Albergo Diffuso për herë të parë në Shqipëri
2023-07-19 11:08:48

Albergo Diffuso është një nismë e ndërmarrë së fundi edhe në Shqipëri. Një model interesant dhe i vlefshëm për turistët dhe komunitetin ka nisur të zbatohet edhe nga sipërmarrës në fushën e hoteleri-turizmit në Shqipëri. Në një intervistë për Radio Ejani  Olsi Pengili, themeluesi i Albergo Diffuso në Krujë dhe platformës Visit Kruja tregon më shumë për këtë nismë tashmë të finalizuar me sukses.

“Ideja per te hapur nje aktivitet ne Kalanë e Krujës ka qenë e hershme, rreth 10 vite më parë , gjatë angazhimit tim në rivitalizimin e Hamamit të Krujës , nga CHWB (Culture Heritage With Borders).  Kjo ka qenë periudha që unë kam filluar të  angazhohem me projektet e turizmit dhe trashëgimise kulturore. Me angazhimin tim gjatë këtij projekti  është thelluar dhe zhvilluar më tej koncepti dhe ideja mbi realizimin e një aktiviteti në Kalanë e Krujës, si një nga zonat më strategjike jo vetëm për Krujën, por edhe Shqipërinë.  Në vazhdimësi të ndjekjes së vizionit tim , në vitin 2016 kam realizuar një investim në zonën e Kalasë së Krujës, duke blerë një nga shtëpitë e lagjes së banuar brenda saj, me idenë për ta përshtatur  si bujtinë për turistët.”

Olsi Pengili tregon se si arriti në gjurmët e modelit Albergo Diffuso.

“Përsa i përket modelit Alberghi Diffusi  jam njohur në vitin  2020  nga Mirtjon  Mita (Tourism Project Manager prane RISI Albania) gjatë një bashkëpunimi që sapo kishim  nisur mbi zhvillimin e projekteve të turizmit në qytetin e Krujës. Janë  nevojitur rreth 3 vite pune intensive në bashkëpunim të ngushtë me projektin RISI Albania, për ta implementuar këtë model inovativ për turizmin në Shqipëri, në zonën e Kalasë së Krujës. Procesi ka konsistuar  që nga realizimi i vlerësimit të zonës, përzgjedhja e shtëpive dhe partnerëve vendorë që do të ishin pjesë e Kruja Albergo Diffuso, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me pronarët e shtëpive , realizimi i projekteve arkitekturore , restaurimi dhe arredimi i tyre  deri në trajnimin e aktorëve të ndryshëm lokalë, si guida turistike, artizanë etj.  Nje kontribut të vyer në realizimin e këtij projekti ka dhënë edhe Ministria e Kulturës, nëpërmjet zbatimit të programit të saj  “Bonusi i Rijetësimit”, që konsiston në mbështetjen e restaurimit dhe rivitalizimit të shtëpive me anë të granteve.”- shpjegon më tej Pengili.

Me anë të këtij projekti ofrohen vizita pranë shtëpive autentike mbi 100 vjeçare.

“Ajo që e bën më të vecçantë Kruja Albergo Diffuso , qëndron në faktin e  implementimit të një modeli inovativ të turizmit në Shqipëri, siç është Albergo Diffuso dhe fakti që jemi të parët në Shqipëri , për ne është  privilegj  dhe sfidë në të njejtën  kohë. Oferta e Kruja Albergo Diffuso konsiston në akomodimin pranë shtëpive autentike dhe qindravjeçare të Kalasë së Krujës , përjetimin e eksperiencave të ndryshme nga artizanë të zonës (Realizimi i qeleshes, Punimi i qilimit në tezgjah ), Cooking Class me gatime tradicionale nga zonjat e kalasë së Krujës , apo ofrimi dhe degustimi i kafesë së pjekur  si në kohët e hershme etj. Gjithashtu një pikë e fortë e Kruja Albergo Diffuso do te jete edhe ofrimi i tureve të ndryshme në kulinari dhe agroturizëm si Wine and Olive Oil Testing , tureve në natyrë (Hiking , Bike tours etj) , tureve kulturore (Kurse në pikturë dhe muzikë) dhe tureve rajonale që zgjasin 2-3 ditë.  Kjo do të mundësojë zgjatjen e kohëqëndrimit të turistëve në Krujë  dhe përjetimin e një eksperience sa më të plotë dhe të pasur nga qyteti i Krujës. Kruja Albergo Diffuso do të operojë si një tur operator lokal, duke ofruar edhe shërbime të tjera të domosdoshme për turistët  si ofrimin e guidave turistike, shërbimin taksi , makina me qira etj .”

