
Foto nga VCG
Dhjetëra fluturime u anuluan të shtunën në të gjithë Italinë duke detyruar udhëtarët, në kulmin e sezonit turistik, të ndryshojnë planet e tyre.
Agjencia Kombëtare italiane e Transportit Ajror (ITA) njoftoi se ishin anuluar 133 fluturime, shumica prej tyre të brendshme, por edhe disa fluturime drejt vendeve evropiane si Madridi, Amsterdami dhe Barcelona, raporton “RTSH”.
Linjat ajrore me kosto të ulët si “Ryanair” dhe “Vueling” anuluan qindra fluturime të tjera për shkak të grevës së transportit ajror, që përfshinte pilotë, stjuardesa, personeli i aeroporit dhe i transportit të bagazheve.
Vera në Itali është shpesh sezoni i pikut të grevave që prekin transportin publik, duke bllokuar vendas e turistë, ndërsa sindikatat rrisin trysninë për kontrata dhe kushte më të mira pune.
Këtë vit, grevat po shkaktojnë një dëm të madh mes një bumi turistik, pas dy vitesh humbje nga pandemia.
“Nuk lumturohemi kur u krijojmë bezdi klientëve, sepse ky nuk është objektivi ynë. Do të donim të ishim thirrur më herët nga ministria, jo një ditë më parë, në përpjekje për të shtyrë ose parandaluar grevën. Ne do të donim të ishim ulur në tavolinë dhe të rinovonim kontratën”, tha një zëdhënëse e sindikatave. (Fatosi)
