Kinë, biznesi rigjallërohet në gjashtëmujorin e parë
2023-07-24 13:20:42

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, biznesi në Kinë ka ruajtur prirjen e rigjallërimit dhe thithja e investimeve të huaja, si edhe investimet jashtë vendit, kanë treguar qëndrueshmëri, deklaroi zv.ministrja kineze e Tregtisë Guo Tingting në një konferencë shtypi të organizuar nga Zyra e Informacionit e qeverisë kineze. Perspektiva e tregtisë së jashtme kineze do të mbetet optimiste dhe nuk do të ndryshojë prirja e përgjithshme e investimeve të huaja në Kinë.

Foto:VCG

Konferenca e shtypit (Foto:VCG)

Në gjashtë muajt e parë të sivjetshëm, tregtia e jashtme e Kinës ka vijuar rritjen, me rezultate më të mira në tregjet e reja sesa në Europë dhe ShBA. Për shembull, import-eksportet me vendet e ASEAN-it, të Amerikës Latine dhe të Afrikës u rritën përkatësisht 5.4 %, 7.0 % dhe 10.5 %. Vëllimi i investimeve të drejtpërdrejta jofinanciare kineze jashtë vendit i kaloi 431 miliardë juanët (rreth 60 miliardë dollarë amerikanë), 22.7 %  më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, është zgjeruar pandërprerë bashkëpunimi në fusha si zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale e  ekonomia oqeanike etj.

Që nga fillimi i këtij viti, Kina ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi në fushat e sipërpërmendura me katër vende, duke përfshirë Brazilin, dhe numri i vendeve që kanë vendosur një bashkëpunim të tillë me Kinën ka arritur në 41. Gjithashtu, vlera e kontratave të lidhura për projekte bashkëpunimi i ka kaluar 490 miliardë juanët, 7 % më shumë krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar. Një sërë projektesh të mëdha e të rëndësishme janë në zbatim e sipër.

Ndërkohë, numri i kompanive të reja me investime të huaja në Kinë në gjysmëvitin e parë ishte mbi 24 mijë, 35.7 % më shumë, dhe investimet e huaja të shfrytëzuara gjatë kësaj periudhe i kaluan 703 miliardë juanët, 2.7 % më pak se në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, kanë ruajtur rritjen investimet nga vendet e zhvilluara, veçanërisht nga Franca dhe Britania.

Porti Haikou,provincë Hainan(Foto:VCG)

Porti Haikou,provincë Hainan(Foto:VCG)

Lidhur me performancën e përdorimit të investimeve të huaja, z. Zhu Bing, drejtori i Departamentit të Menaxhimit të Investimeve të Huaja pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, shpjegoi më tej në konferencën e shtypit.

"Vjet, në kushtet e uljes së investimeve ndërkufitare globale prej 12 %, vëllimi i përgjithshëm i investimeve të huaja që Kina thithi u rrit 6.3 %, duke shënuar rekord të ri historik dhe duke zënë vendin e dytë në botë. Në 'Raportin botëror të investimeve 2023' të publikuar ditët e fundit nga Konferenca e OKB-së mbi Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) parashikohet që sivjet, për shkak të ngadalësimit të rimëkëmbjes së ekonomisë botërore dhe amullisë së investimeve ndërkufitare, investimet  e drejtpërdrejta të huaja në shkallë globale do të përballojnë presionin e uljes së vazhdueshme. Në këto rrethana, të ndërthurura me faktorin e bazës së lartë të krahasimit të vitit të kaluar, vëllimi i përgjithshëm i përdorimit të investimeve të huaja në Kinë pati një ulje të vogël, por ka ruajtur qëndrueshmërinë e përgjithshme”.

Sipas tij, luhatjet në periudhë afatshkurtër nuk do të ndikojnë në besimin e investitorëve të huaj për perspektivën e zhvillimit të Kinës dhe prirja e shtimit të investimeve në Kinë nuk ka ndryshuar. Ai bëri të ditur gjithashtu se, në gjashtëmujorin e dytë të sivjetshëm, një kontingjent sipërmarrësish të kompanive ndërkombëtare do të vizitojnë Kinën, e cila i mirëpret investimet e tyre.

Treni i mallrave Kinë-Europë në Lianyungang, provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Treni i mallrave Kinë-Europë në Lianyungang, provincë Jiangsu(Foto:VCG)

Konsumatorë kinezë në dyqan të Siemens-it(Foto:VCG)

“Ditët e fundit, vumë re një 'fluks' të ekzekutivëve të lartë të kompanive shumëkombëshe që kanë bërë vizita në Kinë, duke u  njohur nga afër me mjedisin e biznesit në Kinë dhe duke kërkuar për mundësi të reja biznesi. Ata u shprehën se tregu kinez ka mundësi gjigante dhe nuk është një zgjedhje ‘alternative’, por ‘e domosdoshme’ ”, shtoi z. Zhu.

Përveç kësaj, edhe shifrat e import-eksportit të Kinës kanë tërhequr vëmendje të gjerë. Lidhur me uljen në maj dhe qershor, Li Xingqian, drejtor i Departamentit të Tregtisë së Jashtme pranë Ministrisë së Tregtisë, vuri në dukje se ajo është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i rigjallërimit të dobët të ekonomisë botërore. Kjo, bashkë me rënien ciklike të sektorit të informacionit elektronik, bazën e lartë të krahasimit të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, si dhe uljen e çmimeve të import-eksportit, ka çuar në uljen e dy muajve të kaluar.

“Megjithatë, në krahasim me marsin dhe prillin, import-eksportet në maj dhe qershor kanë vijuar rritjen. Ndërkohë, edhe trajtimi i mallrave dhe kontejnerëve në portet anembanë vendit ka ruajtur rritjen, gjë që tregon gjallërinë e import-eksportit të mallrave. Prandaj, jemi optimistë për perspektivën e tregtisë të jashtme në gjashtë muajt e dytë të sivjetshëm,” theksoi z. Li.