Këngëtari Genti Deda ka lindur në Lezhë në vitin 1994. Ai është një artist i ri i talentuar, i cili ka shumë vite që ka përqafuar skenën. Ishte vetëm 6 vjeç kur u ngjit për herë të parë në skenë, në koncertin e grupit muzikor Djemtë e Detit, ku ai ishte i ftuar për të interpretuar një këngë. Genti ka marrë pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë, duke u angazhuar me aktivitete të ndryshme të shkollës dhe me qendrën kulturore deri në moshën 12 vjeçare. Ka nisur pianon kur ishte 8 vjeç ndërsa kitaren e ka mësuar në mënyrë autodidakte pasi mbaroi shkollën e mesme. Këngëtari Genti Deda ka marë pjesë në disa talent show në Shqipëri, ku është vlerësuar edhe me çmimin e dytë në “X-Factor”. Prej 10 vjetësh ai interpreton muzikë live në skena të ndryshme nëpër Shqipëri dhe më gjerë si dhe është pjesë e bandës muzikore të këngëtares Aurela Gaçe. I ftuar në Radio Ejani, ai na tregon për materialin e tij më të ri muzikor që sapo është publikuar dhe transmetohet ekskluzivisht për herë të parë në valët e Radio Ejani.
CMG: Sapo ke publikuar materialin më të ri muzikor që mban titullin “A po vjen?”.
Genti Deda: Dhe unë të thashë do vij, por patjetër që do vij të sjell tek ju dhe këngën e re “A po vjen?”.
CMG: Ah sa bukur! Për çfarë flet kjo këngë dhe cila është fabula e saj?
Genti Deda: Sapo është publikuar kënga ime e radhës me titullin “A po vjen?”, e cila është një këngë ritmike, ndryshe nga këngët që kam publikuar deri tani. Kjo si melodi është pak suprizë për ata që më kanë ndjekur, por besoj se do ju pëlqejë energjia që ajo përcjell.
CMG: Mjaft energjik je në këtë këngë e në vidioklip dhe sigurisht që do të bëhet një hit i verës.
Genti Deda: Faktikisht këtë shpresojmë dhe ne për atë punojmë që këngët tona të përshtaten sa më shumë, të kenë dëgjueshmëri dhe publikut t’i japim atë që dëshiron të dëgjojë.
CMG: Për çfarë flet fabula?
Genti Deda: Fabula flet për një çift që po martohet, dedikimi i dhëndrit për nusen, gjithashtu tregon dhe atmosferën e gëzueshme që supozuar se po zhvillohet.
CMG: Kjo temë ka lidhje me ty personalisht ?
Genti Deda: Kjo këngë ka të bëjë me të gjithë të dashuruarit dhe besoj të gjithë të dashuruarit do e gjejnë veten tek kjo këngë. Autorët e këngës si muzika dhe teksti janë realizuar nga unë, orkestrimi dhe masteri janë punuar nga Destro, një djalë shumë i talentuar dhe një shok i imi.
CMG: Genti ti ke një dekadë që interpreton në skenat e live-it, por muzikën e ke nisur shumë i vogël. Si ka nisur karriera jote muzikore ?
Genti Deda: Marrëdhënia ime me muzikën ka nisur që në moshën 5 vjeçare, duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme fëmijësh, më pas në moshën 6 vjeçare kam pasur daljen time të parë në sheshin e qytetit të Lezhës.
CMG: Çfarë kujton nga ai moment ?
Genti Deda: Mbaj mend që ka qenë një nga momentet më emocionuese për mua, ishte koncerti i grupit Djemtë e Detit dhe unë isha vetëm 6 vjeç në atë kohë. Më kujtohet që hapa koncertin e grupit legjendar të Lezhës Djemtë e Detit dhe mund të them që ka qenë një ogur i mbarë për mua dhe për mbarvajtjen time dhe rrugën time në muzikë.
CMG: Djemtë legjendar të grupit, të cilët në atë kohë kanë qenë në krye të top-listave ,a arrite t’i takoje personalisht?
Genti Deda: Sigurisht që i kam takuar dhe madje do shtoja se mbaj mend kur ishim fëmijë në lagjen time mblidheshim të gjithë shokët dhe këndonim me të madhe këngët e grupit Djemtë e Detit. Këto momente i kam të rrënjosura në memorien time, i mbaj mend si sot dhe i kujtoj gjithmonë. Besoj se nuk do me dalin asnjëherë nga memoria ato momente të bukura.
CMG: Çfarë kujton tjetër nga ai koncert në qytetin tënd të Lezhës? A e mban mend këngën tënde të pare, që ke kënduar në atë skenë?
Genti Deda: Po sigurisht që e mbaj mend këngën time të parë, titullohet "Shqipëria ime" me tekst nga poeti Gjokë Beci, poet i ndjerë tashmë, për pjesën e muzikës është kujdesur Behar Selimi. Ajo ka qenë kënga ime e parë që më ka shoqëruar për shumë vite.
CMG: Më pas si vijoi jeta jote artistike ?
Genti Deda: Më pas që nga fëmijëria deri në periudhën e adoleshencës, ku pata dhe një shkëputje. Për rreth 4 vite kam studjuar në privat kurse për piano me Angjelinë Kocillari, mësuese pianoje në Lezhë. Më pas jam angazhuar me aktivitete të Qendrës Kulturore në Lezhë, ku kam qenë gjithmonë prezent në çdo lloj aktiviteti, në festivale të ndryshme të fëmijëve si “Zërat Magjikë".
CMG: Je ndarë me çmime ndonjëherë?
