Orikum-Dukat, një aks i ri rrugor në bregdetin e Jugut
2023-07-18 11:59:06


Aksi rrugor Dukat-Orikum (Foto Meteoalb)

Këto ditë përfundoi ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat në qarkun e Vlorës, me gjatësi rreth 15 km. Ky aks shkurton ndjeshëm distancën drejt bregdetit të detit Jon dhe i jep një shtysë të re turizmit dhe ekonomisë së zonës. Segmenti i ri është pjesë e shumë ndërhyrjeve mbi infrastrukturën rrugore të Rivierës shqiptare, ku më e rëndësishmja është Tuneli i Llogarasë, i cili do ta shkurtojë rrugën për në bregdet me më shumë se 40 minuta: nga 55 minuta që përshkruhet tani në vetëm 12-13 minuta.   

Aksi rrugor Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm i rrugëve moderne të Jugut të Shqipërisë, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut, duke nxitur zhvillimin e turizmit.

Aksi i ri rrugor (Foto Monitor)

Për periudhën janar-maj 2023, Shqipëria pati 42 përqind më shumë vizitorë se janar-maji i 2022-it. Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po rritet në vëllimin e veprimtarise së tij për këtë vit, me një ritëm që mund t’i kalojë shpejt të 5.6 milionë pasagjerët që aeroporti më i madh i Ballkanit Perëndimor, aeroporti Nikola Tesla i Beogradit, kishte në vitin 2022.

Krahas korridorit ajror të intensifikuar, qeveria shqiptare po kërkon të shtojë investimet në infrastrukturën rrugore që të çon në Rivieren e Shqipërisë. Sot qarkullimi në rrugët e Rivierës Shqiptare ka marrë përmasa të panjohura më parë dhe kërkon akse rrugore të gjera, moderne, të cilat të shmangin rradhët e automjeteve në rrugë dhe të shkurtojnë kohën e mbërritjes në destinacionet tona turistike.

Hapet aksi rrugor Dukat-Orikum (Foto fax.al)

Belinda Balluku, zvKryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës ndër të tjera theksoi :

“Ky është një nga projektet më të rëndësishme që lidh Vlorën me tunelin e Llogorasë. Në qershor të 2024, ne do të dorëzojmë të përfunduar edhe ndërtimin e tunelit të Llogorasë, që shkurton akoma më shumë rrugën në jugun e vendit. Ndërsa aksi Orikum-Dukat, shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës...

Ne e hapim këtë rrugë për të qenë e aksesueshme sa më shumë dhe për të facilituar sa më shumë periudhën e turizmit që është më shumë i përqendruar në zonën e bregdetit të jugut. Por ne do t’i rikthehemi punimeve për shtrimin e shtresës përfundimtare asfaltike, pasi të mbarojë sezoni veror. Ne e hapim këtë rrugë, e cila do të jetë e përdorueshme deri në fund të sezonit në 1 tetor 2023.

Rruga  ka lidhje me Korridorin Blu, per te cilin ne e kemi nisur punen. Me lotet Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier, me pas me bypass-in e Fierit, pastaj Fier-Levan, me rrugen e Aeroportit te Vlores, duke patur parasysh qe aeroporti do te jete funksional ne fund te vitit 2024 dhe ne fillim te vitit 2025. Me tej vazhdon me by-passin e Vlores, ne rruget qe po hapim tani Dukat-Orikum, me Tunelin e Llogarase dhe pastaj hapet deti i mrekullueshem i Jugut te Shqiperise, deti Jon, qe hapet perpara syve.

Keshtu qe gjerdani i infrastruktures se Vlores eshte duke ecur ashtu siç duhet, ne perputhje me te gjitha datat dhe afatet. Per me teper, me cilesine e duhur dhe me sigurine rrugore, te cilen nuk e diskutojme dhe eshte diçka qe nuk e negociojme”, theksoi zëvendëskryeministrja Balluku.     

Zv.kryeministrja Balluku në hapjen e aksit rrugor (Foto ATSH)

Projekti i rrugës përfshin edhe ndërtimin e 5 urave dhe të një tuneli panoramik. Aksi rrugor Dukat-Orikum do të ketë pemë dekorative, rrepe, gjatë të gjithë 15 kilometrave të tij. Krahas panoramës më shplodhëse për udhëtarët dhe hijes në rrugë, kurora e pemëve në të dyja anët e rrugës do të mbrojë mjedisin, largojë pluhrat dhe thithë zhurmat.

Dukat-Orikum shmang kalimin brenda në qytetin e Vlorës, me një trafik shumë të dendur, për të dalë në bregdetin e Jonit. Rruga ka shumë vepra arti si ura të gjera, tombino, përforcime shpatesh, etj. Vijimi i natyrshëm i rrugës Dukat-Orikum është Tuneli i Llogarasë, më i gjati në vend me 6 km e tij, i cili do të hapet në qershor 2024.

Nëse sot, sipas të dhënave nga Shoqata e Tur Operatorëve të Shqipërisë, ne kemi 35 përqind më shumë prenotime të turizmit të organizuar, jo vetëm për sezonin e verës, por edhe në vjeshtë e dimër të këtij viti, kjo, në një masë të madhe, i dedikohet rrugeve më të mira të ndërtuara, që shkurtojnë distancat nga Rinasi dhe pikat e tjera doganore ku hyjnë vizitorët, për në destinacionet turistike, sidomos ato të Rivierës shqiptare.

Fatos Çoçoli