Hollivud, aktorët i bashkohen grevës së skenaristëve
2023-07-17 16:03:32

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Aktorët e Hollivudit po u bashkohen skenaristëve në grevën e parë të dyfishtë nga të dy sindikatat në më shumë se gjashtë dekada, me pasoja të mëdha për industrinë e filmit dhe televizionit. 

Pas më shumë se një muaji negociatash mes sindikatës së aktorëve dhe studiove, shërbimeve përmes internetit dhe kompanive të argëtimit, pati përparim të pakët dhe tonet e bisedimeve u ashpërsuan. Drejtuesit e sindikatave votuan për të nisur një grevë të premten. Ndërhyrja e minutës së fundit nga një ndërmjetës federal nuk e kapërceu hendekun.

Drejtuesit e sindikatës thonë se modeli i viteve të fundit, që përdor industria përmes platformave në internet, i ka zhvatur aktorët duke i kaluar fitimet që u takojnë atyre tek drejtuesit e lartë.

Përpara se të fillonin bisedimet, 65,000 aktorë votuan me shumicë dërrmuese që udhëheqësit e sindikatave të shpallnin grevën, ashtu sikurse veproi sindikata e skenaristëve kur skadoi marrëveshja e tyre më shumë se dy muaj më parë.