Ndërprerja e nismës së Detit të Zi, OKB: Shumë njerëz në të gjithë botën mund të vdesin nga uria
2023-07-23 16:33:31

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas ndërprerjes së Marrëveshjes së Drithërave të Detit të Zi, OKB-ja ka paralajmëruar se shumë njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga uria. 

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave shefja e Çështjeve Politike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, i ka thënë Këshillit të OKB-së se sulmet ruse në portet detare të Ukrainës do të kenë ndikime të gjera në sigurinë ushqimore globale, në veçanti, në vendet në zhvillim, shkruan “Panorama”.

Ajo gjithashtu i cilësoi kërcënime të papranueshme deklaratat nga Rusia dhe Ukraina për të shënjestruar anijet civile në ujërat e Detit të Zi.

“Çdo rrezik i përhapjes së konfliktit si rezultat i një incidenti ushtarak në Detin e Zi, qoftë i qëllimshëm apo aksidental, duhet të shmanget me çdo kusht, pasi kjo mund të rezultojë në pasoja potencialisht katastrofike për të gjithë ne”,- tha DiCarlo. (Irma)