Rritja e eficencës së përdorimit të tokës dhe nisma për taksimin e ri
2023-07-17 17:39:30

Taksa prones (Foto Konica)

Taksa prones (Foto Konica)

Nëpërmjet një projektligji qeveria ka marrë nismën për rritjen e efiçencës së përdorimit të tokës dhe të nxiten incentivat për shfrytëzimin e saj. Po ashtu, synohet që të përmirësohet forma e taksimit të pronës dhe e mbledhjes së saj, duke qenë se aktualisht të ardhurat nga mbledhjes së taksës së pasurisë dhe pronës në Shqipëri përbëjnë 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në një takim që ka patur me me pedagogët dhe studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se se dikasteri që ajo drejton, vitet e fundit ka bashkëpunuar me ambasadën suedeze për hartimin e reformës dhe dëshiron që, para se të finalizojë hartimin e projektligjit dhe të hapë procesin e konsultimit publik, të marrë edhe mendimin e ekspertizës më të mirë në vend. Objekt i projektligjit do të jetë edhe toka bujqësore dhe në këtë drejtim ministrja çmoi mendimin dhe sugjerimet që mund të vijnë nga ekspertët e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Taksa (Foto Gazeta sot)

Taksa (Foto Gazeta sot)

“Ne prej kohësh kemi vendosur ura bashkëpunimi me universitetet. Universiteti Bujqësor nuk ka qenë një universitet kryesor në bashkëpunimin me MFE duke qenë se bashkëpunimin më të ngushtë e kemi pasur me Universitetin e Tiranës, Fakultetin Ekonomik, për shkak të fushës që mbulojmë. Megjithatë, sot vijmë këtu për të ndarë me ju një reformë, e cila është shumë e rëndësishme dhe e hartuar në kuadër të gjithë reformave që MFE ka filluar të ndërmarrë për mirëmenaxhimin e financave publike, në një periudhë afatmesme. Ne kemi një strategji për menaxhimin e të ardhurave, pjesë e së cilës është dhe reforma e taksës së pronës, që sot do të diskutohet me ju. Ne kemi punuar me ambasadën suedeze gjatë viteve të fundit, me qëllim hartimin e një reformë për mbledhjen e taksës së pronës, ndërkohë që ka ardhur momenti të bëjmë një reformë edhe për taksën në vetvete. Kur flas për taksën e pronës, flas për ndërtesat, banesat, por edhe për tokën bujqësore, pyjore, apo për tokën që supozohet të shkojë për zhvillim” theksoi ministrja Ibrahimaj

Financat kanë marrë mendimet e pedagogëve të Universitetit Bujqësor, të specializuar në ekspertizën e tokave bujqësore.

“Prezantimi që ju është dërguar paraprakisht për mendim është hartuar në bashkëpunim me ambasadën suedeze. Megjithatë ne vendosëm që, para se të finalizojmë ligjin dhe reformën dhe të fillojmë konsultimin publik për këtë ligj, ta ndajmë me ju me qëllim që të marrim ekspertizën më të mirë që ka në vend, përsa i përket tokës bujqësore dhe taksimit të saj. Ne besojmë që ka ardhur momenti që Shqipëria ta fillojë këtë reformë. Është shumë e rëndësishëm të kuptojmë që toka është një aset, i cili domosdoshmërisht duhet shfrytëzuar dhe duhet të ketë incentiva, pse jo dhe incentiva të politikave fiskale, që të nxisin përdorimin dhe shfrytëzimin e tokës. Toka e papërdorur dhe toka e pambjellë mbetet aty dhe pronarët e saj, fermerët ose jo, nuk kanë asnjë incentivë sot që ta zhvillojnë tokën. Nëpërmjet këtij ligji ne synojmë që të rrisim eficencën e përdorimit të tokës dhe të nxisim incentivat për shfrytëzimin e saj, nga ato individë që duan ta shfrytëzojnë, kanë kapacitet dhe njohuri që ta shfrytëzojnë. Sigurisht ky nuk është i vetmi qëllim i këtij ligji.”, bëri të ditur Ibrahimaj.

