BE-ja ofron 14 milionë euro për emigrantët në Itali
2023-07-19 18:32:45

CFP

CFP

Komisioni Evropian njoftoi se do të sigurojë 14 milionë euro për të përmirësuar kushtet e pritjes për emigrantët që mbërrijnë në ishullin italian të Lampedusës.

“Rritja e numrit të emigrantëve që vijnë nga deti që nga fillimi i vitit ka çuar në mbipopullim në ishull”,- bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të KE-së, citon “ATSH”.

Mbështetja financiare do të jetë në dispozicion të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të punojë me autoritetet italiane dhe agjencinë e azilit të BE-së.

Fondi do të përdoret për strehim të përkohshëm, veshje, ushqim dhe ndihmë mjekësore parësore, si dhe për transferime të sigurta nga Lampedusa në objektet e tjera të pritjes në Itali.

Mbi 72.300 emigrantë kanë mbërritur këtë vit në Itali me anije, krahasuar me rreth 30.900 një vit më parë, njofton Ministria italiane e Brendshme.

Numri i lartë i mbërritjeve përbën një sfidë të madhe logjistike për Lampedusën, pika e mbërritjes së emigrantëve nga Afrika nëpërmjet detit Mesdhe. (Irma)