Më 16 korrik të vitit 2021, u vu në funksionim zyrtarisht tregu kombëtar i emetimeve të karbonit i Kinës. Kjo është një lëvizje e madhe e ndërmarrë nga Kina për të arritur qëllimin e pikut të lëshimit të dyoksidit të karbonit dhe neutralitetin e tij. Gjatë dy viteve të fundit, ky treg ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, duke dhënë dhe rezultatet e para. Veprimet praktike të Kinës për përballimin e ndryshimeve klimatike janë vlerësuar gjerësisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Në shtator të 2020-ës, presidenti kinez Xi Jinping premtoi në Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Kina do të arrijë pikun e lëshimit të dyoksidit të karbonit para vitit 2030 dhe neutralitetin para vitit 2060. Në Samitin e Klimës të zhvilluar më 22 prill të vitit 2021, Xi Jinping u shpreh se Kina do të nisë tregtimin online në tregun kombëtar të karbonit.
Që nga krijimi i tregut kinez të tregtimit të të drejtave të lëshimit të karbonit dy vite më parë, ka pasur mjaft rezultate: deri më 13 korrik të këtij viti, kuota e lëshimit të karbonit arriti në rreth 240 milionë tonë dhe vëllimi tregtar iu afrua shifrës 11 miliardë juanë. Njëkohësisht përmes këtij tregu, sipërmarrjet janë ndërgjegjësuar më shumë për pakësimin e emetimeve.
Sun Dawei është kryeinxhinieri i një kompanie të teknologjisë së energjisë. Gjatë dy viteve të fundit, kompania e tij ndihmoi një sipërmarrje të energjisë termike për përditësimin e kursimit të energjisë, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme. Sipas tij, kjo sipërmarrje mundi të kursejë mbi 6 milionë kilovatë energji elektrike në vit, duke përfituar më shumë kuota emetimi në tregun e karbonit.
Foto nga VCG
Në Lojërat Universitare Botërore që do të hapen në Chengdu të Kinës Jugperëndimore, është jetësuar ideja e organizimit të lojërave në mënyrë të gjelbër e me lëshim të ulët karboni. Mijëra makina me energji të re do të vihen në përdorim për Universiadën.
Veprimet dhe masat praktike të Kinës në trajtimin e ndryshimeve klimatike kanë marrë një vlerësim të lartë nga bashkësia ndërkombëtare. Në Forumin Ndërkombëtar të Qytetërimit Ekologjik të Guiyangut për vitin 2023 të zhvilluar pak ditë më parë, ish-kryeministri japonez Yukio Hatoyama u shpreh se “Kur vende të ndryshme nëpër botë synojnë të zhvillojnë ekonomitë duke shkatërruar ekosistemet e tyre, Kina nxit zhvillimin ekonomik duke i dhënë rëndësi qytetërimit ekologjik. Kjo duhet vlerësuar shumë”.
Këshilltari i lartë dhe drejtori i Zyrës së Pekinit në Organizatën e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik në Kinë Tamas Haiba i tha medias: “Premtimet e bëra nga Kina për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe neutralitetin e tij po kontribuojnë në pakësimin e emetimeve globale në botë. Përveç kësaj, Kina ka qenë gjithmonë në pararojë të përdorimit të energjisë së re, ndaj përvoja e saj vlen të mësohet edhe nga vendet e tjera në botë”.
Asistent-profesori i Universitetit të Financave të Guangdongut Miraj Ahmed Bhuiyan nga Bangladeshi vlerësoi lart iniciativat e Kinës në përballimin e ndryshimeve klimatike: “Si një nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe një nga vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike, Kina ka shfaqur vendosmërinë e saj në përballje me ndryshimet klimatike. Njëkohësisht përvoja e Kinës në këtë fushë vlen të mësohet nga vendet e tjera në zhvillim”. (Fani)