Kontinenti evropian nën valën e dytë ekstreme të të nxehtit
2023-07-19 18:25:12

CFP

CFP

Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë në pjesë të Evropës Jugore edhe gjatë kësaj jave. Ekspertët paralajmërojnë se kontinenti evropian po përgatitet për valën e dytë ekstreme të të nxehtit, duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve dhe duke krijuar mundësi për rënien e zjarreve.

Italia, Spanja dhe Greqia tashmë janë duke luftuar me temperatura të larta dhe rënie të zjarreve në një pjesë të madhe të territorit të tyre, përcjell “Panorama”.

Në Itali temperaturat në shumë qytete pritet të rriten mbi 40 gradë Celsius. Kulmi i nxehtësisë në Itali sipas ekspertëve është deri të mërkurën, ku temperaturat pritet të jenë mbi 45 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.

Në Greqi temperaturat janë regjistruan në mbi 40 gradë Celsius. Autoritetet u detyruan të mbyllin Akropolin në Athinë, nga mesdita deri në orën 17:00.

Në Spanjë, temperaturat në qytetet e Seviljes, Kordobës dhe Granadës kanë arritur deri në 40 gradë. Edhe rajoni normalisht më i freskët i Navarrës në veri të vendit po përjeton temperatura të njëjta.

CFP

CFP

Nxehtësia e madhe ka ndihmuar gjithashtu në rënien e zjarreve në këto rajone, të cilat prej disa ditësh tashmë kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha pyjesh e banesash.

Zjarret në ishullin La Palma në ishujt Kanarie të Spanjës, të cilat filluan të shtunën në mëngjes, kanë djegur 11.490 hektarë tokë pyjore dhe jo vetëm, duke shkatërruar 20 shtëpi dhe duke detyruar evakuimin emergjent të mijëra njerëzve. Në zonën e Loutrakit, një qytet në jugperëndim të kryeqytetit grek, Athinës, u evakuuan 1200 fëmijë nga një kamp veror pasi shumë pranë tyre u krijua një vatër e madhe zjarri.

“Ajri i nxehtë i ardhur prej Afrikës ka bërë që nxehtësia në det, tokë dhe ajër të vazhdojë të rritet me ritme të shpejta”,- deklaroi Hannah Cloke, shkencëtare klimaterike.

Studiuesit kanë paralajmëruar se situata e krijuar në të gjithë botën është vetëm fillimi, duke theksuar se pritet që në vijim temperaturat të arrijnë shifra edhe më të larta, si dhe valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive, shkruan “CNN”.

Temperaturat globale janë rritur tashmë me 1.2 gradë Celsius nga nivelet para industriale. Qershori ishte muaji më i nxehtë i planetit. (Irma)

CFP

CFP