pekin. Ata e ndërtuan jetën në Kili ku kanë dhe një vajzë tre vjeçare. Në një intervistë për Radio Ejani Bora tregon për eksperiencën e saj në Kinë, njohjen me bashkëshortin dhe zhvendosjen në Kili, si dhe mallin që ka për Shqipërinë.

CMG: Për çfarë keni studiuar në Shqipëri dhe si erdhi mundësia për studimet master në Kinë?

Bora Hysi: Unë në Shqipëri përfundova studimet e larta në Universitetin e Tiranës për drejtësi dhe në vitin 2010 aplikova për një bursë studimi për master në Kinë. Ndryshe nga shumica e shoqërisë time, që pjesa më e madhe synonin Europën, unë dëshiroja Azinë. Në kohën kur kërkova për bursa studimi në Azi isha ndërmjet Japonisë dhe Kinës, por në përgjithësi Japonia ka bursa studimi më tepër për shkenca ekzakte dhe Kina ka bursa studimi për çfarëdolloj dege që ti dëshiron. Për fat të mirë kjo bursë studimi mu dha direkt nga ambasada e Kinës në Shqipëri, ku në atë kohë jepej vetëm një bursë për një student në vit dhe unë mund të zgjidhja çfarëdolloj burse që dëshiroja, pra mund të bëja gjuhën kineze më parë dhe më pas masterin. Unë preferova të bëj një master në gjuhën angleze, por për marrëdhënie ndërkombëtare. Kështu që në shtator të vitit 2010 u gjenda në Pekin.

CMG: Cilat ishin përshtypjet tuaja të para kur arritët në Pekin dhe si ishte integrimi në Kinë?

Bora Hysi: Pekini ishte një kryeqytet i jashtëzakonshëm dhe gjigant, me miliona banorë. Kampusi i universitetit gjendej shumë pranë, sepse Pekini përbëhet nga unaza dhe deri në kohën që isha unë Pekini përbëhej nga rreth shtatë unaza. Unë isha brenda unazës së dytë në universitetin ku studioja, China Foreign Afairs University dhe ishte shumë pranë qendrës. Unë u mrekullova nga gjithçka, jo vetëm në Pekin, por në të gjithë Kinën.

Bora me bashkeshortin ne  Puesto Varas 

CMG: Si ka qenë si eksperiencë jetësore por dhe studimore qëndrimi juaj në Pekin?

Bora Hysi: Ka qenë eksperiencë shumë e bukur dhe e jashtëzakonshme. Programi i masterit tim ishte vetëm për dy vjet, por më pëlqeu aq shumë saqë vendosa të qëndroj një vit të tretë, kësaj radhe pa burse, por doja mos të ikja nga Kina pa patur edhe gjuhën sepse programi i universitetit ishte gjithçka në anglisht, por që të gjithë profesorët ishin kinezë dhe kishim vetëm një kurs shumë bazik në kinezisht. Kisha dëshirën për të qëndruar dhe të mësoja gjuhën dhe e bëra. Kam qenë vërtetë shumë e mrekulluar nga Kina ku kam kaluar shumë bukur dhe kam udhëtuar nëpër Kinë, por Pekini natyrisht ka një vend shumë të veçantë në zemrën time.

CMG: Në Pekin gjatë studimeve ju gjetët dhe dashurinë e jetës, bashkëshortin tuaj me origjinë nga Kili. Si erdhi njohja me bashkëshortin tuaj?

Bora Hysi: Bashkëshorti im në vitin 2010 ishte shok klase me mua, pak a shumë e njëjta histori sepse kishte aplikuar për të njëjtin program, dhe me kalimin e kohës gjatë universitetit në Kinë krijuam lidhje. Më pas kur erdhi momenti për të marrë një vendim se ku do ta çonim fizikisht këtë lidhje, në çfarë pjese të botës, thamë në Kili. Bashkëshorti im është nga Kili, ai quhet Antonio dhe për mua ishte një vendim relativisht i natyrshëm. Faktor kryesor se pse e morëm këtë vendim ishte dhe gjuha. Dëshironim shumë që ta nisnim në Shqipëri ose në Kili, por duke krahasuar se ku do të ishte më mirë për të dy vendosëm Kilin. E dimë që gjuha shqipe është shumë e vështirë për të huajt, ndërsa unë e kisha më të thjeshtë spanjishten sepse kjo është gjuha ime e gjashtë. Kështu që ishte vërtetë vendim jo kompleks për t’u marrë, dhe vazhdojmë të jemi shumë të kënaqur me vendimin që kemi marrë. Kam përshtypjen që nuk jemi të mbyllur në sensin se do të jetojmë vetëm në Kili për gjithë jetën. Për momentin jetojmë në Kili dhe jemi shumë të kënaqur me këtë zgjedhje.

