Qeveria kineze do të zgjerojë më tej hapjen me nivel të lartë të industrisë së prodhimit e të industrisë së informacionit dhe të telekomunikacionit, tha të mërkurën paradite zëdhënësi dhe kryeinxhinieri i Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës Zhao Zhiguo.
Në një konferencë shtypi të dhënë nga Zyra e Shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës për gjendjen e industrisë së informacionit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, Zhao Zhiguo u shpreh gjithashtu se, në gjysmën e parë të vitit, industria e prodhimit vazhdoi prirjen e rritjes së shpejtë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Industrisë së Automjeteve të Kinës, në gjashtëmujorin e parë, prodhimi i automjeteve me energji të re u rrit 42.4 %. Deri tani, prodhimi i përgjithshëm i automjeteve me energji të re të Kinës i kalon 20 milionë njësitë. Njëkohësisht, po në gjashtë muajt e parë të vitit, prodhimi i baterive diellore dhe prodhimi i kompjuterave dhe sistemeve të kontrollit industrial u rritën përkatësisht 54.5 % e 34.1%.
“Projekti i rindërtimit industrial dhe projekti i zhvillimit të pajisjeve kryesore teknike po zhvillohen mbarë, duke prodhuar shumë produkte të rëndësishme teknike. Aeroplani i madh i udhëtarëve C919 u vu në përdorim tregtar, e po ashtu anija e parë e madhe turistike kineze nisi lundrimin. Përmasat e ndërtimit të fabrikave të zgjuara janë zgjeruar pandërprerë dhe janë ndërtuar rreth 8000 punishte digjitale e fabrika të zgjuara në krahina të ndryshme. Transformimi i gjelbër me karbon të ulët ka pasur rezultate dhe konsumi i energjisë në industritë e metalurgjisë me ngjyrë, të materialeve të ndërtimit, të çelikut, kimike etj. është ulur vijimisht,” u shpreh zëdhënësi.
Foto nga CFP
Ai vuri në dukje se, megjithëse zhvillimi i industrisë së informacionit përballet me mjedisin e ndërlikuar të jashtëm, Kina nuk do të ndryshojë vendosmërinë për hapjen.
“Së pari, do të promovohet hapja e nivelit të lartë dhe do të realizohet trajtimi kombëtar i sipërmarrjeve me investime të huaja, duke inkurajuar biznesmenët e huaj të shtojnë investimet në fushën e teknologjisë së informacionit, të pajisjeve të nivelit të lartë, të prodhimit të zgjuar etj. Së dyti, do të krijohet platforma e shkëmbimeve dhe e bashkëpunimit për të promovuar lidhjen e politikave industriale nëpërmjet sistemit të dialogut ndërmjet qeverive. Së treti, do të promovohet bashkëpunimi ndërkombëtar, duke nxitur aktivisht nismën për bashkëpunimin digjital e nisma të tjera në nivel ndërkombëtar për të krijuar një mjedis të hapur, të barabartë e të drejtë të zhvillimi, duke mbrojtur së bashku sigurinë e qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit dhe duke promovuar bashkërisht rimëkëmbjen e ekonomisë botërore,” tha Zhao Zhiguo.
Zëdhënësi i Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit shtoi se, në fazën e ardhshme, do të vazhdojnë të thellohen hapja dhe bashkëpunimi në fushën e industrisë së informacionit. Kështu, do të zgjerohet më tej hapja me nivel të lartë e industrisë së prodhimit dhe e industrisë së informacionit e telekomunikacionit, duke krijuar vazhdimisht një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj e të ndërkombëtarizuar. Gjithashtu, do të luhet roli i sistemit të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh ndërmjet qeverive, për të mbrojtur së bashku sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të industrisë e furnizimit. Së fundmi, do të nxitet bashkëpunimi në ekonominë digjitale nëpërmjet organizatave ndërkombëtare e platformave shumëpalëshe. (Fani)