Punësimi i të rinjve dhe teknologjia e informacionit
2023-07-21 10:36:20

Zhvillimi i aftësive në teknologjinë e informacionit dhe kodimin është kthyer tashmë në një domosdoshmëri për brezat e rinj edhe në Shqipëri. Falë zhvillimit të qasjes ndaj teknologjisë, format tradicionale të edukimit kërkojnë kohë për të përgatitur të rinj të kualifikuar në fushën e teknologjisë së informacionit.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të zhvilluar një metodë efikase për edukimin dhe profesionalizimin e të rinjve shqiptarë në botën e teknologjisë së informacionit. Një ndër këto masa është nxitja e aftësive koduese për të rinjtë, pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

Programi shtetëror i Kodimit, i cili hapi aplikimet në 23 janar të vitit 2023, implementohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet institucionit zbatues Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit (AKPA). Në kuadër të Programit të Kodimit, për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë dhe që kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të thelluar njohuritë, apo edhe për ata që duan të ndryshojnë orientimin e tyre në karrierë, ofrohen tashmë kurse të zhvillimit profesional, me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare në vlerën 150 mijë lekë për punëkërkuesit, dhe në vlerën 300 mijë lekë për të papunët.

Programi është i hapur për çdokënd nga mosha 16 vjeç e lart, qoftë për nxënës, studentë, të punësuar, apo të papunë dhe nuk kërkon njohuri të mëparshme në fushën që kërkohet të vijohet kursi profesional. 

Deri tani, kurset mundësohen nga katër akademi kodimi me eksperiencë në treg dhe që janë njëkohësisht të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Dritan Mezini, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit(AITA) dhe bashkëthemelues i portalit www.duapune.com. 

CMG: Z. Mezini, përdorimi i dëndur i Teknologjisë së Informacionit, kodimi: sa pranë këtyre aftësive janë të rinjtë tanë sot?

Dritan Mezini: Kjo është pyetje shumë interesante. Unë do ta ndërtoj përgjigjen më shumë në baza krahasimore. 

Përpara disa vitesh, teknologjia e informacionit, shkencat digjitale në tërësi, nuk ishin shumë pranë të rinjve. Këtë e shikonim edhe në nivelin e interesimit të të rinjve, për degët e studimeve universitare të teknologjisë së informacionit. Ky nivel ishte i ulët. Po ashtu, i ulët ishte edhe numri i shkollave jo-formale, për edukimi digjital. Ndërsa në vitet e fundit, ne kemi një rritje të numrit të shkollave jo-formale të edukimit digjital. Kemi po ashtu një lloj konsolidimi të shkollave formale, tradicionale, ku brenda në kurrikulat e tyre ka edhe edukim digjital, si dhe është një kërkesë e jashtëzakonshme nga tregu i punës, për të rinj ose të reja me njohuri në fushën digjitale.

Të gjitha këto pa dyshim që ndihmojnë që të rinjtë tanë ta shikojnë teknologjinë e informacionit si një orientim në karrierën e tyre. E shikojnë si orientim në të gjitha format: qoftë në zgjedhjet e degëve të arsimit të lartë tradicional, qoftë në zgjedhjen e degëve të studimit në arsimin profesional. Po ashtu edhe në formëzimin e tyre, ose në riaftësimin e tyre në shkollat formale dhe jo-formale, siç janë në këto të fundit, akademitë e kodimit dhe të programimit.     

CMG: Mund të flisni më shumë për nismën AKPA, të mbështetjes së të rinjve për aftësimin digjital?

Dritan Mezini: AKPA është Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit. Është një agjenci shtetërore. Unë mendoj që AGPA bëri një lëvizje të mençur. Edhe ata ju futën pikërisht këtij drejtimi. Ata morën përsipër bashkëmbështetjen, ose dhënien e bursave për të rinj, të cilët duan të studjojnë në fushën digjitale.

Kjo është një nismë shumë e mirë. Nga njëra anë, bën evidentimin e operatorëve të mësimdhënies të kurseve të trajnimit, që janë kryesisht operatorë private. Bëri një vlerësim të kurrikulave që ato kanë dhe më pas, u krijoi mundësinë të rinjve të papunë, si dhe atyre që duan të riaftësohen, që të aplikojnë për të marrë bursë. Në shumë raste, AGPA siguron edhe mbështetje të plotë financiare, ose gjysëm mbështetje, në varësi të situatës financiare të aplikantit. 

