
Temperaturat ne Itali (Foto Atsh)
Italia publikoi masa të reja për të mbrojtur ata që vuajnë nga ajo që pritet të jetë vera më e nxehtë e vendit në histori. Ministria e Shëndetësisë publikoi një qarkore me një sërë rekomandimesh për të ndihmuar autoritetet rajonale të menaxhojnë ndikimet e valës së të nxehtit të fortë që ka kapluar vendin, shkruan “Xinhua”.
Temperaturat në pjesë të Italisë kanë vendosur ose janë pranë niveleve rekord, me parashikime për rajonet ishullore të Sicilisë dhe Sardenjës, si dhe rajonin jugor të Pulias, duke kaluar 48 gradë Celsius.
Të hënën, 17 qytete të mëdha italiane ishin në alarm të kuq, duke përfshirë Bolonjënj, Firencen, Napolin, Palermon, Romën dhe Venecian. Disa qytete të tjera pritet të jenë në alarm të kuq në ditët e ardhshme, që do të thotë se vapa mund të ndikojë në shëndetin edhe të individëve të rinj dhe të shëndetshëm.
Ministria e Shëndetësisë rekomandoi që spitalet shtetërore të aktivizojnë një kod të veçantë në dhomat e urgjencës, që do t'u japë akses special të shpejtë për t'u kujdesur për ata që kanë goditje nga nxehtësia apo që kanë probleme të tjera shëndetësore të lidhura me nxehtësinë.
Qarkorja rekomandoi gjithashtu krijimin e ekipeve speciale për të ndihmuar në lehtësimin e barrës në dhomat e urgjencës spitalore, duke ofruar kujdes urgjent në shtëpi për të moshuarit dhe grupet e tjera vulnerabël.
Masa të tjera përfshinin rritjen e orëve që mjekët mund të punojnë kur e kërkojnë rrethanat.
Vala aktuale e të nxehtit është e treta që godet Italinë këtë verë. Ndonëse moti i nxehtë filloi më vonë se një vit më parë, deri më tani ka qenë më intensiv, me temperatura më të larta edhe gjatë natës.
Javën e kaluar, Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global publikoi një studim të rishikuar nga kolegët që vlerësoi rreth 18.000 vdekje nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë në Itali vitin e kaluar, më shumë se në çdo vend tjetër evropian. Numri i vlerësuar i vdekjeve vitin e kaluar në Evropë në tërësi ishte afro 62.000. Sipas ministrisë, masat e reja mund të mbeten në fuqi deri më 15 shtator. Ato mund të hiqen në nivel rajonal ose kombëtar nëse ndryshojnë rrethanat.
Zyrtarët e kujdesit shëndetësor kanë paralajmëruar njerëzit në zonat më të prekura nga nxehtësia intensive që të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, të kërkojnë hije ndërsa janë jashtë, të qëndrojnë të hidratuar dhe të ushqehen lehtshëm e shëndetshëm. (Irma)