Bora me bashkeshortin ne shkretetiren e Atacames

CMG: Si e priti familja juaj në Shqipëri vendimin për t’u zhvendosur në Kili?

Bora Hysi: Unë kam përshtypjen se nëse do shkoja nga Shqipëria në Kili, natyrisht do të ishte pak e vështirë për ta, sepse unë jam vajzë e vetme. Mendoj se kjo erdhi shumë natyrshëm sepse unë u largova nga Shqipëria për studime, kur punoja në një studio ligjore dhe  kisha propozime për disa oferta pune për t’u rikthyer në Shqipëri në atë kohë dhe ky ishte plani im. Megjithatë kur kisha këtë mundësi për t’u zhvendosur në Kili, natyrisht e bisedova dhe me prindërit dhe ata më shtynë për ta ndjekur në këtë rast dashurinë. Ishte vendim jo i vështirë për t’u marrë dhe erdhi shumë natyrshëm.

CMG: Keni disa vite që jetoni në Kili  dhe keni udhëtuar në disa vende. Cilat janë përshtypjet tuaja për Kilin?

Bora Hysi: Kili është një ndër vendet më të bukura që unë kam parë ndonjëherë. Imagjino një vend ku bashkohen akullnajat me shkretëtirën dhe vargmalet me detin. Kili është vend shumë i bukur, ku në jug të tij është zonë me shumë liqene, me shumë vullkane, ende më në jug me akullnaja, ndërkohë që në veri kemi shkretëtirën që është një mrekulli më vete. Kilianët janë shumë simpatikë, nuk janë latinët tipikë sepse në përgjithësi prejardhja e shumicës së kilianëve është nga Europa. Familja e bashkëshortit tim ka prejardhje italiane dhe janë më të ftohtë se latinët në përgjithësi, por në të njëjtën kohë janë shumë të dashur si dhe shumë të gjendshëm.

Bora Hysi ne Bangko

CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e bashkëshortit tuaj për Shqipërinë?

Bora Hysi: Hera e parë e Antonios në Shqipëri ka qenë në vitin 2013. Unë i kisha folur gjithmonë, por dhe ai dinte për Shqipërinë por ishte tjetër impakt kur erdhi dhe shikonte që gjithandej kishte kështjella, kala apo fortesa. I pëlqeu shumë fakti që Shqipëria ka një histori shumë të hershme, dhe duhet të kemi parasysh se vendet në Amerikën e Jugut kanë histori 100-200 vjeçare. Ndërkohë që në Shqipëri ne kemi një histori mijëvjeçare. Gjithashtu i pëlqyen plazhet tona sepse kemi udhëtuar shumë nga veriu në jug dhe atij i pëlqen gjithçka nga Shqipëria.

CMG: Bora, ju në një moshë të vogël keni patur pasion radion, ku keni punuar në Shqipëri dhe në Kinë. Flasim për pasionin dhe eksperiencën tuaj në radio?

Bora Hysi: Në Shqipëri qëkur kam qenë rreth nëntë vjeç fillova punë me një emision fëmijësh në atë kohë në radio Intervista. Unë gjithmonë e ndiqja programin e fëmijëve në këtë radio dhe fillova të telefonoj herë pas here apo kur organizonin lojëra. Në një moment drejtuesja e emisionit më fton në studio disa herë derisa u bëra e përhershme dhe u bënë disa vite për mua tek ajo radio. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur dhe më shtyu që mos të isha kurrë pa punë edhe pse isha në shkollë. Gjithashtu mbaj mend që kam marrë pjesë në shumë panaire librash. Ndërsa kur isha në gjimnaz mora vendimin që të punoja, ku punova disa vjet në një multimedia në Shqipëri dhe kur isha në universitet vitin e fundit e mbylla duke punuar në një studio ligjore. Gjithashtu në Kinë më kontaktuan nga Radio e Jashtme e Kinës, që t’i ndihmoja me përkthimet e lajmeve të përditëshme dhe ishte eksperiencë shumë e bukur që e kujtoj me shumë pozitivitet.

