Si ekonomia e dytë e madhe në botë, Kina ka bërë përpjekjet që i takojnë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e gjelbër, me shpresën e përshtatjes së mjedisit ekologjik me cilësi të lartë me zhvillimin me cilësi të lartë të vendit.
Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh në konferencën kombëtare për mbrojtjen e mjedisit ekologjik të zhvilluar nga e hëna deri të martën se 5 vjetët e ardhshëm janë periudha kyçe për ndërtimin e Kinës së bukur.
Qeveria duhet ta përkrahë zhvillimin me cilësi të lartë me një mjedis ekologjik me cilësi të lartë dhe të promovojë modernizimin me harmoni ndërmjet njeriut e natyrës, u shpreh ai, duke vlerësuar ndryshimet historike e gjithëpërfshirëse që ka bërë Kina në këtë fushë përgjatë viteve.
Xi Jinping-u vuri në dukje në konferencë se ekonomia e shoqëria kineze kanë hyrë në etapën e zhvillimit me cilësi të lartë me rritje të gjelbër e me karbon të ulët dhe bëri thirrje për promovimin e mbrojtjes së mjedisit ekologjik nga një perspektivë më e gjerë dhe me përpjekje më të fuqishme.
Në librin e bardhë “Zhvillimi i gjelbër i Kinës në epokën e re” të publikuar këtë vit nga Këshilli i Shtetit i Kinës, vihet në dukje se "e gjelbra" është një tipar përcaktues i Kinës në epokën e re dhe se zhvillimi i gjelbër është pjesë e modernizimit kinez.
Në dekadën e kaluar, qeveria kineze ka investuar mbi 100 miliardë juanë (rreth 13.93 miliardë dollarë) në ndërtimin e infrastrukturës mjedisore. Nga viti 2016 deri më 2019, qeveria dha edhe rreth 200 miliardë juanë kompensime për mbrojtjen e mjedisit.
Foto nga VCG
Kina i ka konsideruar risitë si forcën drejtuese të zhvillimit ekonomik për të promovuar rritjen ekonomike të gjelbër e me cilësi të lartë.
Sot Kina është vendi më i madh prodhues i pajisjeve të ernergjisë së pastër në botë. Në vitin 2021, vëllimi i prodhimit të sektorit të mbrojtjes së mjedisit të Kinës i kaloi 1.13 trilionë dollarët.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Industrisë së Automjeteve të Kinës, në vitin 2022, shitjet e automjeteve me energji të re të Kinës arritën në 68.9 milionë, 93.4 % më shumë në krahasim me vitin 2021 dhe duke zënë vendin e parë në botë për 8 vjet rresht.
Në sfondin global, zhvillimi i gjelbër dhe me karbon të ulët i Kinës ka dhënë kontribut real për përballimin e ndryshimit të klimës.
Në vitin 2020, Kina paraqiti objektivat për arritjen e lëshimit të kulmit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit brenda vitit 2060.
“Në dekadën e fundit, ekonomia kineze është rritur mesatarisht 6 % në vit, ndërsa konsumi i energjisë është shtuar mesatarisht 3 % në vit,” u shpreh ministri i Mbrojtjes Ekologjike i Kinës Huang Runqiu në konferencën kombëtare për mbrojtjen e mjedisit ekologjik.
Sipas tij, Kina është bërë vendi me përmirësimin më të shpejtë të cilësisë atmosferike dhe lëshimi i dyoksidit të karbonit në Kinë për njësi të PBB-së u ul rreth 35 % në dekadën e kaluar. (Fani)