Arens Ibrahimi: Brezi i ri të jetë më dashamirës ndaj artit
2023-07-19 11:04:50

Arti në fushën e skulpturës është një  rrugëtim që kërkon sakrificë personale mbi studimin, kërkon shumë orë nga jeta personale, kërkon edhe mbështetje, sepse të investosh për një artist nuk është e lehtë sot, por është një rrugëtim i cili të mëson shumë ku çdo orë, minutë, skicë dhe skulpturë ia vlen. Kështu u shpreh skulptori i ri Arens Ibrahimi, i cili pas përfundimit të Universitertit të Arteve në Tiranë synon të ndjekë akademinë e njohur të arteve “Brera” në Milano të Italisë.

CMG: Si ka lindur pasioni juaj për skulpturën?

Arens Ibrahimi: Pasioni për skulpturën ka nisur që në vogëli, më saktë për pjesën e artit, atëherë kur çdo fëmijë fillon dhe vizaton dhe ato janë shenjat e para, dhe më vonë në një moshë më të pjekur fillova ta kuptoj që kjo pjesë është për mua. Kështu që e kam nisur te Liceu i Durrësit dhe më pas vazhdova në Universitetin e Arteve, të cilin e kam përfunduar tashmë. Ky ka qenë pak a shumë rrugëtimi im profesional.



CMG: Zgjedhja për të studiuar në degën e skulpturës ishte e juaja apo kishe shtytje dhe nga familja?

Arens Ibrahimi: Pasioni për artet ka qenë si fillim shtysë nga familja, pasi unë isha tepër i vogël për ta kuptuar atëherë, por ata shihnin diçka që unë i përkisja kësaj bote dhe mund të arrija diçka me artet. Këtë gjë e vlerësoj vërtet. Në lice janë dy degë që zgjidhen në vitin e parë si fillim dhe unë zgjodha skulpturën.

CMG: Pas përfundimeve të studimeve bachelor në Universitetin e Arteve mendoni të vijoni me studimet master këtu apo jashtë vendit?

Arens Ibrahimi: Për momentin dëshira ime është të filloj masterin jashtë vendit dhe jam në procedurë e sipër, ku shpresoj të arrij atë qëllim që kam nisur. Gjithashtu edhe nëse mundem ta përfundoj ciklin tim artistik studimor në Akademinë e Arteve në Tiranë jam plotësisht i kënaqur, sepse kudo që të jem do të jap më të mirën nga vetja ime.

CMG: Në cilin shtet mendon të vijosh studimet master?

Arens Ibrahimi: Mendoj se që nga pjesa e kulturës dhe e gjitha është Italia dhe akademia “Brera” në Milano, e cila ka peshë ndërkombëtare dhe ka goxha influencë të rrymave të jashtme apo moderne, gjithashtu dhe të artit klasik. Pra, është një akademi e kompletuar.

CMG: Flasim për veprat tuaja në skulpturë të realizuara gjatë periudhës së studimeve?

Arens Ibrahimi: Gjatë kohës së studimeve janë shumë etapa të cilat i kalon, ku fillimet janë gjithmonë studimet akademike, studimin që merresh me procesin atomik të cilat janë shumë të rëndësishme dhe janë themelet që duhet të krijojë një artist, pa të cilat ai nuk mund të arrijë një stad profesional dhe nuk mund të arrijë të gjejë veten e tij në këto kohë moderne, dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Kam realizuar disa skulptura, por për momentin një nga skulpturat të cilën e kam realizuar dhe më ka marrë shumë kohë, sakrificë dhe mund, dhe që vërtet e parapëlqej është diploma që për çdo student është ajo për të cilën çdokush i vendos pikën.

Skulptura Orfeu dhe Euridika është një temë mitologjike dhe kjo është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë nga mitologjia sensin e saj. Historia e Orfeut dhe Euridikës i përket një historie dashurie dhe që i përket çdo lloj moshe.

CMG: Keni marrë pjesë nëpër ekspozita kolektive me punimet tuaja në skulpturë?

Arens Ibrahimi: Kam marrë pjesë në ekspozita kolektive dhe një nga ekspozitat më të mira është ajo pas pandemisë kuruar nga skulptori i ndjerë Arben Bajo. Ajo ishte një ekspozitë e cila mblodhi të gjithë atë frymën e pandemisë, ishte një ekspozitë që kishte vërtet produktivitet dhe risi goxha të mira. Kërkonim punë si ato që ishin realizuar në kohën e pandemisë ashtu edhe ato pas kohës së pandemisë.

CMG: Rrugëtimi me skulpturën ka qenë i lehtë apo i vështirë deri tani?

