
Qindra irakianë sulmuan Ambasadën e Suedisë në Bagdad dhe i vunë flakën ndërtesës, pas djegies së kuranit në Stokholm.
Një burim i Ministrisë së Brendshme deklaroi për “Xinhua” se demonstruesit u ngjitën në gardhet e ambasadës dhe hynë në ndërtesë, duke protestuar ndaj djegies së kuranit dhe flamurit irakian, para Ambasadës së Irakut në Stokholm, nga i njëjti person që dogji kuranin tre javë më parë.
Forcat irakiane të sigurisë dhe makinat e zjarrit nxituan drejt ambasadës suedeze për të shpërndarë demonstruesit dhe zjarrfikëset u angazhuan për të shuar zjarrin, tha burimi.
Ministria e Jashtme irakiane dënoi sulmin, duke bërë të ditur se do të nisë një hetim për të zbuluar personat që i vunë zjarrin dhe për t'i mbajtur ata përgjegjës sipas ligjit.
Më 30 qershor, protestues të zemëruar sulmuan Ambasadën e Suedisë pak jashtë Zonës së Gjelbër të fortifikuar në qendër të Bagdadit, duke protestuar kundër aktit të një shtetasi suedez me origjinë irakiane, i cili grisi një kopje të kuranit dhe e dogji përpara një xhamie në Stokholm, më 28 qershor, gjatë një demonstrate të autorizuar nga autoritetet suedeze, e cila irritoi botën myslimane. (Elona)