Genti Deda: Pothuajse gjithmonë jam ndarë me çmime dhe kam marrë vlerësimin edhe kur ndonjëherë nuk kam fituar, ka qenë prapë një sfidë për mua. I kam thënë vetes ti duhet ta bësh, ti mund t'ja dalësh me të gjitha uljet dhe ngritjet. Kjo më ka ndihmuar që të arrij diçka.
CMG: Gent ti tashmë ke 10 vite që këndon muzikën live, që nga periudha që ke marrë pjesë në Talent Show, ku je pozicionuar në vëndin e dytë. Si kanë qenë këto konkurime për ty?
Genti Deda: Pjesa e talent show-t ishte e rëndësishme e formimit tim artistik, duke qenë se sfidat janë ato që të formojnë. Unë kam qënë tip që më pëlqejnë sfidat dhe pse jo gjithmonë kam dalë fitues. Por jam i mendimit që edhe kur nuk fiton, fiton eksperiencën e nevojshme për të ecur përpara. Mbaj mend kur kam qenë në "X -Factor" ku mora pjesë dy here, herën e parë në moshën 17-18 vjeçare, arrita deri në fazën e sfidave, ku kemi qenë në tetëshen me 8 çuna dhe 8 goca të ndarë në 8 grupe, ku atë fazë nuk e kalova. E provova sërish pas 3 vjetësh dhe ja dola me sukses, ku dola në live show. Mbaj mend natën e parë dola direkt në show që rrezikohej eleminimi që natën e parë të live show-t, të cilin e kalova me sukses. Më pas arrita deri në finale dhe nata kur u zgjodha si finalist, ka qenë një nga netët më të lumtura të jetës time. Ishte momenti kur i thashë vetes " Po, unë mund t'ja dal".
CMG: Dhe vërtetë ja dole, duke u pozicionuar në vendin e dytë. Me këmbëngulje dhe qëllimin që i vure vetes për fitore.
Genti Deda: Këmbëngulja është një virtut shumë i mirë dhe duhet ta kenë të gjithë ata që duan të bëhen dikushi në jetë. Duhet të jenë këmbëngulës dhe mos të dorëzohen asnjëherë. Nuk ka rëndësi sa herë bie, ka rëndësi sa herë ngrihesh.
CMG: Pas pjesëmarrjeve në talent- show, duket sikur dyert u hapën për ty Gent dhe menjëherë more pjesë në festivalin "Kënga Magjike".
Genti Deda: Po është e vërtetë që festivali "Kënga Magjike" ka qenë pasues i talent- show-t. Herën e parë mora pjesë me këngën "Engjell je ti", një këngë nga Elvis Duro, pastaj herën e dytë mora pjesë me një këngë që e realizova me një shokun tim Dj, herën e tretë ka qenë një këngë nga kompozitori Gramoz Kozeli, ndërsa herën e katërt mendoj se ka qenë konkurimi im më i sukseshëm më këngën "Nuk ta fal", një këngë nga kompozitori i mirënjohur Gent Myftaraj dhe tekst nga Muma.
CMG: Ti ke qenë mjaft aktiv në jetën e natës, por edhe angazhimin në studio ku punon njëkohësisht për realizimin e këngëve, por si ka qenë jeta jote përgjatë kësaj dekade?
Genti Deda: Jeta e natës ka ardhur në formë progresive. Kam pasur gjithmonë e më shumë nga viti në vit një rritje progresive, me koncerte live në gjithë Shqipërinë si Vlorë, Elbasan, Tiranë, Korçë, Lezhë, në plazhin e Shëngjinit, në qytetet bregdetare, etj . Gjithashtu në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku së fundi që i jam bashkuar dhe grupit të këngëtares Aurela Gaçe. Kjo artiste e madhe ka qenë një shtysë shumë e madhe për mua dhe e kam pasur ëendërr që të këndoja me të një herë në skenë, sepse ka qenë idhulli im. Në momentin që ndodhi kjo gjë, ishte vërtetë si ëndërr, e cila u bë realitet.
CMG: Aurela Gaçe, pa diskutim që të ka dhënë një mbështetje shumë të madhe ty, por edhe shumë artistëve të rinj të talentuar.
Genti Deda: Po patjetër dhe unë e përgëzoj, është një njeri fantastik, një njeri i madh në skenë, por edhe në jetën private. Unë e vlerësoj jashtë mase .
CMG: Sa i përket materialeve muzikore ku ti punon, cilat janë të rejat aty?
Genti Deda: Gjithashtu unë po punoj dhe me produksione muzikore, pasi e kam pasion të merem me muzikën në të gjitha dimensionet e saj. E kam gjetur veten shumë tek kompozitori im i preferuar dhe mendoj se është kompozitori më i mirë Gent Myftaraj. Ai është kompozitor shumë avantgarde, i cili është gjithmonë me kohën dhe idetë, por edhe si njeri gjithashtu është fantastik, i rregullt dhe shumë artist.
CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Genti Deda: Projektet e mia janë të shumta që kam në mendje, por kam dhe shumë projekte të tjera për këngë të ndryshme dhe jo vetëm për veten time, por edhe për shumë artistë të tjerë. Janë këngë, materiale muzikore që pres t’i realizoj. Bëhet fjalë për koncerte live, festivale, etj.
CMG: Sezoni i verës ku do të gjejë ty Genti?
Genti Deda: Në këtë sezon veror do jem gjithandej në kuptimin e plotë të fjalës, në Vlorë, Sarandë, Tiranë , Maqedoninë e Veriut, Kosovë, etj.
CMG: Gjithmonë flet për koncerte, po pushimet ku do i kalosh?
Genti Deda: Pushimet e verës do na gjejnë në punë, por besoj se do e gjej kohën dhe për të pushuar në ndonjë vend ekzotik.
Intervistoi: Sava Lena