
Kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj (Foto Atsh)
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka bërë të mundur punësimin në institucionet e varësisë së Bashkisë së Tiranës të rreth 300 punonjësve nga grupet vulnerabël, deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, citon “ATSH”.
“Ne kemi një shtesë në kontributin e Bashkisë së Tiranës në projektin e bashkëfinancuar nga GIZ, për të ndihmuar shtresat në nevojë. Kemi hartuar një projekt, ku ne punësojmë 300 qytetarë nga komuniteti rom dhe egjiptian, kryesisht që vijnë nga situatë rruge”,- tha Veliaj.
Sipas tij, mënyra më njerëzore për të menaxhuar njerëzit në situatë rruge është punësimi, por edhe ofrimi i mundësive për qendrat sociale dhe me mësues e mentorë për fëmijët.
“Besoj se sot që është rritur edhe paga minimale na duhet të reflektojmë dhe shtesën e kontributit të Bashkisë në këtë projekt të GIZ-it për të punësuar këta 300 qytetarë që vijnë nga një shtresë vulnerabël”,- tha Veliaj. (Irma)