Ministrja tha se ka ardhur koha e taksimit në bazë të çmimeve të referencës.

“Sot që flasim, të ardhurat nga mbledhja e taksës së pasurisë dhe taksës së pronës në Shqipëri përbëjnë rreth 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo është një normë shumë e ulët dhe sigurisht që mbledhja në këtë nivel të ulët vjen qoftë si pasojë e nivelit të taksimit dhe formës së taksimit, por edhe si pasojë e nivelit të mbledhjes dhe administrimit të saj. Nëpërmjet këtij ligji dhe nëpërmjet kësaj reforme ne synojmë që të përmirësojmë të dy proceset. Propozojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës në një taksim i cili merr parasysh çmimet e tregut, që në fakt është praktika ndërkombëtare”

Ministrja shprehu shqetësimin e vjeljes së ulët të taksës së pronave deri tani, duke e krahasuar me vendet e rajonit.

“Nga ana tjetër, duhet patjetër që taksa të jetë e drejtë, efektive dhe transparente, por mbi të gjitha duhet të jetë e thjeshtë. Duke qenë se është një taksë që prek të gjithë popullatën e vendit, duhet që të kuptohet thjesht nga popullata, të perceptohet thjesht, të mblidhet thjesht. Kjo është arsyeja pse ne duam të diskutojmë me detaje çdo element të taksës, pra nga niveli, te mbledhja, te komunikimi. Këtu e shoh shumë me vend komunikimin me Universitetin Bujqësor, sigurisht dhe me Fakultetin Ekonomik, me qëllim që si fillim të arrijmë në një ligj i cili vendos drejtësi në taksim, i cili rrit të ardhurat ndaj GDP, duke qenë se mesatarja e vendeve të rajonit, por edhe mesatarja e vendeve sipas kategorive të të ardhurave, është më e lartë se sa ajo që mbledhim ne. Vendet e rajonit kanë një mesatare rreth 0.8 % të GDP, ndërkohë që ne jemi në nivelin 0.3 të GDP, ndërsa përgjithësisht vendet e OECD e kanë 1.1 % të GDP, vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada dhe Anglia shkojnë nga 2.5 në 3%. Pra, qartazi ne kemi një nivel shumë të ulët taksimi dhe mbledhje.”

Ministrja Ibrahimaj në UBT (Foto UBT)

Ministrja Ibrahimaj në UBT (Foto UBT)

Me ndryshimet që do të pësojë ligji do të mendohet edhe për kategoritë që do të subvencionohen, të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë.

“Unë nuk dua të prek të gjithë detajet e ligjit, por duke qenë se ju e keni parë prezantimin, do të doja të dëgjoja më shumë mendimin e profesorëve dhe të studentëve, rolin e të cilëve e shoh shumë të rëndësishëm jo vetëm në hartimin e të gjithë reformës, por edhe në zbatimin e saj. Kjo është një reformë e cila do të kërkojë shumë komunikim publik, trajnim për 61 bashkitë tona të cilat do të duhet ta mbledhin këtë taksë, por edhe një komunikim shumë më të mirë me të gjithë popullatën, e cila duhet të kuptojë se për çfarë bëhet fjalë, pse bëhet ky taksim dhe cili është niveli i taksimit. Ligji ka shumë detaje edhe lidhur me kategoritë që do të subvencionohen, pasi ka kategori të cilat kanë paaftësi në pagesë.Përsa i përket taksës që supozohet që të jetë taksë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore, ka disa incentiva lidhen me vitet e para të prodhimit, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur që të nxisim mbjelljen, të nxisim prodhimin, të nxisim shfrytëzimin e pronës. Të gjithë këto elementë duam t’i diskutojmë bashkërisht dhe të arrijmë në një ligj sa më të saktë dhe të qartë.”

Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë Denisa Ibrahimaj, taksa duhet të jetë e drejtë, efektive, transparente, dhe mbi të gjitha e thjeshtë.