Arens Ibrahimi: Është një rrugëtim goxha i vështirë dhe që duhet të jesh shumë i sigurt në veten tënde para se ta marrësh si vendim. Ky është një rrugëtim që kërkon sakrificë personale mbi studimin, kërkon shumë orë nga jeta personale, kërkon edhe mbështetje, sepse të investosh për një artist nuk është e lehtë sot, por është një rrugëtim i cili të mëson shumë ku çdo orë, minutë, skicë dhe skulpturë ia vlen.

CMG: Sa kohë ju duhet për të përfunduar një vepër në skulpturë?

Arens Ibrahimi: Mund të bëjmë dallime veprash, sepse nëse mund të nis një portret i cili mund të mbarojë me një seancë apo dy seanca, varet nga kërkesa personale që kam për të arritur një skulpturë. Nëse vazhdoj hedhjen time në mënyrën time stilizuese, mund ta mbaj në një proces të vazhdueshëm pavarësisht se është i papërfunduar, por edhe mund ta mbaj me kohë. Kjo është diçka që vjen gjatë rrugës.

CMG: Përveç skulpturës keni pasione të tjera në jetë?

Arens Ibrahimi: Përveç skulpturës, më pëlqen e bukura. Pëlqej çdolloj gjëje që ne pretendojmë të bëjmë. Pasione të tjera kam palestrën, sportin, notin dhe futbollin, të cilat më ndihmojnë që të jem i shëndetshëm dhe fizikisht, por gjithashtu edhe i freskët psikologjikisht.

CMG: Prej disa vitesh keni qenë futbollist, por pse u shkëpute nga futbolli?

Arens Ibrahimi: Me futbollin kam kaluar kohën e fëmijërisë, ku si çdo fëmijë ka atë pasionin për të qenë futbollist. Kam kaluar shumë bukur dhe jam shumë i kënaqur, sepse me futbollin jam marrë rreth nëntë vite, ku akoma ato shenjat dhe mirësitë që më ka sjellë futbolli më ka lënë shumë gjëra të mira në shëndet. Ndërkohë pas dëmtimit që kam pësuar në futboll, familja më ka sugjeruar që të shkoj drejt artit pasi unë vizatoja, por që nuk isha i aftë për ta kuptuar që isha i prirë pikërisht për artin.

CMG: Keni lindur dhe jetoni në qytetin bregdetar të Durrësit. Çfarë e bën të veçantë këtë qytet për ju?

Arens Ibrahimi: Durrësi për mua është i veçantë nga të gjitha anët, që nga pjesa e kulturës, pjesa e njerëzve, pjesa e bregdetit dhe e relievit. Është një qytet i cili i ka të gjitha, plus edhe për pjesën e qetësisë, e cila është një nga gjërat më kryesore për mua. E dua qytetin tim, po ashtu edhe qetësinë në të.

CMG: Keni planifikuar pushime për këtë sezon veror?

Arens Ibrahimi: Pushimet e mia janë të njëjta si çdo vit tjetër. Në dhomën time, duke u marrë me vizatimet që dua dhe disa projekte që kam. Këto janë pushimet e mia.

CMG: Sa kohë kaloni në studio duke punuar?

Arens Ibrahimi: Pothuajse pjesën më të madhe të ditës, ku në procesin tim aktiv jam në skulpturë, vizatim dhe çdo gjë në art. Pjesën më të madhe të kohës rreth 8 orë ma merr arti, por ka raste dhe 12 orë.

CMG: Cili mendon se mund të jetë kulmi që mund të arrish nga ana profesionale në këtë fushë?

Arens Ibrahimi: Gjithmonë më kanë ushqyer me ideale, që në lice më kanë ushqyer me atë frymën e pastër dhe unë i mbetem po asaj. Jam i kënaqur dhe nuk kam premisa që të arrij në maja ose të kem premisa egoiste. Për mua është ideale qoftë edhe sikur të arrij në statusin e mësuesisë e cila për mua ka vlerë goxha. Mësuesia është ajo çka i përcjell brezit të ri. Këtë stafetë që ma kanë përcjellë mua, mund t’ia përcjell në mënyrën më të pastër dhe më të shëndetshme brezit në vijim. Këtë e them se është një nga arritjet më të mëdha të cilët e kanë bërë edhe artistët e tjerë me kohë, pra është një stafetë të cilën neve duhet ta kalojmë.

CMG: Një mesazh për brezin tuaj se çfarë rrugëtimi duhet të ndjekin në jetë?

Arens Ibrahimi: Duhet të ndjekin gjithmonë pasionet dhe të jenë më dashamirës ndaj kulturës.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Arens Ibrahimi: Ju përshëndes dhe shpresoj të dëgjohemi në intervista të tjera dhe me vepra të tjera.

Intervistsoi: Gazmend Agaj