
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres(Foto:VCG)
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paraqiti propozimin e tij për t’u përballur me atë që e quajti një rend të ri botëror shumëpolar, të karakterizuar nga tensione gjeopolitike në rritje, konflikte dhe teknologji të reja.
Duke iu drejtuar anëtarëve të OKB-së, Guterres tha se rekomandimet e tij, të paraqitura në një dokument politikash të titulluar “Një Axhendë e Re për Paqen”, kanë parasysh natyrën e ndërlidhur të shumë prej sfidave globale, përcjell “Panorama”.
“Konfliktet janë bërë më komplekse, më vdekjeprurëse dhe më të vështira për t’i zgjidhur. Vitin e kaluar u regjistrua numri më i lartë i vdekjeve nga konfliktet në pothuajse tre dekada”,- tha ai.
Sipas tij, nëse çdo vend do të përmbushte detyrimet sipas Kartës së OKB-së, e drejta për paqen do të ishte e garantuar, ndërsa kur vendet i thyejnë zotimet, krijohet një botë pasigurie.

Foto:VCG
Shefi i OKB-së tha se një nga çelësat për trajtimin e problemeve që po përjeton planeti është përshpejtimi i punës për axhendën 2030, një plan me objektiva globale zhvillimi. Ai vuri në dukje se parandalimi i konfliktit dhe zhvillimi i qëndrueshëm mbështesin njëri-tjetrin.
Drejtuesi i OKB-së shprehu gjithashtu shqetësimin për teknologjitë e reja që ofrojnë potencial për progres të madh, por që gjithashtu në rastin e inteligjencës artificiale dhe të armëve autonome (të njohura ndryshe si “robotët vrasës”), janë duke krijuar mënyra të reja me të cilat njerëzimi mund të eliminojë vetveten.
Guterres tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të miratojë deri në vitin 2026 një instrument ligjor që do të ndalonte armë të tilla autonome.
Ai mbështet gjithashtu idenë e krijimit të një entiteti të ri global për të shmangur rreziqet ndaj paqes dhe sigurisë nga inteligjenca artificiale. Guterres e parafytyron këtë entitet me strukturë dhe mandat të ngjashëm me Agjencinë e Energjisë Bërthamore, e cila u krijua nga OKB-ja. (Irma)
