
CFP
Pas vendimit shumë të kritikuar të Rusisë për të mos rinovuar një marrëveshje ndërkombëtare që mundëson eksportin e grurit nga Ukraina, Kremlini ka paralajmëruar shtetet e tjera pjesëmarrëse që të mos përpiqen të zbatojnë vetë marrëveshjen, shkruan “ATSH”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se çdo përpjekje për të vazhduar marrëveshjen e grurit pa pjesëmarrjen e Rusisë do të çojë në rreziqe sepse korridori i grurit është afër zonës së luftimit në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022 e bëri pothuajse të pamundur eksportin e grurit nga rajoni nëpërmjet Detit të Zi, derisa u lidh marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja në korrik të vitit të kaluar. Marrëveshja skadoi të hënën dhe Rusia nuk e rinovoi.
“Aty shfaqen rreziqe të caktuara pa garancitë përkatëse të sigurisë. Prandaj, nëse diçka zyrtarizohet pa Rusinë, këto rreziqe duhet të adresohen”,- tha Peskov.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që eksportet e ushqimeve të vazhdojnë edhe pa miratimin rus. (Elona)