Nisur nga interesi i turistëve, Kruja ofron guida të pasura.

“Kruja ka një potencial të madh në fushën e turizmit dhe është qyteti më i vizituar në  Shqipëri , me rreth 300-mijë vizitorë në vit. Dy nga pikat strategjike në favor të  zhvillimit të turizmit  janë  pjesa historike, si kryeqendra e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmane me në krye heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu  dhe pozita  gjeografike, e cila ndodhet vetëm 32 km nga kryeqyteti i Shqipërisë (Tirana), 17 km nga Aeroporti  Ndërkombëtar i Tiranës dhe 34 km nga Porti Kryesor i Shqipërisë (Porti i Durrësit). Kruja mundëson një ofertë të pasur dhe e larmishme përsa i përket paketës turistike : Turizmin  Historik  nëpërmjet vizitave në Muzeun Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” dhe Muzeu Etnografik, dy nga muzetë më të vizituara në Shqipëri, Turizmin e Trashëgimisë kulturore, nëpërmjet Pazarit karakteristik më të vjetër  në Shqipëri, si qendra e artizanatit  dhe antikuareve në Shqipëri. Turizmin e Natyrës  , nëpërmjet Parkut Kombëtar të Qafështamës, si një nga parqet më të bukura në Shqipëri Gjithashtu natyra e Krujës është e pasur me male, kanione, liqene etj, që përbëjnë një potencial shumë të madh për zhvillimin e turizmit të natyrës dhe aventurës në zonën e Krujës. Turizmin  Religjioz , nëpërmjet një numri të lartë të objekteve historike të kultit , si kisha , xhami dhe teqe. Një nga destinacionet e shumë vizituara është edhe Teqeja e Sarisalltikut në malin e Krujës , që eshtë një vend peligrinazhi për qytetarë nga gjithë Shqipëria. Agroturizmi është një potencial tjetër për zhvillimin e turizmit në qytetin e Krujës. Agroturizmi është në hapat e parë të zhvillimit dhe do të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në zonën e Krujës  dhe ofrimin e produkteve lokale turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin e Krujës. Relievi dhe klima e zonës së Krujës mundëson më së miri zhvillimin e agroturizmit.”

Vizitorët që kanë interes për të parë nga afër Krujën janë nga shtete të ndryshme.

“Vizitorët në qytetin e Krujës janë të shumtë dhe të larmishëm nga vende të ndryshme të botës.  Por vizitorët më të shumtë vijnë kryesisht  nga Evropa, si polakë , spanjollë , gjermanë , italianë etj.  Numrin më të lartë e zenë turistët polakë dhe spanjollë . Gjate 6-mujorit të parë të vitit 2023 , Muzeu Historik  Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si një nga muzetë më të vizituara në Shqipëri  është frekuentuar nga 35 mijë vizitorë vendas e të huaj. Vetëm gjatë muajit qershor Muzeu Historik  Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është vizituar nga 12-mijë vizitorë . Sipas statistikave të këtij viti kemi një rritje të numrit të vizitorëve aziatikë , nga Kina , Japonia dhe Indonezia , numër që do të vijë në rritje edhe me largimin e efekteve të pandemisë.”

Guidat janë të lidhura edhe me destinacione të tjera turistike jo shumë larg Krujës.

