TEA, është aplikacioni që do të transformojë turizmin shqiptar. Tashmë në këtë aplikacion ndodhet kalendari i parë në Shqipëri,i cili pasqyron eventet turistike. TEA (Tourism Events of Albania) ky kalendar, mund të shkarkohet falas si në App Store edhe në Play Store. Tashmë që jemi në kohës e digjitalizimit, ky aplikacion ka ardhur në momentin e duhur, si një kërkesë e vazhdueshme e vizionit të qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, në daljet e saj publike ka theksuar se; “Krijimi i një kalendari digjital do t’i japë mundësi çdo turisti shqiptar apo të huaj, në çdo cep të globit, të krijojë ndoshta një lidhje më të fuqishme, edhe më të thellë emocionale, të paharruar me Shqipërinë. Në këtë kalendar, ne mblodhëm nga çdo cep i Shqipërisë mbi 1110 evente, duke filluar nga festat lokale të fshatrave malorë apo bregdetarë, deri te festat dhe eventet në qytete e kryeqytet. Pasi krijuam këtë bazë të dhënash strukturuam formatet e eventeve që iu përshtaten audiencat turistike”, u shpreh drejtoresha e AKT-së, Çela.
Kalendari digjital është përqendruar edhe tek harta e zgjeruar gjeografike, ku eventet turistike janë shpërndarë në të gjitha destinacionet turistike, që nga vija bregdetare, te sheshet e qyteteve, qendrat e fshatrave, por edhe në sitet e trashëgimisë kulturore, për të ndriçuar me evente çdo amfiteatër, kala apo muze” theksoi Çela.
-Nga data 17- 20 korrik 2023 në orën 20.30-22.30 mbahet edicioni III-të i “International Festival Tirana”. Ky aktivitet ndërkombëtar do të realizojë edhe shndërrimin e kryeqytetit për katër ditë me rradhë, në një sofër të madhe mikpritëse të qindra artistëve të rinj nga e gjithë bota dhe promovimin e Tiranës së bashku me atraksionet turistike të saj. Ky event do të mbahet në Amfiteatrin, pranë liqenit artificial, Tiranë.
-Më 20 korrik 2023 mbahet në Sheshin Skënderbej në Tiranë koncerti, Ricky Martin Symphonic, një bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të TKOB.
-Më 22 korrik 2023 do të mbahet “E shtuna Lezhë Fest”. Koncert muzikor si dhe panair me punime artizanale të mjeshtrave të zejtarisë dhe arteve pamore lezhiane. Promovimi i vlerave artistike dhe muzikore të qytetit të Lezhës.
-Më 24 korrik 2023 mbahet “Festa e Roskovecit” . Kjo është një festë e përvitshme me një sërë aktivitetesh disa ditore, duke përfshirë panairin me punime artizanale, kampionate futbolli,etj. Roskoveci çdo vit sjell risi duke evidentuar traditat dhe vlerat më të mira.
-Festa e Llazishtes, Starje Kolonjë 25 korrik 2023. Çdo vit më 25 korrik festohet “Festa e Llazishtes”. Kjo është një festë e cila zhvillohet pranë Tybes së Baba Aliut, e cila ndodhet rëzë malit Gramoz.
-“Saranda Summer Vibes” mbahet më 28-29 korrik 2023, ditën e premte dhe të shtunë në orën 19.00, në shëtitoren e qytetit të Sarandës. Në këtë aktivitet mund të gjeni, ndërthurrjen e eventeve muzikore, guida kulturore dhe aktiviette sportive.
-“E shtuna Fest Lezhë” mbahet më 29 korrik 2023 në qytetin e Lezhës. Në këtë të shtunë do mund të shijoni koncert muzikor si dhe panair me punime artizanale të mjeshtrave të zejtarisë dhe arteve pamore lezhjane. Kjo synon promovimin e vlerave artistike dhe muzikore të qytetit të Lezhës.
-Në aplikacionin Teatër, më 17 korrik u shfaq në sheshin e bashkisë së Vlorës në Orikum në orën 19.00 “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”. Një nga përrallat më të bukura klasike aq të dashur për fëmijë.
-Festivali Ndërkombëtar i monodramës Albamono në Maliq të Korçës mbahet nga 19-27 korrik 2023.
-Nga 19-25 korrik 2023 në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës shaqet komedia “Të prezantoj Babain”. Një komedi angleze e cila prej vitit 1965 deri më sot është luajtur në skenat më të rëndësishme të teatrove botërore, duke korrur një sukses të jashtëzakonshme.
-Më 19 korrik 2023 ora 19.00 mbahet në pedonalen e qytetit të Shkodrës Performancë artistike e cirkut, ku do të ketë numra artistikë nga 7 profile të cirkut si kllounatë, lojra interaktive me fëmijët nga kllouni, numra artistikë me kafshë, numra ajri, etj.
-Më 30 korrik 2023 në orën 20.00 do të mbahet premiera e baletit “Princesha e Akullit”. Një event magjik për të mos u humbur, ku do të ngjiten në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.
-Në aplikacionin TEA janë të përshkruara edhe aktivietet sportive si, aktivitete për promovimin e sporteve ujore në Paskuqan, Kamëz. Një bashkëpunim dhe organizim me Komitetin Olimpik Kombëtar dhe Sportiv.
-Më 29 korrik 2023 mbahet Maratona Enkelana në Lin të Pogradecit nga ora 19.00-23.00. Kjo maratonë synon të bëjë bashkë të gjithë të apasionuarit e vrapit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Falë TEA-s, turistët do të shijojnë krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike, duke marrë kështu më të mirën nga pushimet e tyre. Në aplikacion do të përfshihen kategori të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër. Në aplikacion janë faqet përkatëse me informacion e detajuar dhe përdoruesit do të njoftohen për eventet e tyre të preferuara kur data e tyre të afrojë. TEA ka edhe disa butona të tjerë të dobishëm për të përmirësuar përvojën e përdoruesëve të saj. Vetëm me një trokitje, butoni “Vendndodhja” do t’i drejtojë ata në vendin e ngjarjes. Butoni “Kalendari” e ruan ngjarjen në kalendarin personal të përdoruesit, duke u siguruar që ai të mos humbasë asnjë event për shkak të harresës në kohë. Dhe për këdo që dëshiron t’i ndajë këto evente të turizmit,ndodhet butoni “Share”, që u lejon përdoruesëve të përhapin eventin që dëshirojnë me miqtë e tyre. Vizioni i qeverisë është që Shqipëria turistike të brendohet përmes trashëgimisë kulturore dhe eventeve multiart”.
Sava Lena