Bonald Përkola: Shqipëria është pjesë e pandashme nga unë
2023-07-17 10:17:50

Bonald Përkola prej vitesh jeton në qytetin gjerman të Frankfurtit, ku vijon studimet Master për shkenca politike. Në moshë të vogël kur ka qenë në Shqipëri ka marrë pjesë në serialin “Kripmjaltëzat”, një prodhim i RTSH-së, duke mbetur një nga eksperiencat e tij të paharruara. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin për artit, studimet në Gjermani për shkenca politike si dhe synimet për të ardhmen.    

CMG: Sa vite keni që jetoni në Gjermani dhe cila ishte arsyeja e largimit tuaj nga Shqipëria?

Bonald Përkola: Gjithmonë jam shprehur që arsyet janë komplekse. Unë jetoj në Frankfurt të Gjermanisë që prej vitit 2017, ku studioj për shkenca politike. Këtu kam përfunduar studimet Bachelor dhe tani po kryej studimet Master po në të njëjtën fushë studimi. Arsyeja se përse lëviza jashtë ishin dhe kushtet për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të gjetur diçka më të mire. Në vitet 2016-2017 që ishte dhe vala migratore në Gjermani ishte një influencë e madhe dhe zërat që vinin nga jashtë ndikuan tek mua që të bëja këtë zgjedhje. Mendova për një mundësi tjetër për t’u zhvilluar personalisht  dhe ku mund ta gjesh më mirë sesa në shtetin gjerman, në dimensionin universitar dhe kurrikulën që ofrohet nga shteti gjerman. Ka dhe arsye të tjera sigurisht, që lidhen me dëshirën time për të sprovuar veten dhe për të dalë jashtë zonës së konfortit, për t’i dhënë jetës sime një kuptim tjetër, si dhe për të parë sa jam i aftë që t’i jap vetes një drejtim tjetër përveç asaj sa isha i njohur deri asaj kohe.

CMG: Si u integruat në ditët e para të mbërritjes në Gjermani?

Bonald Përkola: Këtu më duhet të jem pak pesimist dhe shumë realist, për faktin se shumë njerëz flasin me fjalë shumë të mira kur lëvizin nga Shqipëria, ndërsa për mua nuk ka qenë e tillë. Pavarësisht se kisha mbështetje të mjaftueshme dhe të mirë prej familjes dhe të afërmve të mi, kur lëviza jashtë dy vitet e para ishin një sfidë e madhe për t’u përshtatur me sistemin e jetesës këtu. Të qenurit vetëm luan rol të rëndësishëm në përshtatje me kulturën gjermane, me stilin e jetesës që nuk i përngjan asaj me çfarë përballemi në përditshmërinë tonë në Shqipëri. Kështu që në dy vitet e para ishte shumë e vështirë për të gjetur një punë, ishte shumë e vështirë që të koordinoje veten me studimet. Kjo besoj se është një qasje personale sepse varet shumë nga tipat e njerëzve dhe unë e nisa me këmbën e gabuar, por tani jam në ritmin e duhur. Kjo është gjë e mirë që t’i themi gjërat ashtu si janë edhe për njerëzit e tjerë që mos të krijojnë iluzione të kota për një jetë jashtë, që është gjithmonë shumë e bukur dhe pa probleme.

CMG: Në moshë të vogël në Shqipëri keni qenë pjesë e televizionit dhe kinemasë. Flasim për këtë eksperiencë tuajën?

Bonald Përkola: Unë e kam nisur në moshën 8 vjeçare rrugëtimin në botën e artit, pikërisht në RTSH asokohe me 12 seritë e famshme të “Kripmjaltezave” dhe gjithçka rrodhi më vonë ku ne u morëm me shumë projekte dhe shfaqje të tjera. Kjo është një eksperiencë për të cilën jam krenar dhe e ruaj si shumë të shenjtë brenda vetes time, sepse ka funsionuar si gur themeli i ndërtimit të karakterit të këtij personi që unë jam sot. Unë i jam mirënjohës njerëzve me të cilët kam punuar, TVSH-së që më dha mundësinë që të shpreh veten dhe artin tim dhe mbi të gjitha prindërve të mi që bënë zgjedhjen e duhur për të më qëndruar pas tekave të mia edhe pse në atë kohë shumë pak dija apo kuptoja se çfarë është arti, aktrimi dhe filmi.

CMG: Pse u shkëputët nga bota e kinemasë dhe u morët me një fushë tjetër siç është ajo e shkencave politike?

Bonald Përkola: Dëshira për të lëvizur nga Shqipëria ishte dhe arsyeja pse unë i ndërpreva përkohësisht sepse brenda meja vazhdon të zjarrmojë dëshira për të qenë artist. Largimi im nga Shqipëria ka korresponduar me largimin nga bota e artit dhe një prej tyre është fakti që ashtu si në rrugën profesionale të shkencave politike, por edhe në rrugën profesionale të artit, mundësitë për të manifestuar atë se çfarë isha, ishin shumë të vogla. Përveç të tjerave si çdo fushë tjetër në Shqipëri, që përballesh me një ambient jo shumë komod me kolegë dhe projekte të cilat pak reflektojnë në atë se çfarë është dhe çfarë duhet të jetë arti dhe shumë reflektojnë dëshirat komerciale të një tregu që nuk ka drejtim.

