Foto nga VCG
Kur kompozitori italian Andrea Granitzio mësoi për herë të parë për legjendën kineze të Liang Shanbo dhe Zhu Yingtai nga këngëtarja lirike Wang Beibei, në vitin 2016, ai u frymëzua nga historia epike e dashurisë. Shtatë vjet më vonë, në bashkëpunim me Wang, Granitzio ka krijuar operën e parë në gjuhën italiane për legjendën kineze dhe po pret me padurim një mundësi për ta vënë shfaqjen dyorëshe në skenë.
Në prill, një fragment katër minutash nga opera u interpretua në një event në pavijonin kinez në “Garden Wisley” të Shoqatës Mbretërore të Hortikulturës, në Surrey.
“Legjenda kineze është e ngjashme me Romeon dhe Zhulietën, por u jep njerëzve diçka më shumë, sepse, në fund të tregimit, dy personazhet kthehen në flutura, që simbolizon shpresën brenda një tragjedie. Jam i sigurt se nëse kompozitori i madh italian Puccinido ta kishte njohur këtë histori, ai do të kishte shkruar një opera për të. Ajo ka të gjithë elementët e përsosur të një historie”,- tha Granitzio pas performancës.
Në mars, Wang udhëtoi në vendlindjen e Granitzios, Cagliari, kryeqendra e ishullit italian të Sardenjës, dhe regjistroi një demo të operës me Granitzio dhe Giovanni Pasini, dirigjent dhe një mik i vjetër i Granitzios.
“Kur Granitzio më tregoi për këtë histori, u habita që askush nuk e bëri më parë, sepse historia është kaq e fuqishme dhe e famshme në Kinë. Mendoj se kjo histori e thellë dhe emocionale e meriton këtë lloj trajtimi muzikor”,- tha Pasini, i cili luajti violën në demo.
Një legjendë e njohur në Kinë, historia e dashurisë ka frymëzuar interpretime të shumta artistike, duke përfshirë opera tradicionale, kërcime dhe filma. Ideja për të shkruar një operë italiane për të lindi natyrshëm, pasi Wang bisedoi me Granitzio për planet e tyre të ardhshme pas një koncerti në Londër në vitin 2016. Në atë kohë, Granitzio sapo ishte kthyer në Evropë pasi vizitoi Konservatorin e Sichuan, në qytetin jugperëndimor të Kinës, Chengdu, ku u zhyt në kulturën kineze dhe muzikën tradicionale. Wang, e cila studioi opera në Milano në vitet 2009-2011 dhe ndoqi Konservatorin Mbretëror të Birminghamit dhe Kolegjin Mbretëror të Muzikës, në atë kohë kishte filluar të performonte në mënyrë aktive në Britani. Wang kujton se Granitzio ishte i interesuar rreth muzikës kineze, kështu që ajo e inkurajoi të shkruante një opera.
“Ai ishte pak hezitues në fillim, sepse shkrimi i një opere është një projekt i madh, por unë vazhdova ta inkurajoja atë”,- tha Wang. Procesi i krijimit ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Wang fillimisht i dërgoi Granitzios një shkrim në gjuhën angleze të një opere ekzistuese kineze të bazuar në legjendë, më pas Granitzio bëri një përkthim në italisht dhe shkroi një libret origjinale, pasi studioi nuancat e versioneve të ndryshme të tregimit.
“Është një projekt ndërkulturor, kështu që ka raste kur më duhet të shpjegoj hollësitë e shumë shprehjeve kineze, në mënyrë që ato të mund të përkthehen më së miri në italisht”,- tha Wang.
Në vitin 2019, Granitzio filloi të kompozonte arie dhe intermezzo për operën. Kur mbaronte një pjesë në Itali, ai ia dërgonte partiturat Wang në Londër, në mënyrë që ajo të mund të provonte t'i këndonte ato dhe ata më pas diskutonin për rishikimet.
“Versioni i parë i intermezzo-ve dukej shumë perëndimor, kështu që unë sugjerova që Granitzio të përpiqej të shtonte më shumë elementë kinezë, të tillë si shkalla pentatonike, e cila përdoret gjerësisht në muzikën kineze. Tani, kur dëgjoni intermezzo-t, kuptohet ndikimi i saj kinez”,- deklaroi Wang.
Pjesa më e madhe e operës u realizua gjatë pandemisë dhe u shkrua për të përfshirë instrumente tradicionale kineze, të tilla si guzheng (harpë kineze), erhu (instrument me hark me dy tela) dhe xiao (fyell bambuje).
“Ka shumë ura midis Italisë dhe Kinës. Vetëm mendoni për Marco Polo-n dhe Rrugën e Mëndafshit. Qëllimi i kësaj opere është të ndërtojë përsëri një urë përmes kulturës mes dy vendeve shumë të largëta. Kur përdorni muzikën si gjuhë universale, është shumë e lehtë të flasësh, edhe nëse njëra është kineze dhe tjetra italiane”,- tha Granitzio.