Qendra Rinore TEN nis kampin veror për fëmijë dhe adoleshentë
2023-07-21 12:08:09


Qendra Rinore TEN nisi gjatë muajit korrik edicionit e katërt të kampit veror për fëmijë dhe të rinj. Qendra Rinore TEN është  institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe ka për qëllim zbulimin dhe mbështetjen e te rinjve të talentuar të kryeqytetit si dhe gjallërimin e jetës artistike kulturore në Tiranë. Krijimi i Qendrës Rinore “TEN” erdhi si rrjedhojë e një pune disavjeçare të Bashkisë së Tiranës. Struktura e vjetër e ish-kinema “Dajtit”, është transformuar në mënyrë rrënjësore, duke u kthyer në një qendër rinore. Kjo qëndër mbështet dhe organizon çdo projekt artistik me qëllim përfshirjen e të rinjve në shfaqjet dhe evente kulturore, duke bërë të mundur distancimin e tyre nga fenomene negative. Në këtë hapësirë aty mirëpresin fëmijë e të rinj që duan të shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë në mënyrë frytdhënëse, duke zhvilluar talentet që kanë brenda vetes dhe njëkohësisht duke rritur shkallën e dijeve të tyre.

Në muajin korrik kjo qendër hapi për të katërtin vit rradhazi kampin veror për fëmijë “Ten”, duke u dhënë mundësinë fëmijë të shijojnë një eksperiencë të mrekullueshme përgjatë sezonit veror. Për çdo ditë të javës nga e hëna në të premte, qendra rinore “Ten” mirëpret mbi 100 fëmijë që janë bërë pjesë e këtij kampi argëtues, kreativ dhe lojërave të ndryshme. Duke qenë se Tirana është Qyteti Europian i Sportit  2023 të gjithë fëmijët e pranishëm nga mosha 8- 16 vjeç mund ta gjejnë veten në sporte të ndryshme, por edhe në pikturë, aktrim, piano, etj E ftuar në Radio Ejani, përgjegjësja e sektorit artistik e Qendrës Rinore “TEN” Enkelejda Sefa, flet për veprimtaritë verore të qendrës

CMG: Qendra “Ten” zhvillon për të katërtin vit kampin veror “Ten”. Flasim për këtë veprimtari

Enkelejda Sefa: Po është e vërtetë, që për të katërtin vit radhazi qendra “Ten” zhvillon kampin veror për fëmijë. Fokusi i këtij kampi është arti.

CMG: Çfarë aktivitetesh përfshihen në të dhe sa fëmijë janë këtë vit pranë këtij kampi?

Enkelejda Sefa: Në të zhvillohen disiplina të ndryshme. Fëmijët përgjatë gjithë ditës ushtrojnë talentin e tyre, në disiplinat e pikturës, baletit, aktrimit, kantos, pianos dhe fotografisë. Në diferencë me vitet e tjera, numri i fëmijëve ka ardhur në rritje. Ne e kemi nisur këtë kamp me 50 fëmijë dhe tashmë e frekuentojnë 148 fëmijë.

CMG: Çfarë risish ka këtë vit?

Enkelejda Sefa: Risi këtë vit është bashkëpunimi me Drejtorinë e Sporteve, pranë APR-së , ku përveç artit fëmijët që frekuentojnë kampin merren edhe me sport.

CMG: Cili është synimi i zhvillimit të këtij kampi?

Enkelejda Sefa: Zhvillimi i kampit është “Të argëtojnë dhe edukojmë, nëpërmjet artit dhe të bukurës”një brez të ri duke mësuar vlerat njerëzore të shoqërisë. Disiplina dhe dëshira për çdo ditë që të mësojmë gjëra të reja, i largon nga sjelljet jo të mira të rinjtë sot.  Në këtë mënyrë kontribuojmë për një rini më të mirë dhe sociale. Shumë argëtuese këtë vit ka qenë edhe ardhja e psikologes së qendrës, ku zhvillon lojëra psiko-sociale me fëmijët. Këto lojëra kanë në qendër argëtimin, përqëndrimin, shkathtësimin, zhvillimin mendor, sa bashkëpunues janë ata me grupin. Lojërat psiko-sociale ndikojnë në zhvillimin  dhe nxitjen e memories, fokusimin te vetja. Gjithmonë në përmbyllje të një loje psiko-social, i jepet një mesazh  i rëndësishëm që mund të jetë; bashkëpunim, motivim, puna në grup dhe benefitet e tjera. Këto lojëra sjellin energji pozitive për të gjithë.

Gjatë këtij kampi intervistuam Franklin, një nga fëmijët pjesëmarrës

CMG:Përshëndetje! Si quhesh dhe sa vjeç je?

Franklin: Jam Franklin dhe jam 8 vjeç.

CMG: Ti bashkë me fëmijët e tjerë ke nisur këtë kamp veror, por a ke zënë shokë e shoqe aty?

Franklin: Më shumë shokë, shoqe fare.

CMG: Sa shokë ke aty?

Franklin: Pesë, gjashtë.

CMG: Çfarë lojërash luani ju?

Franklin: Futboll, basketboll, volejboll.

CMG: Dhe cila lojë të pëlqen  më tepër?

Franklin: Futbolli.

CMG: Si të duket ky kamp veror që tashmë mbahet në natyrë, në kodrat e liqenit në Tiranë?

Franklin: Është më bukur në natyrë, të vraposh, është më mirë se në ambjentet e mbyllura.

CMG: Faleminderit për intervistën! Uroj të dalësh me sukses në këtë kamp veror dhe të argëtohesh sa më shumë.

Ky kamp nuk synon vetëm argëtimin dhe zbavitjen, por fëmijët do kenë mundësinë që të zhvillojnë mësime pikture, kanto, aktrim, fotografi, balet, etj. Çdo ditë ata mësojmë gjëra të reja, dhe nëpërmjet artit ata edukohen, duke i mbajtur larg nga sjelljet jo të mira të rinjtë sot. 

Intervistoi: Sava Lena