Statistikat, CPI-ja dhe PPI-ja e Kinës qëndrojnë në një sferë të arsyeshme
2023-07-18 16:10:53

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ditët e fundit, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi treguesit e çmimit të mallrave dhe të prodhimit industrial për muajin qershor, të cilët kanë shënuar një rënie të vogël (përkatësisht 0.2 % dhe 0.8%) në krahasim me një muaj më parë.

“Tregu i konsumit, në nivel të qëndrueshëm”

Kryestatisticienia e departamentit urban të Zyrës Kombëtare të Statistikave Dong Lijuan ka bërë një analizë të detajuar mbi këta dy tregues, duke vënë në dukje që “në muajin qershor, tregu i konsumit mbeti në një nivel të qëndrueshëm”.

CPI-ja dhe PPI-ja janë dy treguesit që pasqyrojnë përkatësisht gjendjen e konsumit e të prodhimit dhe janë elementet kryesore që paraqesin gjendjen ekonomike të vendit. Ndër to, CPI-ja ka lidhje më të drejtpërdrejtë me jetën e përditshme të konsumatorëve, sepse në të përfshihen çmimet e ushqimeve dhe të energjisë.

Çmimi i mallrave është një tregues i rëndësishëm për gjendjen ekonomike. Sivjet, qeveria kineze në raportin e punës vjetore ka paracaktuar objektivin e rritjes së CPI-së në rreth 3 %.

Sipas të dhënave statistikore, CPI-ja në qershor ishte 0.2 % më pak se në maj dhe po aq sa në qershorin e 2022-shit. Kategoria e ushqimeve shënoi rënie me 0.5 %. Nën ndikimin e temperaturave të larta dhe reshjeve, çmimi i perimeve u ngrit me 2.3 %, ndërsa furnizimi i plotë i ushqimeve të tjera është garantuar dhe çmimi i vezëve, frutave, mishit të derrit e të frutave të detit u ul me 1.2 % - 2.6 %.

Nën ndikimin e rënies së çmimit ndërkombëtar, edhe çmimi i energjisë në tregun kinez vazhdoi të regjistrojë ulje, me 0.7 %. Për arsye të aktiviteteve promovuese të festës së blerjeve të 18 Qershorit, çmimi i mallrave industriale të konsumit, me heqjen e çmimit të energjisë, është ulur me 0.3 %.

Në krahasim me qershorin e vjetshëm, çmimi i perimeve, frutave dhe mishit të shpendëve u shtua 4.3 % - 10.8 %, ndërsa mishi i derrit pati rënie me 7.2 %. Çmimi i mallrave joushqimore shënoi ulje me 0.6 %.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ndërkohë, çmimi i mallrave industriale të konsumit pati rënie me 2.7 % dhe çmimi i energjisë u ul me 9.3 % në krahasim me një vit më parë.

Çmimi i qëndrueshëm, misioni i rëndësishëm për vitin 2023

Edhe pse ka pasur ndikime të ndërlikuara, çmimi i mallrave në Kinë në gjashtë muajt e parë të 2023-shit ka qëndruar në një sferë të arsyeshme, më pak se objektivi i përcaktuar prej 3 %. Në periudhën mars-qershor, rritja është ruajtur në një nivel të ulët, nën 1 %.

Zhang Yong, drejtori i Digjitalizimit i Qendrës Globale për Shitjen me Pakicë të Produkteve Bujqësore “Hongxing” në Hunan të Kinës Jugore, tha që “vëllimi i tregtimit të perimeve në gjashtëmujorin e parë është rritur me 52 %, ndërsa çmimi është ulur me 7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

Në mallrat e shportës ku bazohet përcaktimi i CPI-së, ushqimi zë një përqindje të lartë. Në vitin e kaluar, për shkak të rritjes së madhe të çmimeve ushqimore nga kriza e Ukrainës, rritja e treguesit CPI ka ruajtur një nivel më të ulët se vjet.

Nëse shohim pjesën thelbësore të CPI-së, duke hequr ushqimin dhe energjinë, furnizimi dhe kërkesa në tregun e brendshëm të Kinës kanë ruajtur një gjendje të qëndrueshme. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, CPI-ja thelbësore u rrit me 0.7 % krahasuar me një vit më parë, duke vazhduar ngritjen e butë.

Zëdhënësja e Zyrës Kombëtare të Statistikave, Fu Linghui, tha: “Tani, rritja e CPI-së ndodhet në një nivel të ulët dhe CPI thelbësore ka mbetur në të njëjtin nivel. Kjo është ndikuar nga shumë faktorë, si gjendja e ndërlikuar ndërkombëtare, amullia e ekonomisë globale, kërkesa e dobët në tregun e brendshëm dhe pragu i lartë i krahasimit në vitin e kaluar. Në përgjithësi, ky nivel i ulët është periodik.”

(Jiang Lei)