Mendoj që është një nismë shumë e mirë, e cila i bashkangjitet nismave të tjera dhe do të japë shumë shpejt edhe ajo rezultatet e saj, përsa i përket rritjes së numrit të ekspertëve, specialistëve dhe programuesve të rinj.

CMG: Sa mbështeten nismat e të rinjve në nivel të start-up-eve dhe minikompanive fintech, nga legjislacioni ynë dhe qeveria?

Dritan Mezini: Unë nuk po i shkëpus ndërmarrjet fintech si një drejtim më vete, por i përfshij në nismat e start up-eve. Këto nisma mund t’i kesh në financë, në bujqësi, në turizëm dhe në fusha të tjera. Mund t’i kesh edhe në teknologji.

Tashmë ne kemi një ligj, ligjin për Start Up-et. Kemi një ministri, që është Ministria e Sipërmarrjes. Ligji e bën të detyrueshëm që çdo vit ministria të ofrojë rreth 2-2.5 milionë euro, për të ndihmuar start up-et. 

E krahasuar me periudha të mëparshme, kjo është një shumë e mirë fillestare që hidhet në treg, por jo e mjaftueshme.

Shteti është një operator. Personalisht mendoj se në këtë fushë të mbështetjes së start up-eve, nuk duhet të jenë vetëm nismat qeveritare. Duhet të jenë edhe nismat e vetë sektorit privat. Kompanitë dhe korporatat e mëdha, ose fondet e ndryshme të investimeve. Mund të ndihmojnë edhe organizata të huaja donatore. 

Duhet që të gjithë këta operatorë ta shikojnë drejtimin e start up-eve dhe inovacionit si një drejtim me shumë prioritet, pasi kjo jo vetëm që siguron punësim masiv të të rinjve, por forcon edhe themelet e sipërmarrjes në një vend si i yni. Gjithashtu, ky drejtim i ndjekur e fut vendin në një treg global. Kjo, ngaqë një start up mund të ketë lindje në Shqipëri, por, edhe në koncept, hyn në treg për t’u rritur dhe për të konkurruar edhe në nivel global.

Kështu që mbështetja e start up-eve ka shumë elementë pozitivë. Mjafton që të gjithë operatorët në treg ta shohin me këtë sy dhe të orientojnë investimet në këtë drejtim.       

CMG: Si Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit, si po ecën bashkëpunimi shoqata biznesi-qeveri në këtë fushë?

Dritan Mezini: Ne si sektor, të paktën në këto vitet e fundit, krahasuar dhe me shumë sektorë të tjerë, jemi të favorizuar nga tregu. Çfarë do të thotë kjo? Në kohën e pandemisë së Covid-19, u kuptua se kompanitë, të cilat ishin më të avancuara me zgjidhjet digjitale, me zgjidhjet në fushën e teknologjisë së informacionit, pra kompanitë që kishin investuar në fushën tonë, e përballuan më lehtë krizën.

Si rrjedhojë, u pa e nevojshme dhe u kuptua, qoftë në atë kohë, por është edhe një tendencë që ende vazhdon edhe sot, që investimet në fushën e teknologjisë së informacionit, jo vetëm që janë pararojë, por nga ana tjetër, të krijojnë dhe një stabiliteti në kohë të vështira.

Qeveria i krijoi një mbështetje të veçantë sektorit tonë, për të promovuar zhvillimin e programeve kompjuterike. Gjithnjë mendohet se në këtë fushë është edhe pjesa më inteligjente në proces, siç është  analiza e bizneseve. Trajtimi fiskal favorizues që qeveria dha ishte që të gjitha kompanitë që investojnë në fushën e programimit, kanë një tatim mbi dividentin vetëm 5 përqind. 

Kjo ishte shumë inkurajuese për shumicën e kompanive tona. Ajo që e bën të veçantë këtë mbështetje është se ka shumë kompani në Shqipëri, të cilat po rriten dhe që ofrojnë shërbime jashtë shtetit. 

