CMG: Britania nuk mund të vazhdojë të mos flasë për ishujt Malvine
2023-07-21 19:40:11

foto: VCG

foto: VCG

“Pas një kohe të gjatë, kjo është hera e parë që BE-ja ka folur për Malvinet,” u tha një zyrtar argjentinas medieve vendore kohët e fundit, kur mori pjesë në samitin e tretë të Bashkësisë së Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve-Bashkimit Evropian (CELAC-BE) në Bruksel. Ai po fliste për përfshirjen e çështjes së sovranitetit të ishujve Malvine në deklaratën e samitit. Të dy palët ranë dakord për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut, mbi bazën e respektimit të ligjit ndërkombëtar.

 

Kjo është hera e parë që dy organizatat kryesore rajonale përkatësisht të Europës dhe Amerikës Latine kanë përmendur çështjen e sovranitetit mbi ishujt Malvine në deklaratat e tyre. BE-ja deklaroi se mori parasysh pozicionin historik të CELAC-it mbi sovranitetin e ishujve Malvine dhe ritheksoi përkushtimin ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara..

 

Si një grupim i vendeve të zhvilluara perëndimore, ndryshimi i qëndrimit të BE-së për këtë çështje nuk është befasi.

 

foto: VCG

foto: VCG

Nga njëra anë, bashkësia ndërkombëtare ka arritur prej kohësh në përfundimin se çështja e ishujve Malvine është në thelb një trashëgimi e kolonializmit. Që në vitin 1965, Rezoluta 2065 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e përfshiu qartë këtë çështje në kategorinë e "dekolonizimit" dhe u kërkoi Britanisë dhe Argjentinës që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me anë të negociatave. Vendet në zhvillim, të përfaqësuara nga vendet e Amerikës Latine dhe Kina, kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e tyre për pretendimin e Argjentinës për sovranitet mbi ishujt Malvinr dhe i kanë bërë thirrje Britanisë që të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Në një sfond të tillë, ndryshimi në qëndrimin e BE-së pasqyron respektin dhe mbrojtjen e rezolutave të OKB-së nga bashkësia ndërkombëtare dhe mbështetjen për kërkesën legjitime të Argjentinës për një zgjidhje të negociuar. Kjo është prirja e përgjithshme.

 

Nga ana tjetër, ka edhe arsye praktike për ndryshimin e qëndrimit të BE-së. Samiti CELAC-BE u mbajt tetë vjet më vonë dhe u përshkrua nga pala evropiane si një mundësi për të ringjallur marrëdhëniet dypalëshe. E prekur nga kriza në Ukrainë, BE-ja u përball me mungesën e energjisë dhe kishte nevojë urgjente për të riformësuar modelin e sigurisë energjetike, duke shpresuar të forconte bashkëpunimin me Amerikën Latine në sektorët e burimeve minerare dhe energjisë së përtëritshme. Dhe nëse dëshiron të bashkëpunosh, është shumë e rëndësishme të shprehësh qëndrimin për disa çështje historike.

 

foto: VCG

foto: VCG

Fqinjët evropianë kanë folur dhe Britania nuk mund të vazhdojë të heshtë. Arsyeja pse ajo këmbëngul të vazhdojë të mbajë të pushtuara Malvinet është se këta ishuj janë të pasur me burime peshku e nafte, dhe ruajnë portën e kalimit nga Oqeani Atlantik në Antarktidë, e cila ka një vlerë të madhe strategjike. Megjithatë, britanikët menduan se nëpërmjet luftës së vitit 1982, ata mund t’i mbanin të pushtuar përgjithmonë ishujt Malvine, gjë që është pa dyshim e pamundur. Komisioni për Kufijtë e Shelfit Kontinental i Kombeve të Bashkuara ka përcaktuar prej kohësh se Malvinet ndodhen në ujërat territoriale të Argjentinës. Më 20 qershor, Kombet e Bashkuara mbajtën një mbledhje publike për të shqyrtuar çështjen e ishujve Malvine. Komiteti i Posaçëm për Dekolonizimin i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi edhe një herë një rezolutë, duke u kërkuar Britanisë dhe Argjentinës të rifillojnë negociatat për të zgjidhur mosmarrëveshjen e sovranitetit mbi ishujt Malvine në mënyrë paqësore.

 

Përballë rezolutave të OKB-së dhe thirrjeve gjithnjë e më të forta nga bashkësia ndërkombëtare, Britania duhet të zgjohet nga ëndrra e saj koloniale sa më shpejt të jetë e mundur, të rifillojë dialogun e negociatat me palën argjentinase dhe t’i kthejë ishujt Malvine sa më shpejt. (Zhan Dian/Artan)