
Foto nga CFP
Një sulm me dron në një depo municioni në Krime ka çuar në mbylljen e urës, evakuimin e civilëve dhe ndërprerjen e transportit, bënë të ditur autoritetet ruse, njofton “RTSH”.
Sergei Aksyonov, guvernatori i Krimesë, akuzoi Ukrainën s qëndronte pas sulmit, teksa tha se banorët që jetonin brenda 5 kilometrave nga shpërthimi po evakuohen.
“Sipas të dhënave paraprake, nuk ka pasur dëme apo viktima”, shkroi Aksyonov në një postim në “Telegram”.
Ura e Krimesë u hap në vitin 2018 dhe mundëson aksesin rrugor dhe hekurudhor midis Rusisë dhe Krimesë, territori ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Të hënën e kaluar, një shpërthim në urë vrau dy persona dhe dëmtoi rrugën, por linja hekurudhore, e cila shkon paralel me të, nuk u dëmtua.
Kremlini fajësoi Ukrainën për sulmin e së hënës, duke e cilësuar një akt terrorist. (Fatosi)
