Foto nga VCG
Eni Nasi ka një dëshirë të pafundme për të lexuar, ndërsa një pasion i përjetshëm i saj mbeten udhëtimet. Ajo ka vizituar 38 vende të botës ndërsa lista do të vijojë edhe me vende të tjera. Eni ka shumë vite eksperiencë në mësimdhënie në fushën e ekonomisë dhe marketingut, njëherësh është autore e disa punimeve kërkimore shkencore. Në një rrëfim për Radio Ejani, ajo tregon eksperincën si pedagoge, marrëdhënien me librin dhe dëshirat për të vizituar edhe më shumë vende në botë.
CMG: Në çdo bisedë i “vendosim” të ftuarit përballë një pasqyre dhe ata flasin për veten e tyre. Kush është Eni Nasi për ata që nuk e njohin ende?
Eni Nasi: Nëse do bëja një përshkrim shumë të shkurtër krahasuar më atë që kam thënë edhe në media gjatë këtyre viteve për të prezantuar veten, e cilësoj veten pedagoge, pasi si e tillë ndjej që kryej rolin më të rëndësishëm.
Unë kam qenë e re kur kam nisur punën si pedagoge dhe pavarësisht moshës arrita që t’ia dal. Ndërsa koha kalonte, çdo gjë bëhej edhe më e bukur në jetën time.
Synimi im ka qenë që të fokusohesha në marketing dhe të krijoja një profil shumë të rëndësishëm, i cili në një formë apo në një tjetër do të më shërbente në të ardhmen time.
Sot jam duke bërë studimet doktorale dhe e ndjej që kam bërë zgjedhjen e duhur. Nëse do kthehesha pak më pas në kohë, prindërit më kanë udhëzuar drejt financës si degë sepse kanë dashur që të kem më tepër përfitime monetare, por sot që kam ndjekur ëndrrën time them që kam bërë gjënë e duhur.
Arrij të kuptoj që çdo vendim duhet të jetë personal në lidhje me karrieren pasi kjo gjë vjen edhe si trysni e prindërve edhe tek studentët.
CMG: A ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj në karrierë?
Eni Nasi: Jeta nuk është kurrë një fushë e madhe me lule, por ka gjithmonë momente jo të mira për të cilat ne na duhet që të përshtatemi dhe të themi që duhet t’ia dalim, pavarësisht rrethanave të caktuara.
Edhe për mua kështu ka qenë. Unë kam pasur shumë momente të vështira në karrieren time, sidomos kur duhet të vendosja ndërmjet degës së studimeve ishte një dilemë shumë e madhe për të cilën përgjegjës ishin disa faktorë. Unë deri diku e dija se çfarë doja të bëja në jetë, por nuk isha fort e sigurtë.
Kisha një ndërthurje emocionesh, më ka pëlqyer gjithmonë letërsia, arti kultura por edhe ekonomia, marketing, si paralele të cilat i kam pasur prezente gjithmone në jetën time.
CMG: Ju keni pasur dhe vijoni të keni një pasion të madh për leximin, kur ka lindur ky pasion?
Eni Nasi: Këtë gjë nuk di ta them, pasi librat kur kam qenë edhe më e vogël gjithmonë mi kanë lexuar dhe në këtë formë nuk më kujtohet libri im i parë.
Mbaj mend që më lexonin “Tregimet e motshme shqiptare” nga Mitrush Kuteli. Edhe sot nëse e lexoj marr të njejtin emocion të atyre viteve, kur dëgjoja çdo histori me kuriozitetin e një fëmije. Si fëmijë kam dashur shumë të lexoj libra dhe mendoj që dashuria për këta të fundit është gdhendur që në fëmijërinë time.
CMG: A do të donit të ktheni edhe njëherë fëmijërinë?
Eni Nasi: Mendoj që të gjithe do të donin. Sot që vështroj jetën dhe shoh se çfarë ka ndodhur patjeter do të doja që edhe njëherë të isha një fëmijë i vogël, pa shumë preokupime, të cilat me marrin kohë tani që jam rritur.
CMG: Kur keni filluar të lexoni libra për të rritur?
