Arif Dushaj: Më pëlqen ta ruaj folklorin dhe traditën
2023-07-22 16:31:16

Arfi Dushaj duke interpretuar (Foto personale)

Arfi Dushaj duke interpretuar (Foto personale)

Arif Dushaj është këngëtar i njohur nga Tropoja dhe prej vitesh ai ka zgjedhur të sjellë për publikun e tij muzikën tradicionale shqiptare. Ka marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit duke u pritur mirë nga publiku. Gjatë karrierës së tij muzikore ai ka publikuar mjaft këngë popullore të trevës së veriut  dhe disa prej tyre në duet me këngëtarë të tjerë. Në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ai u prezantua me një këngë të trevës së veriut, duke u pritur shumë mirë nga publiku. Në një intervistë për Radio Ejani Arif Dushaj tregon për fillimet e karrierës së tij muzikore, aktivitetet artistike si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Ju keni marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit, duke qenë i pranishëm kudo ku ka shqiptarë.

Arfi Dushaj: Patjetër, këndoj gjithandej ku ka shqiptarë si në Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Unë kam marrë pjesë në mjaft aktivitete kulturore dhe koncerte.

CMG: Si ju lindi pasioni për muzikën popullore tradicionale?

Arif Dushaj gjate festivalit te Gjirokastres (Foto personale)

Arif Dushaj gjate festivalit te Gjirokastres (Foto personale)

Arfi Dushaj: Unë jam marrë me muzikë që në moshën 13 vjeçare dhe nga familja ime nuk është dikush që merret me muzikë, por daja ka pasur pasion muzikën dhe ka kënduar dhe  më thoshte që i ngjasoja atij në të kënduar. Kam vazhduar të merrem me muzikë në moshë të vogël me shkollën, aktivitete kulturore në atë kohë, më vonë me ansamblin ku arrita të marr pjesë dhe në festivale. Kam marrë pjesë në festivalin e Beratit dhe të Gjirokastrës, por dhe në festivale të tjera të organizuara nëpër Shqipëri. Së fundi mora pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, që ishte festivali më i bukur i të gjitha kohërave pas vitit 1990. Këtë herë ishte një organizim madhështor dhe shumë i bukur, ku morën pjesë shumë grupe nga Shqipëria dhe jashtë vendit. Unë u prezantova me një këngë të veriut, tipike malësore kushtrimi kushtuar Isuf Halilit, një artist i madh i Tropojës i cili është ndarë nga jeta, por ka pasur një stil të veçantë kënge që asnjë këngëtar tjetër deri sot nuk e ka sjellë siç u mundova ta sjell unë në Kalanë e Gjirokastrës. Unë jam krenar dhe i lumtur që solla atë stil kënge dhe kam marrë shumë komente pozitive.

CMG: Si u prit kjo këngë nga publiku në Kalanë e Gjirokastrës?

Arif Dushaj gjate xhirimeve te nje videoklipi (Foto personale)

Arif Dushaj gjate xhirimeve te nje videoklipi (Foto personale)

Arif Dushaj: Kjo ishte një këngë e veçantë me një tekst të bukur të shkruar nga Hasan Buçpapaj, një tekst me domethënie dhe unë u mundova ta këndoja në atë mënyrën time, duke dhënë ndjenjat e mia dhe ato muzikore, ashtu siç i do kënga. Mendoj që doli bukur sepse kam marrë dhe shumë komente pozitive.

CMG: Keni marrë pjesë në disa edicione të festivalit folklorik, por pse pikërisht e veçoni festivalin e sivjetshëm si më të bukurin?

Arif Dushaj: Mendoj se organizimi i këtij festivali ishte shumë korrekt dhe shumë serioz, sepse kam marrë pjesë edhe herë të tjera, por kësaj here ishte shumë mirë festivali.

CMG: Gjatë karrierës suaj muzikore e keni ruajtur traditën, duke sjellë muzikën e pastër folklorike të trevës suaj të veriut.

Arif Dushaj: Unë edhe këtu ku punoj në Londër, në lokalin që kam bashkë me vëllain tim ku bëjmë muzikë, gjithmonë këndoj këngë të trevës së veriut. Më pëlqen gjithmonë ta ruaj folklorin dhe traditën.

CMG: Si ndjeheni kur jeni me veshje popullore në skenë?

Arif Dushaj: Unë ndjehem krejt ndryshe sepse nuk mund të dal në skenë pa kostumin popullor. Kur vesh kostumin popullor më duket sikur është e plotësuar kënga, por edhe mua sikur më burrëron pak më tepër.

CMG: Luani në çifteli ?

Arif Dushaj me grupin e Tropojes (Foto personale)

Arif Dushaj me grupin e Tropojes (Foto personale)

Arif Dushaj: Unë i bie çiftelisë dhe sharkisë kur këndojmë nëpër oda ose kur mblidhemi me shoqërinë.

CMG: Përveç këngëve solistike ju keni realizuar edhe disa duete me këngëtarë të tjerë. Si janë pritur këto bashkëpunime?

Arif Dushaj: Unë kam bërë një bashkëpunim me Stresin që gjej rastin ta përshëndes, një artist shumë i mirë. Bashkë kemi bërë një këngë që titullohet “Me krahë shqipes nga Tropoja”. Me kompozitorin menduam që ta realizojmë me Stresin dhe ai u tregua i gatshëm dhe kënga doli shumë  mirë.

CMG: Disa prej këngëve tuaja mbajnë vulën e kompozitorit të njohur Edi Balili. Cilat janë këngët e realizuara në studion e tij?

Arif Dushaj: Kam realizuar dy këngë me Edin, njëra është për kurbetin me tekst të Jorgo Papingjit. Këtë këngë e kam kënduar me këngëtaren Erisa Dragoshi, të cilën e përshëndes sepse është këngëtare shumë e mirë dhe e talentuar. Kam bërë edhe një këngë tjetër me Edi Balilin kushtuar Tropojës. Gjithashtu kam bërë shumë këngë me kompozitorin Gramoz Kozeli që edhe pse është nga jugu  mua më përshtatet dhe i bëj këngët me kënaqësi tek ai sepse i realizon shumë mirë.

CMG: Si e keni agjendën e dasmave dhe gëzimeve familjare këtë sezon veror?

Arfi Dushaj: Unë jam një këngëtar që nuk marr dasma shumë, jo se nuk kam kërkesa por jam gjithë vitin në punë. Shoh disa këngëtarë që kanë probleme me zërin sepse e kanë keqtrajtuar atë. Duhet t’i rrallojnë dasmat sepse duhet të bëjnë shumë kujdes me kordat e zërit. Unë zgjedh dasmat që më përshtaten dhe e di që i realizoj ashtu si duhet.

CMG: Keni ndonjë projekt të ri muzikor së afërmi?

Arif Dushaj me kostum popullor (Foto personale)

Arif Dushaj me kostum popullor (Foto personale)

Arif Dushaj: Kam një këngë me një tekst shumë të bukur të Gjovalin Dushajt nga Puka dhe e kam inçizuar. Pres që t’i realizoj një videoklip dhe tani në gusht do ta publikoj.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Arfi Dushaj: I përshëndes të gjithë, duke ju uruar gjithë të mirat dhe pushime të mbara.

Intervistoi: Gazmend Agaj