Marrëdhënia mes vëllait dhe motrës është unike dhe në thelb e pakrahasueshme. Kjo është historia e Endit dhe Angelos, dy të rinj nga qyteti i Tiranës të cilët kanë ëndrra të mëdha për jetën. Fatkeqësisht ata ndodhen në karrige me rrota, por kjo nuk i ka penguar ta jetojnë jetën si gjithë të tjerët. Vetëm pak ditë më parë Angelo ishte pjesë e mbrëmjes së maturës, një mbrëmje e mbushur me shumë emocione pasi ishte një suprizë për të nga ana e shokëve. Të dy vëlla e motër japin mesazhe shumë të veçanta për jetën dhe shprehen se janë një mbështetje e madhe për njëri-tjetrin.
Endi dhe Angelo ( foto personale)
CMG: Cila është marrëdhënia që keni ndërtuar me njëri-tjetrin, si vëlla e motër?
Endi Duhanxhiu: Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe fakti që kemi këtë lidhje kaq të ngushtë ka qenë drejtpërdrejt problemi ynë pasi jemi bashkuar në të njëjtën vuajtje, e cila sot për sot na mban më afër. Por, besoj dhe jam e sigurt që çdo motër apo çdo vëlla do të ishte në të njëjtat kushte si ne. Pasi, dashuria vëllazërore është shumë e shtrenjtë. Ne e suportojmë shumë njëri-tjetrin dhe çdo gjë që kemi, qoftë shqetësim apo moment i bukur, e ndajmë së bashku.
CMG: Angelo si ishte për ju mbrëmja e maturës?
Angelo Duhanxhiu: Ishte një mbrëmje shumë unike dhe patjetër që unë u ndjeva shumë mirë. E veçanta e kësaj mbrëmje ishte pasi unë nuk doja që të shkoja, por insistimi i shokëve më bëri të përjetoj këto emocione të forta.
CMG: Pse nuk doje që të shkoje në atë mbrëmje, nëse mund të na i thuash?
Angelo Duhanxhiu: Unë ndihesha shumë keq pasi mendoja që të tjerët do të më paragjykonin për dukjen time, por që në fakt ndodhi e kundërta.
Të gjithë më pritën mirë dhe isha kryefjala e mbrëmjes së maturës, kam kërcyer dhe jam argëtuar njësoj si të gjithë shokët e mi.
CMG: Endi a e ke nxitur vëllain të shkonte në atë mbrëmje?
Endi dhe Angelo ( foto personale)
Endi Duhanxhiu: Këmbëngulja ka qenë e madhe megjithëse nuk ishte shumë e lehtë që ta arrija këtë gjë, u përpoqa shumë ta bindja që ishte diçka pozitive për jetën e tij. Unë vetë kam shkuar në mbrëmjen e maturës dhe jam kënaqur ndaj prisja që edhe vëllai im të shkonte në atë mbrëmje të veçantë, që nxit shumë kujtime.
CMG: A e keni pasur mbështetjen e duhur të shoqërisë?
Endi Duhanxhiu: Jemi të habitur në fakt, sepse nuk e prisnim që të gjenim kaq shumë dashuri në shoqëri. Na kanë trajtuar si të barabartë me të tjerët, unë isha skeptike dhe mendoja se mos ndoshta do të më paragjykojnë për gjithçka apo do të më bullizojnë, por nuk ndodhi kështu. Ka edhe raste kur na shohin çuditshëm edhe në rrugë kur dalim, por ne jemi shumë të lumtur për njëri-tjetrin dhe nuk duam që askujt t’i vijë keq për ne. Kemi nevojë të trajtohemi si të barabartë.
CMG: Endi si e sheh të ardhmen tënde, mendon që do gjesh punën e ëndrrave?
Endi Duhanxhiu: Unë studioj për marketing dhe ëndërroj çdo ditë që të gjej punën time të ëndrrave dhe po punoj shumë për të rritur aspektin tim profesional.
CMG: Angelo po ju si e shihni të ardhmen?
Endi Duhanxhiu ne mbremjen e matures ( foto personale)
Endi Duhanxhiu ( foto personale)
Angelo Duhanxhiu: Unë njerëzit dua të më njohin dhe të më duan për atë që jam dhe që di të bëj. Një nga këto gjëra është të jem programues, kjo është edhe dega ime e studimeve.
CMG: Të dy bashkë a keni një mesazh për lexuesit?
Endi dhe Angelo Duhanxhiu: Po ne do të donim shumë që askujt mos ti vinte keq për ne, gjithashtu kemi shumë dëshirë të na shohin si të barabartë në shoqëri.
Intervistoi Megi Latifi