Universiada e 31-të Verore do të mbahet nga 28 korriku deri më 8 gusht në qytetin Chengdu të provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Kjo është hera e tretë që pjesa kontinentale e Kinës pret një universiadë verore pas asaj në Pekin (2001) dhe Shenzhen (2011). Në krahasim me dy edicionet e kaluara, shfrytëzimi i teknologjisë inteligjente është një veçori e spikatur e Universiadës Chengdu, duke tërhequr vëmendjen e gjerë të opinionit publik.
Stadiume për organizimin e Universiadës në Chengdu(Foto: faqja zyrtare e Universiadës:2021chengdu.com)
Siç mësohet, për universiadën që pritet të nisë brenda pak ditësh në Chengdu janë vërë në përdorim mbi 170 produkte teknike, të cilat mbulojnë më shumë se 30 stadiume, që nga ndërtimi, garantimi dhe mbarëvajtja, apo ndjekja e garave.
Punonjës robotikë
Kur organizohet një ngjarje e madhe sportive, siguria është më e rëndësishmja. Automjete komanduese emergjente të pajisura me teknologji të lartë, syze AR, monitorues elektronikë 5G..., një sërë pajisjesh teknologjike do të përdoren gjatë zhvillimit të kësaj universiade për të garantuar sigurinë. Ndër to, robotët janë një “fuqi” e veçantë.
Një lloj roboti për stërvitje në pingpong gjendet në disa stadiume të universiadës. Ai ka katër modele funksionimi si “konkurrim”, "stërvitje", "praktikë" dhe "argëtim". Roboti “trajner” mund të ndryshojë shpejtësi shërbimi sipas kërkesave të përdoruesve. Më e shpejta mund të arrijë në nivelin e sportistëve profesionistë. Ai mund të shërbejë topin duke imituar lëvizjet e njeriut dhe të përshtatet në bazë të reagimeve të përdoruesve. Pas përfundimit të universiadës, roboti do të jetë i hapur falas për publikun e gjerë.
Por produktet robotike të përdorura në Universiadën Chengdu nuk mbarojnë me kaq. Për të siguruar në mënyrë efektive një organizim perfekt, në këtë ngjarje janë prezantuar robotë inteligjentë për zhvillimin e ndeshjeve, ndihmues për trajnimin dhe shërbime të tjera jetësore. Si për shembull, roboti "Rongbao", i njohur edhe si "kamerieri special", është i pari në botë që ofron shërbime emergjente: ai mund të dërgojë në vendin ku zhvillohet gara pajisje shëndetësore si AED etj., si dhe udhëzime për përdorim. Sa i përket shërbimeve jetësore, fshati i universdiadës është pajisur me robotë që mund të prodhojnë kafe me qumësht etj.
Trajneri robotik i pingpongut në stadiumin e universiadës((Foto: faqja zyrtare e Universiadës:2021chengdu.com))
Prodhuesi robotik i kafesë(Foto: faqja zyrtare e Universiadës:2021chengdu.com)
Sisteme inteligjente
Si të sigurohet transporti i sportistëve në mënyrë efikase nga stadiumet dhe zonat e banimit? Meqenëse vendet e organizimit shpërndahen në 15 distrikte të qytetit Chengdu, organizatorët kanë përmirësuar sistemin e transportit inteligjent të qytetit. Sidomos "valët e dritave jeshile", të cilat mund të sigurojnë brenda pak çastesh mbërritjen e sportistëve nga stadiumet dhe vendet e stërvitjes. Me një fjalë, përmes sistemit të kontrollit inteligjent, në itinerare speciale, makinat me një shpejtësi të caktuar mund të “hasin” gjithmonë dritë jeshile në çdo rrugëkryq, duke kursyer shumë kohë udhëtimi. Sigurisht autobusët pa drejtues gjenden kudo, madje edhe brenda fshatit ku banojnë sportistët nga vendet e ndryshme.
Moti është një tjetër faktor i rëndësishëm për sportistët, si gjatë stërvitjes ashtu dhe gjatë konkurrimit. Universiada Chengdu do të mbahet nga 28 korriku deri më 8 gusht, kur në hemisferën veriore është piku i verës. Një pajisje spërkatëse si “mjegull” me tension të lartë mund të freskojë në mënyrë efektive mjedisin e garave. Në verë, ajo mund ta ulë temperaturën me më shumë se 10 gradë Celsius, duke reduktuar ndikimin e motit me temperatura të larta te njerëzit. Ndërkohë, një aparat elektrokardiogrami që realizon në kohë matjen e rrahjeve dhe gjendjen shëndetësore të zemrës mund të përdoret për të monitoruar gjendjen fizike të lojtarëve.
Autobus pa drejtues në Universiadë(Foto: faqja zyrtare e Universiadës:2021chengdu.com)
Gjithashtu, për të përballuar kushtet e ndërlikuara dhe të ndryshueshme meteorologjike gjatë verës, është vërë në funksionim sistemi i komandës dhe dërgimit të sinjaleve si "qendra nervore" e shërbimeve meteorologjike, i cili mund të ndërhyjë në procesin e motit vendës, duke siguruar që ndeshjet të zhvillohen pa probleme.
Teknologji kudo në universiadë
Elementet teknologjike janë pasqyruar edhe në shumë fusha. Gjatë ndërtimit të stadiumeve janë përdorur gjerësisht teknikat për pakësimin e lëshimit të karbonit, kursimin e energjisë dhe menaxhimin inteligjent, duke e bërë organizimin më “miqësor” me mjedisin. Ndërsa, rrjetet e integruara me sisteme informacioni, infrastrukturore, të shërbimeve mjekësore, të transportit, të komandimit, të monitorimit, të mbrojtjes së sigurisë etj., e kanë bërë zhvillimin e garave më të sigurt dhe të mbarë. Për shikuesit, teknologjia si 8K ultra e qartë, transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjeve me sinjalet 5G dhe teknologji të tjera do të përdoren për të përmirësuar eksperiencën e shijimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, pavarësisht nëse je një spektator në terren apo para televizorit.
Pishtar i Unversiadës(Foto: faqja zyrtare e Universiadës:2021chengdu.com)
Jo vetëm kaq, sepse vetë pishtari i vogël i kësaj universiade është një produkt teknologjik me mbi 20 patenta të të drejtave të autorit, të bazuara mbi forcat studimore të kërkimeve hapësinore. Materialet për të ndërtuar një “qytet sfungjeri” janë shfrytëzuar gjerësisht, me anën e të cilave, sipërfaqja e rrugëve do të mbetet e thatë pas shiut, ndërsa uji që depërton mund të plotësojë kërkesa të tjera jashtë stadiumeve.
Siç mësohet, disa zona ku do të organizohet Universiada Chengdu do të hapen për publikun pas përfundimit të ngjarjes dhe teknologjitë përkatëse priten të gjejnë hapësira më të mëdha në ndërtimin e “qytetit inteligjent”.