Zjarret detyrojnë evakuimet pranë Athinës
2023-07-19 14:53:01

CFP

CFP

Zjarrfikësit grekë luftuan me zjarret pranë Kouvaras, një vendbanim rreth 30 km në juglindje të Athinës, si dhe në afërsi të vendpushimit bregdetar të Loutraki, rreth 80 km në jugperëndim të kryeqytetit helen.

Nuk raportohet për të lënduar, por flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Të paktën pesë vendbanime, së bashku me një numër resortesh të njohura bregdetare, në rajonin administrativ juglindor të Atikës, duhej të evakuoheshin.

Policia prangosi një person të paidentifikuar nën dyshimin për zjarrvënie, njoftoi agjencia kombëtare greke e lajmeve “AMNA”, citon “Xinhua”.

Të paktën 210 zjarrfikës të ndihmuar nga 10 avionë dhe gjashtë helikopterë po përpiqeshin për orë të tëra të kontrollonin zjarrin 12 km në Atikën juglindore.

Pranë Lutrakit, u vendos një ekip tjetër prej mbi 300 zjarrfikësve të ndihmuar nga helikopterë dhe aeroplanë. Megjithatë, përpjekjet e tyre u penguan nga erërat e forta.

Gjithsej 81 zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë që nga e diela, por katër vatra ishin më sfidueset për forcat zjarrfikëse, deklaroi zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Ionannis Artopoios.

Zjarret e para të mëdha që shpërthyen pranë Athinës këtë verë erdhën pas valës së parë të të nxehtit të sezonit. Meteorologët kanë paralajmëruar se kushtet e motit pritet të mbeten të vështira.

Erëra të forta dhe një valë e dytë e të nxehtit parashikohen në fund të kësaj jave. (Irma)