Marrëdhëniet e deritanishmë me shtetin dhe me operatorët e tij, siç është edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit(AKSHI) janë të mira. Ndoshta edhe ngaqë ne të teknologjisë së informacionit flasim një gjuhë të veçantë, gjuhën e teknologjisë digjitale dhe të protokolleve, gjuhën e zgjidhjeve të problemeve të biznesit. Pra, jo shumë gjuhë politike. Tek ne nuk e politizon dot një veprim. Ose e bën të saktë, ose nuk e bën të saktë.

CMG: Çfarë roli mund dhe duhet të luajë Ministria e Arsimit, për futjen e kurrikulës së kodimit në sistemin tonë arsimor parauniversitar, në gjykimin tuaj?

Dritan Mezini: Kam përshtypjen që ka nisur tashmë një inisiativë e tillë. Nuk jam në dijeni deri në çfarë shkalle është zhvilluar ajo, por di që janë disa nisma që mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe nga AADF, që është Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit. Këto nisma kanë të bëjne jo vetëm me futjen e kurrikulave të kodimit, por edhe të kurrikulave për inteligjencën artificiale. Kam përshtypjen edhe për robotikën. Këto janë disa disiplina, që janë shkenca të avancuara. Me sa di, ky është një projekt pilot, por që pritet që të shpërndahet pothuajse në të gjitha shkollat e vendit. 

Sfida zakonisht, në të tilla raste, nuk qëndron tek kurrikula, por tek edukimi masiv i mësuesve, i trajnerëve. Këtu duhet të jetë edhe çelësi i zgjidhjes, magjia. Pra, cila do të jetë forma më e mirë që ne të edukojmë trajnerët. Të edukojmë mësuesit si trajnerë. Pastaj mësuesit të edukojnë nxënësit me dijet e duhura. Dhe sa më të edukuar të jenë nxënësit, aq edhe më të përshtatshëm janë për tregun.

CMG: Në këtë çelës magjik të zgjidhjes, që ju përmendët, a do të ishit ju gati si shoqatë, që të luanit rolin e trajnuesit të trajnerëve, për mësuesit?

Dritan Mezini: Ne nuk është se nuk e bëjmë. Nuk e bëjmë në mënyrë masive, nuk e bëjmë të organizuar, në sensin që të jetë një projekt, por shumica e kompanive tona janë edhe operatorë të edukimit dhe trajnimit. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që shumica e punonjësve të rinj që vijnë në sistemin tonë, kanë nevojë për trajnim të mëtejshëm. 

Si rrjedhojë, shumë prej kompanive tona kanë krijuar akademitë e tyre. Ne i edukojmë këta të rinj. Një pjesë punojnë për kompaninë e cila i edukon, një pjesë rikthehen në treg, por më të edukuar. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, këta punonjës të edukuar mund të bëhen trajnerë ose të punojnë diku. Por në një projekt sistemik, që të fillojmë nga fillimi deri në fund për edukimin e trajnereve, ne nuk marrim pjesë ende. Mirëpo, nëse gjendet formula e mirë e bashkëpunimit, besoj se nuk do të hezitojmë të marrim pjesë.  

CMG: Ju përmendët inteligjencën artificiale. Më 31 maj, ju folët në një tryezë të rrumbullakët që e trajtonte këtë temë, në një aktivitet rrjetëzues për inteligjencën artificiale në Shqipëri. A mund të kemi që tani aplikime të inteligjencës artificiale në ekonominë tonë?

Dritan Mezini: Tema e inteligjencës artificiale është komplekse. Është jo e vështirë, në kuptimin që ti t’i trembësh. Përkundrazi, ajo që ne duhet të mësojmë sot është që ne duhet të bashkëjetojmë me inteligjencën artificiale. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që nëse ti je një ekspert i mirë në një fushë të caktuar, do të duhet që të njohësh edhe inteligjencën artificiale dhe të ngresh pyetjen: si më ndihmon mua inteligjenca artificiale në punën time?