“Edhe ture rajonale në bashkëpunim me tur operatorë të tjerë dhe aktorëve të ndryshëm . Ndër to mund të përmendim turet 1ditore :Kepi i Rodonit-Kisha e Skënderbeut-Gjiri i Lalëzit-Kantina Duka, Kalaja e Krujës-Barkanesh-Buran-Qinam-Pinar  (Tur me biçikletë ) Kalaja e Krujës – Rruga Lekë Zaharia - Liqeni i Bovillës. Ndërsa në turet 2-3 ditore kemi përfshirë këto ture :Kruja –Liqeni i Komanit-Kosovë  ;Kruja – Virpazar – Kruja dhe turi Kruja – Ohër   - Kruja.”

Pavarësisht zhvillimit ende ka vend  për të përmirësuar turizmin në Krujë. Sfidë është shtimi i kapaciteteve akomoduese, si dhe duhet një hartë e mirëfilltë turistike.

“Dy nga pikat e dobëta të turizmit në qytetin e Krujës janë numri i vogël i kapaciteteve akomoduese  dhe mungesa e tur operatorëve dhe paketave turistike lokale, të cilat bëjnë   që kohëqëndrimi i turistëve në zonë të jetë i pakët  dhe për momentin Kruja të  identifikohet  si një destinacion gjysëm ditore. Gjatë vitit 2019  me zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe rritjen e numrit të vizitorëve , pati një interes të lartë nga biznese dhe banorë të zonës së Krujës , për të investuar në struktura akomoduese. Ky proces u ndërpre për shkak të pandemisë Covid 19 dhe pas saj kemi një rritje të investimeve në struktura akomoduese. Gjate viteve 2022-2023  janë hapur dhe jane në proces më shumë se 10 struktura akomoduese. Gjithashtu kemi edhe një interes të të rinjve lokalë për të ushtruar rolin e guidës turistike dhe për të ofruar  ture të ndryshme nga qyteti i Krujës. Përsa i përket promovimit ka nevojë për më shumë . Pas realizmit të sinjalistikës turistike me ndihmën e AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim)  , Krujës për momentin i mungon një hartë turistike e mirëfilltë , që ka qenë një nga projektet e mia të para, gjatë kohës qe kam menaxhuar Zyrën e Informacionit për turistët (KrujaInfopoint) . Eshtë bërë një punë e mirë në ketë drejtim me mbledhjen e një databaze mbi destinacionet , ofertën turistike dhe subjektet që operojnë në fushën e turizmit  dhe urojmë që me bashkëpunimin e partnerëve tanë ta nxjerrim shumë shpejt  në treg një produkt cilësor që aq shumë i nevojitet qytetit të Krujës. “

Turizmi në këtë qytet është i shtrirë në muaj të ndryshëm të vitit.

“Kruja, ndryshe nga qytetet e tjera ka një turizëm gjithëvjetor, por fluksi më i lartë i  turistëve  është gjate muajve  Maj – Tetor . Normalisht numri i turistëve është në rritje  cdo vit. Në Muzeun Historik  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” , gjatë 6-mujorit të parë të  këtij viti kemi një rritje të numrit të vizitorëve me 60% , krahasuar me të njejtën periudhë  të një viti më parë. Si rrjedhojë e punës të mirë dhe të konsoliduar të tur operatorëve  kombëtarë  në drejtim të shitjes së Shqipërisë si destinacion turistik  dhe promovimit që i  është bërë Shqipërisë në revistat prestigjoze si “The Gurdian” dhe “Washington Post”  , numri i vizitorëve të huaj do të vijë gjithmonë në rritje dhe pritet një bum vizitorësh për vitet në vazhdim. Sfida e radhës për turizmin në Shqipëri  është zhvillimi i një turizmi të qendrueshëm , i cili zhvillohet në harmoni me natyrën dhe trashëgiminë tonë  kulturore dhe investimi drejt “cilësisë së vizitorëve dhe jo numrit të tyre .”- tha Pengili