Eni Nasi: Unë kam nisur të lexoj libra për të rritur kur fillova të ndihem më e pjekur. Në moshën 10 vjeçare edhe pak më tepër. Nisa të krijoj një lloj preference për gjininë që më pëlqen të lëxoj, pasi kështu ndërtohet shija në lexim.
CMG: A preferoni që të sugjeroni libra?
Eni Nasi: Po parapëlqej që edhe sot që jam e rritur e bëj këtë gjë me studentët e mi dhe përpiqem të kuptoj çfarë ata kanë preferencë, çfarë ju mungon në këto shije, çfarë duan të zbulojnë, por mbi të gjitha i nxis të lexojnë. Nuk ka asgjë më të fortë se marrëdhënia e një lexuesi me librin.
CMG:Çfarë do rekomandonit për lexuesin gjatë sezonit të verës?
Eni Nasi: Tregime të lehta do ishte ideale, pasi tregimet nuk të lodhin, janë të shkurtër, çka të ndihmon tqë herë pas here të shkëputesh nga rutina dhe të rikthehesh lehtë në libër dhe lexim. Autori që unë preferoj shumë në lexime është Dino Buzzati, apo edhe Gabriel García Márquez, pavarësisht se mbahet për romane shumë të mira ky autor ka edhe tregime të shkurtër dhe të bukura.
CMG: Kujt do t’ia dedikonit këtë sukses?
Eni Nasi: Marrëdhënia prind-fëmijë është tepër e rëndësishme dhe një sukses të madh unë ua dedikoj atyre dhe përpiqem që këtë ta them kudo ku flas për sukseset e mia, pasi pas tyre fshihet një grup njerëzish të cilët më kanë ndihmuar të arrij pikësynimet e jetës sime.
Fati im më i madh në jetë ka qenë që unë jam rritur nga gjyshi dhe gjyshja nga ana e babait im dhe të rritesh më gjyshër është një fat shumë i madh pasi ata të japin shumë dashuri por tek unë përveç dashurisë kultivuan edhe vlera të tjera dhe një ndër këto vlera shumë të mëdha është edhe leximi.
CMG: Për çfarë ju merr më teper malli në jetë?
Eni Nasi: Më merr malli shumë për motrën time. Ajo aktualisht është në Francë, por ikjen e saj unë nuk e pranova dhe nuk kam për ta pranuar kurrë. Jetoj çdo ditë sikur ajo është këtu më mua, çdo hap dhe çdo vendim që marr apo çdo gjë që bëj në jetën time një sy dhe një vesh e kam tek motra ime.
Kemi një lidhje shumë të ngushtë dhe kur ajo iku nga Shqipëria tek unë ka lënë një mërzitje shumë të madhe, për të cilën unë edhe sot kur e kujtoj përlotem sepse nuk ka asgjë dhe nuk është askush që mund të ma zëvëndësojë dashurinë e motrës sime.
Kemi pasur një marrëdhënie komplekse, pasi unë kam marrë edhe role të tjera tek motra. Më merr shumë malli!
CMG: Keni një pasion të madh për të udhëtuar, si është ndërtuar ky pasion ?
Eni Nasi: Unë jam natyrë që dëshiroj shumë të bëj gjëra të ndryshme në jetën time dhe monotonia është vrasëse për mua. Ndaj kam gjetur udhëtimin si formën më të mirë për te shprehur ndjesitë apo për të kuptuar botën dhe kultura të reja. Çdo vend që unë shkoj është një mundësi shumë e mirë për të kuptuar natyra të bukura njerezore dhe se sa e madhe dhe e bekuar është bota. Ndërsa një gjë që më pëlqen dhe e mbaj gjithmonë me vete është libri.
Unë kudo ku shkoj përveçse udhëtoj, edhe lexoj.
Tani jam ende në kërkim të vendeve të tjera për t’i prekur dhe për të udhëtuar tek to me njerëzit e mi të preferuar.
CMG: Cili është mesazhi apo forma më e mirë që ju motivon?
Eni Nasi: Vetes i them shpesh, bëji gjërat e tua njësoj siç i ke bërë deri tani.
Intervistoi: Megi Latifi