Kantautori i mirënjohur Alban Skënderaj dhe këngëtarja Dafina Zeqiri kanë prezantuar së fundi këngën e re me titull “E para, i pari”. Ky material i ri muzikor u publikua ditën e enjte . Një këngë plot ritëm i përshtatet stinës së verës edhe si melodi, por edhe me ngjyrat e veshjeve të artistëve në xhirimet e videoklipit. Teksti dhe muzika janë krijim i kantautorit Alban Skënderaj, ndërsa miksimi dhe masterizimi nga Avaxus. Për videon u kujdes SmartMotions.
Ky është bashkëpunimi i i dytë i Alban Skënderajt dhe Dafina Zeqirit pas këngës me titull “Copa copa” që e prezantuan 8 muaj më parë.
Mozzik dhe Kida sjellin “Forever Together”
Këngëtarët e kërkuar të momentit Mozzik dhe Kida kanë sjellë një projekt të ri muzikor. Duket se për këtë këngë artistët kanë punuar jashtëzakonisht shumë, si me fabulën edhe me idenë e realizimit të videoklipit, i trajtuar si një histori dashurie, e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë shfaqen të dy këngëtarët në një ceremoni të kurorëzimit të tyre, ndërsa në pjesën e dytë vijon historia 10 vite më vonë, ku edhe pse secili ka krijuar familjen e vet, ata takohen sërish. Kënga “Forever Together” e cila është 6 minuta e 36 sekonda e gjatë, është realizuar mjaft bukur edhe si videoklip. Teksti është shkruar nga reperi Mozzik, producent muzikor është Deard Sylejmani, i cili u kujdes gjithashtu edhe për miksimin dhe masterizimin e këngës, dhe videoklipi u realizua nga produksioni ‘Sekuencë’.
Rita Ora publikon albumin e ri “You & I”
Rita Ora rrëfehet për revistën Numero rreth albumit të saj të ri “You & I” për të cilin thotë se është një album shumë personal dhe ka shumë pasion e emocion që buron prej tij
Artistja me origjinë shqiptare Rita Or aka thënë në intervistë se projekti i ri shpall me zë të lartë dhe qartë dashurinë e kantautores dhe interpretueses 32-vjeçare për njerëzit përreth saj, në veçanti për bashkëshortin e saj, regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi. Albumi shënon rikthimin e yllit karizmatik të popit, e cila ka bashkëpunuar me Drake, Cardi B, Charli XCX dhe Kanye West. Albumi është tërësisht i prodhuar dhe shkruar nga Rita Ora. “Albumi ka të bëjë me dashurinë. Prandaj ti dhe unë duket se jemi emri i përsosur. Është një album shumë personal dhe ka shumë pasion dhe emocion që buron prej tij. Por albumi i qaset dashurisë në mënyra të ndryshme. Bëhet fjalë gjithashtu për dashurinë time për nënën, familjen, miqtë e mi, për vende të caktuara që janë të rëndësishme për mua dhe sigurisht dashurinë për veten”, është shprehur Ora.
“Muzika ka qenë gjithmonë një prizë emocionale për mua. Është një projekt i ri shumë personal dhe jam shumë rehat me këtë. Më pëlqen të jem si një libër i hapur falë muzikës sime. Më afron më shumë me fansat e mi”. Rita shtoi për “You & I”: “Zbulon mënyrat e ndryshme që jam ndjerë në momentet kyçe të jetës sime. Në të vërtetë, çdo këngë në album e kam shkruar vetëm. Kur vjen puna për të bërë muzikë, duhet të jesh i sinqertë dhe besnik. Çdo titull është një pasqyrim i mirënjohjes sime ndaj jetës”.
Sava Lena