CMG: Cili është pozicioni juaj i punës në Kili?

Bora Hysi: Unë punoj si konsultore për zhvillim biznesi. Shtresa e Kilit apo baza e Kilit janë mineralet natyrale dhe në veçanti bakri, ku Kili është një ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë. Kompania ku unë punoj i dedikohet robotikës dhe automotizimit të proçeseve në miniera. Këto makineritë si gjigande që mund të kemi parë në botën e minierave, ne nxjerrim operatorin nga kabina dhe e vendosim në një sallë kontrolli që mund të jetë Santiago apo edhe në veri të Kilit, ose në një minierë kudo që është, dhe nëpërmjet kontrolleve që mund të kete dhe ekrane shumë të mëdha mund të punojnë nga distanca. Ky që përmenda është një rast konkret, por në përgjithësi është robotika sepse kemi dhe shumë robotë interesantë. Më pëlqen jashtë mase puna që bëj. Natyrisht mua më ka rastisur të udhëtoj shumë nëpër minierat e Kilit, ku kam njohur disa jo vetëm në Kili, por edhe në Peru. Kjo është një punë shumë e bukur.

Unë për fat të keq në Kili nuk mund të punoja si avokate sepse jo vetëm është një provim që duhet të kaloj, por praktikisht mua nuk më konsiderohej asgjë edhe pse kam bërë disa lëndë si sociologjia dhe makro-ekonomia që nuk kanë lidhje me profesionin tim. Praktikisht duhet të studioja nga e para, ku studimet e larta për drejtësi në Kili janë pesë vjet. Unë ndërkohë e kisha një master, kisha dhe lehtësinë e gjuhëve dhe gjithmonë kam punuar me projekte. Kështu që ishte dhe një vendim që nuk e mora me shumë vështirësi për të punuar në këtë ambient, dhe natyrisht robotika është e ardhmja për një pjesë të mirë të punëve të ditëve të sotme.

CMG: E vizitoni Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?

Bora Hysi: Më merr shumë malli në përgjithësi për ndonjë gatim, në veçanti byrek, dhe ndoshta prindërit e mi do qeshin kur ta dëgjojnë këtë koment. Më merr malli për Shqipërinë, nuk kam shumë lidhje me Shqipërinë sepse pjesa më e madhe e shokëve dhe shoqeve të mia janë jashtë vendit për arsye të ndryshme. Unë përpiqesha të vija në Shqipëri një herë në vit, por me keqardhje po e them që kam rreth tre- katër vite që nuk kam ardhur në Shqipëri. Në fakt prindërit e mi vijnë shumë shpesh në Kili dhe herën e fundit qëndruan rreth gjashtë muaj. Megjithëse e dua jashtë mase Shqipërinë, ndonjëherë zgjedhim edhe të bëjmë pushime qoftë brenda Kilit apo në vende të tjera të Amerikës së jugut sepse është lehtësi dhe për ne që prindërit e mi vijnë këtu dhe qëndrojnë me ne.

Prej tre vitesh ne kemi dhe një vogëlushe e cila është në shkollë, ku viti akademik në Amerikën e jugut është nga marsi deri në dhjetor, duke qenë se jemi hemisfera e jugut dhe ne verën e kemi në dimrin e Shqipërisë, ku aktualisht ne këtej jemi me temperature të ulëta. Gjithashtu më merr shumë malli për plazhet në Shqipëri.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Bora Hysi: Ju uroj të gjithë dëgjuesëve të Radio Ejani që të ndjekin gjithmonë programe të tilla dhe argëtuese.

Intervistoi: Gazmend Agaj