“E imja dashuri” kënga e re e Eren Karaibos
2023-07-23 18:50:45

Eren Karaibo që nga mosha e hershme është angazhuar me muzikën, ku fillimisht nisi mësimet në piano e më pas në kitarë, duke shfaqur talentin e tij. Ai kreu studimet Antalya të Turqisë, ku  ka qenë shumë aktiv në jetën kulturore, duke  marrë pjesë në festivale të ndryshme muzikore, të vendit por edhe ndërkombëtare. Lidhja e tij me muzikën nuk është e rastësishme pasi rrjedh nga një familje artistësh. Hapat e parë muzikorë i ka marrë nga babai i tij, kitaristi dhe këngëtari, Erol Karaibo. Janë të shumta performancat muzikore në familjen e tyre ku interpreton Ereni, vëllai dhe babai i tij. Për Radio Ejani Ereni tregon rreth këngës së tij të re “E imja dashuri”.  

Eren Karaibo nga xhirimet e videoklipit -E imja dashuri (Foto nga instagrami)

CMG: Ti sapo ke publikuar këngën me titull "E imja dashuri". Na trego më tepër për këtë material muzikor, si lindi dhe deri në finalizim?

Eren Karaibo: Ishte një ëndërr e imja që ta bëja një këngë të këtij zhanri muzikor. Një ditë një person që më adhuron shumë më tha t’i drejtohesha shkrimtares Drenusha Zajmi për të realizuar një teks. Më pas e mendova dhe pasi gjeta kontaktin fola me të. Ajo pranoi për të bashkëpunuar dhe e falenderoj nga zemra. Autorja e tekstit më sugjeroi që muzikën ta bënte kompozitori Florent Boshnjaku. Kështu bashkëpunuam dhe kjo ishte një punë e shkëlqyer. Videoklipi u xhirua në bregdetin e bukur shqiptar.

CMG: Në videoklipin e këngës ti ke një vajzë në krah...

Eren Karaibo: Në fillim kisha planifikuar që të kisha një femër, shoqe ose të njohur, por më pas mendova se ishte shumë më mirë që të ishte bashkëshortja ime, pasi është më e bukur nga të gjitha, të paktën për mua. Ajo mori pjesë në video dhe kjo këngë i dedikohet asaj.

Eren Karaibo ne interpretimet live  (Foto nga instagrami)

Eren Karaibo ne interpretimet live  (Foto nga instagrami)

CMG: Po fabula e këngës, tregon një dashuri të vërtetë?

Eren Karaibo: Intuita ime më thoshte ta bëj një këngë me këtë fabul, që nëpërmjet këtij teksti të përcillja një mesazh dashurie tek të rinjtë, ashtu siç është dashuria jonë.

CMG: Ti je rritur në një familje artistësh.  Si  është të bësh art brenda familjes?

Eren Karaibo: Eshte një gjë e mrekullueshme dhe e ndjej veten me fat që rrjedh nga një familje artistësh, ku shpesh performojmë me babain dhe vëllain dhe kemi performuar në shumë koncerte.

CMG: Sa ka ndikuar babai në formimin tënd artistik?

Eren Karaibo:  Ka ndikuar shumë sepse babai im ishte këngëtar dhe kitarist i njohur në Prizren, ndaj  hapat e para i mora nga ai. Babai më mësoi notat muzikore dhe mora një edukatë kualitative të muzikës dhe kjo për mua eshtë një ndjenjë e shkëlqyer.

Eren Karaibo nga  xhirimet e videoklipit -E imja dashuri (Foto nga instagrami)

Eren Karaibo nga  xhirimet e videoklipit -E imja dashuri (Foto nga instagrami)

CMG: Sa vite ke studiuar muzikë dhe në sa intrumenta luan?

Eren Karaibo:  U regjistrova në shkollën e muzikës për piano, aty përfundova dy vite , por entuziazmi im ishte për kitarë. Fillova të merrja mësim nga kitaristët e njohur dhe më pas fillova ta ushtroja ditë e natë.

CMG: Cili është artisti i preferuar që të frymëzon për të kënduar?

Eren Karaibo: John Mayer dhe Alban Skënderaj.

CMG: Ti jeton në Prizren, një vend multikuturor. Çfarë do të veçoje nga ky vend?

Eren Karaibo: Prizreni është qytet me kulturë të lartë, qytet historik me kultura dhe entitete ku ka barazi dhe tolerancë ndërnjerëzore, për këtë arsye ndjehem shumë krenar që jam prizrenas.

CMG: Përveç se në gjuhën shqipe, këndon edhe në gjuhën turke. Çfarë të lidh me këtë gjuhë dhe atë vend?

Eren Karaibo: Unë i përkas entitetit turk të Kosovës, kam studiuar dhe jetuar në Turqi ku jam marrë gjatë gjithë kohës me muzikë. Kam marrë pjesë në shumë evente muzikore dhe festivale, kam marrë një njohuri të madhe në lidhje me muzikën, që i japim shumë rëndësi muzikës dhe instrumenteve derisa tek ne dominon edhe muzika elektronike . Përveç gjuhës shqipe dhe turke unë këndoj edhe në anglisht, greqisht, boshnjakisht, por ka këngë që i këndoj edhe në gjuhën rome. 

CMG:  Cilat janë dëshirat që pret t’i realizosh në të ardhmen? 

Eren Karaibo: Dëshirat e mia janë të shumta, por do të doja që muzika ime të pëlqehet, të bëj sa më shumë këngë dhe të jenë të kënaqur fansat të cilët e pëlqejnë muzikën time.

Eren Karaibo ne netet live (Foto nga instagrami)

Eren Karaibo ne netet live (Foto nga instagrami)

CMG:  Po planet e tua për të ardhmen, cilat janë?

Eren Karaibo: Kam disa projekte që pres t’i realizoj, por për momentin ato janë sekrete. Tashmë  mora një ftesë nga Gazmend Kraja kompozitor nga Shkodra, që ta këndoja kompozimin e tij, në” Zambaku i Prizrenit”, dhe me gjithë dëshirë e pranova. Kjo është herë e dytë që marr pjesë në festivalin tradicional. Kam shumë oferta dhe nga këngëtarë të huaj për bashkëpunim, por koha do ta tregojë.

Intervistoi: Sava Lena