Fatmirësisht, inteligjenca artificiale është e lehtë në përdorim, nëse ti tregohesh i mençur, në mënyrën se si e kërkon informacionin që ti do prej asaj. Kjo ka një parakusht, që ti duhet të dish çfarë të kërkosh. Të dish edhe formën se si ta kërkosh. Në atë moment, ti mund edhe të marrësh përgjigjen e duhur dhe duhet të dish se si ta verifikosh atë informacion që ti merr.  

Kjo kohë, e krahasuar me kohën që ti do të shpenzoje për ta krijuar atë përmbajtje që ta dha inteligjenca artificiale, është shumë më e shkurtër. Pra, është shumë më mirë që ti të verifikosh diçka në përgjigjen që ke marrë nga inteligjenca artificiale nga stoku i dijes globale.

Konferenca ku fola në datën 31 maj, lindi si nevojë e tregut. Ne kemi një grup në what’s app, që e quajmë “Innovate Albania”, kemi dhe një grup “DG Diaspora”, ku janë me qindra ekspertë. Ne vazhdimisht bëjmë diskutime në këto grupe, lidhur me inteligjencën artificiale. Në një moment, ne organizatorëve te grupeve, na lindi një mendim: përse mos të bëjmë një tryezë të rrumbullakët, me disa përfaqësues të sektorit, për të diskutuar temën :A është inteligjenca artificiale(IA) një mundësi, apo një kërcënim?

Mendimet janë nga më të ndryshmet. Edhe brenda nesh, disa i tremben. Thonë se IA do të bëhet rrezik në të ardhmen, kur të bëhet më inteligjente se vetë njerëzit. Është dhe kjo mundësi, që të bëhet tej inteligjente dhe të tejkalojë edhe dijen njerëzore.

Fatmirësisht, në nivelin tonë si ekspertë, ne gjykuam që inteligjenca artificiale është një mundësi dhe duhet ta trajtojmë si të tillë. Ne po jetojmë në kohën e revolucionit të katërt industrial, ku inteligjenca artificiale ka filluar dhe do të vazhdojë që të jetë pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Dhe do të këshilloja këdo që na dëgjon e sheh, që të fillojnë ta përdorin inteligjencën artificiale. Të mos hezitojnë. Sepse është vetëm çështje kohe, kur ne do të duhet të trokasim tek dera e saj.

CMG: Shumë shpejt në Tiranë do të hapet edhe Qendra e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në Tiranë, tek Piramida. Rreth 4 mijë të rinj do të jenë atje, duke marrë njohuritë e domosdoshme të teknologjisë së informacionit, kodimit dhe programimit. Përse jo, edhe njohuritë e para mbi inteligjencën artificiale. Jeni optimist? 

Dritan Mezini: Pa dyshim. Ndaj çdo inisiative të këtij lloji duhet të jemi optimistë. Kjo do të thotë që ke filluar ta mendosh, ta krijosh idenë mbi botën digjitale. Ke bërë hapat e parë. Do të duhet që ti ta ndjekësh dhe, pse jo, të jesh edhe pjesë aktive në këtë proces. 

Ne po flasim për një konvertim të një piramide në një qendër të avancuar të edukimit digjital për të rinjtë. Vetëm fakti që kjo strukturë është menduar e tillë, të bën optimist. Ajo do të jetë, duke e krahasuar me brezin tonë, si Shtëpia e Pionierit e teknologjisë së informacionit, e start up-ve, e inovacionit, ku njerëzit do të shkojnë me shumë kënaqësi.

Ne tashmë e kemi një eksperiencë me TUMO-n. TUMO është një inisitativë shumë e mirë. Ata janë për momentin tek stadiumi i ri. Janë rreth një mijë të rinj të rregjistruar tek TUMO, nga mosha 12-18 vjeç, të cilët mësojnë disa lëndë bazë digjitale. Mendoj se tek Ish-Piramida do të jetë TUMO sërisht, por do të ketë dhe shumë klasa të tjera, të cilat do të aftësojnë të rinjtë. Edhe vetë fakti që ata shkojnë në një mjedis të përbashkët, shkëmbejnë informacion, dëgjohen dhe shikohen, është shumë edukativ dhe rritës. Jam shumë optimist dhe mezi po pres nisjen e punës së kësaj qendre.      

Intervistoi Fatos Çoçoli