
Makinat elektrike (Foto ATSH)
Më shumë makina elektrike sesa me karburant u shitën në qershor në Bashkimin Evropian, sipas shifrave nga Shoqata e Prodhuesve Evropianë (ACEA). Në krye të listës qëndron “Tesla”, e ndjekur nga “Volkswagen”.
Makinat elektrike janë rritur nga 10.7% në 15.1% të tregut në një vit, shkruan “ATSH”. Shitjet e tyre u shtuan dukshëm në Holandë, Gjermani, Francë dhe Belgjikë. Kjo rritje është nxitur veçanërisht nga “Tesla”, e cila ka ulur çmimet. Një në pesë automjete elektrike të shitura në Evropë në gjysmën e parë të vitit mban simbolin “T”, ose 137.000 makina.
“Volkswagen” pati gjithashtu rritje të shitjeve të makinave elektrike me 68%, në 217.000 njësi.
Kontinenti i vjetër dëshiron të ndalojë makinat termike pas 12 vitesh. Shitjet e makinave me naftë vazhdojnë të bien, të dënuara nga penalitetet e blerjes dhe rritja e kostove të karburantit. Në pranverë, Bashkimi Evropian ratifikoi kalimin e tij në një treg 100% pa emetim të gazeve serrë në vitin 2035 për të arritur objektivat e tij klimaterike.
Makinat hibride, që ndotin pak më pak, gjithashtu kanë bërë përparim të fortë dhe përfaqësojnë 24.3% të tregut, të drejtuara nga Gjermania, Franca dhe Italia.
Megjithatë, makinat me benzinë mbeten pëlqimi kryesor në BE me 36.3% të shitjeve në qershor, me rritje 11%.
“Progresi i muajve të fundit tregon se industria evropiane e automobilave po rimëkëmbet nga problemet logjistike të shkaktuara nga pandemia”, nënvizon ACEA në një njoftim për shtyp.
Tregu evropian i automobilave ka filluar të rritet përsëri në mënyrë të qëndrueshme që nga gushti 2022, kur kriza Covid-19, e kombinuar me mungesën e pjesëve, duke përfshirë komponentë thelbësorë elektronikë, i kishte dhënë një goditje të rëndë. (Elona)