CMG: E keni akoma pasion kinemanë?

Bonald Përkola: Unë e kama akoma pasion dhe do mbetet gjithmonë pjesë integrale e imja. Nuk kam ndërmend që vite të tëra pune dhe përkushtimi ndaj artit ta lë thjesht të shuhet sikur nuk ka ndodhur asgjë më përpara.

CMG: Pse zgjodhët të vijonit studimet tuaja në fushën e shkencave politike?

Bonald Përkola: Zgjodha të studioja shkenca politike sepse kisha një interes shumë të madh për politikën, filozofinë, etikën dhe moralin, pra jo vetëm për disiplinë e shkëncave politike në vetvete. Sigurisht bëra dhe gabimin klasik që mendoja se shkencat politike kishin të bënin shumë me atë që quhej ngjarje të vërteta politike, por realisht jo. Ky ishte mbase dhe surprizimi im i madh dhe pak shokues me disiplinën e shkencave politike, sepse kjo disiplinë merret më shumë me atë se çfarë duhet të jetë dhe jo asaj çfarë është realisht. Prandaj unë doja ta kanalizoja talentin tim, dëshirën time për të lexuar dhe studiuar në fushën e shkencave politike. Gjithashtu unë jam edhe aktivist politik dhe prej dy-tre vitesh jam pjesë e diasporës për Shqipërinë e lirë, e cila merret kryesisht me realizimin e të drejtës së votës për njerëzit që jetojnë jashtë Shqipërisë, e cila mund të themi se për momentin është thembra e Akilit e tentativës për t’i dhënë pak më shumë demokraci Shqipërisë dhe shqiptarëve.

CMG: Çfarë ju ka ofruar më tepër Gjermania në fushën tuaj të studimeve?

Bonald Përkola: Absolutisht më ka ofruar akses më të shpejtë dhe efiçent, literaturë më të zgjeruar. Kushte më të mirë për nga ana materiale, duke përjashtuar këtu kushtet e jetesës si qiratë e shtëpive, kurse kushtet për të studiuar pothuajse janë të njëjta në sensin që ti nuk paguan ndonjë shumë ekstra për të studiuar në Gjermani. Kur kostot e studimit janë pothuajse të njëjta dhe shteti gjerman me zhvillimin ekonomik që ka të ofron një jetë më të mirë, të ofron një 3-4 vjeçar studimesh më të zgjeruar dhe shumë herë më të lehtë sesa do ta kesh në Shqipëri. Pra si nga ana profesionale ashtu edhe nga ajo financiare kam bërë zgjedhjen perfekte, gjë që vendet e tjera rrallë ta ofrojnë këtë mundësi. Shumë të rinj zhvendosen në Gjermani, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vendet e tjera sidomos nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj në lidhje me angazhimin në politikë pasi të përfundoni studimet?

Bonald Përkola: Unë jam aktivist i diasporës dhe interesi im kryesor për momentin është të jap të gjithë energjinë time, qoftë intelektuale apo me prezencë fizike për zgjidhjen e çështjes së votës së diasporës për gjithë mërgatën shqiptare. Nuk kam asnjë lloj interesi momental që të merrem me real politikën në Shqipëri, duke qenë pjesë integrale e ndonjë lloj partie politike në Shqipëri. Mendoj se aktivizmi politik sot është një detyrim social dhe jo një zgjedhje.

CMG: Vini shpesh për ta vizituar Shqipërinë?

Bonald Përkola: Unë vetë nuk vij shpesh, e vizitoj Shqipërinë një herë në vit dhe tani së fundi do ta vizitoj edhe në gusht sepse do takoj familjen time dhe do të kaloj dy ose tre javë me to. Nuk vij në Shqipëri shpesh kryesisht për çështjet financiare por dhe profesionale, por do të doja realisht të lëvizja shumë, por nuk do të doja të kthehesha në turistin shqiptar që  kthehet për dy-tre javë në Shqipëri. Unë e mendoj Shqipërinë si pjesë të pandashme nga unë dhe gjithmonë mendoj se do të vijë dita që edhe unë të kontriboj diçka, pavarësisht se jam larguar prej Shqipërisë.

CMG: Cili do të ishte një mesazh për brezin tuaj?

Bonald Përkola: Për brezin tim mesazhet janë të shumta, por do t’u thoja që ta lejojnë veten të përballen me gjëra të reja dhe mos të kenë frikë nga sfidat. Merrini sfidat si mikun tuaj më të madh dhe jo si armikun tuaj më të madh. Thjesht besoni në veten tuaj sepse një ditë do të arrini atë që dëshironi.

Intervistoi: Gazmend Agaj