Evropa Jugore përgatitet për valën e dytë të nxehtësisë, me temperatura mbi 48 gradë
2023-07-18 15:44:08

CFP

CFP

Evropa Jugore po përgatitet për një valë të dytë të të nxehtit brenda një jave, ku më së shumti do të preken Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia, njofton “RTSH”.

Një anticiklon i ri që u fut në rajon nga Afrika Veriore të dielën mund të rrisë temperaturat mbi 48 gradë Celcius, duke pasuar valën e të nxehtit “Cerberus” të javës së kaluar.

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) bëri të ditur se kjo javë mund të sjellë temperaturat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Evropë.

Kriza klimaterike po sjell motin ekstrem në mbarë botën, duke shkaktuar fatkeqësi më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse, nga valët e të nxehtit, përmbytjet e deri te zjarret.

Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se planeti përjetoi ditët më të nxehta të regjistruara në ditët e para të korrikut, pas një qershori që ishte më i nxehti në histori.

Një studim i botuar së fundmi në “Nature Medicine” bëri të ditur se më shumë se 60.000 njerëz vdiqën për shkak të valëve të të nxehtit të verës së vitit të kaluar në të gjithë Evropën, me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali. (Fatosi)

CFP

CFP