
Foto nga VCG
Numri i viktimave nga përmbytjet prej reshjeve të dendura të shiut në Korenë e Jugut është të paktën 32. Gjashtë trupa u gjetën në një tunel të përmbytur në qytetin qendror Osong, të dielën në mëngjes, njoftuan mediat vendase.
Të paktën 10 persona konsiderohen ende të zhdukur. Autoritetet besojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, shkruan “ATSH”.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë vazhduar që nga fundi i javës së kaluar. Ato kanë shkaktuar disa rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në pjesë të ndryshme të vendit.
Më shumë se 7000 banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar përmbytjeve.
Zyra Kombëtare e Motit njoftoi se reshjet e dendura të shiut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në pjesën më të madhe të vendit.
Koreja e Jugut aktualisht po përjeton sezonin e shirave të verës, gjatë të cilit përmbytjet janë një dukuri e zakonshme. (Fatosi)
