Hatixhe Lushi, interpretuesja e shquar e këngëve të vajit
2023-07-15 10:49:34

E lindur në qytetin e Librazhdit, këngëtarja e njohur e muzikës popullore tradicionale Hatixhe Lushi fillimet e saj me këngën popullore i ka patur që në moshë të vogël. Prej vitesh ajo ka punuar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe ka qenë pjesëmarrëse në çdo festival folklorik të Gjirokastrës, Duke patur shumë sukses në këngët e vajit, ajo është cilësuar si zëri më i mirë i këtyre këngëve. Ka realizuar disa koncerte recitale në qytetin e Librazhdit, duke u pritur mjaft mirë nga publiku dhe dashamirësit e këngëve të saj. Së fundi Znj.Lushi ishte pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ku interpretoi një ninullë dhe e ndriçoi skenën me kostumin popullor të trevës së saj. Në një intervistë për Radio Ejani Hatixhe Lushi tregon për emocionet e përjetuara në Festivalin Foklorik, aktivitetin e saj muzikor si dhe projektet në vazhdim.

CMG: Këtë intervistë po e realizojmë pranë institucionit ku ju keni punuar shumë vite, TKOB. Çfarë kujtoni nga puna juaj me ansamblin popullor?

Hatixhe Lushi: Opera është një dashuri e imja, është puna ime kur kam qenë në ansambël të shtetit, është kënaqësia ime. Kafenë gjithmonë e pi me shokët dhe miqtë te Opera, sepse kam shumë dashuri për këtë institucion.

CMG: Sapo ka përfunduar Festivali Folklorik i Gjirokastrës, ku morët pjesë me grupin e Qarkut të Elbasanit, me një ninullë dhe një veshje speciale popullore. Cilat ishin emocionet që përjetuat këtë herë në festivalin folklorik?

Hatixhe Lushi: Zgjedhja ime në këtë festival të Gjirokastrës ka qenë një ninullë, sepse nuk desha më të përfaqësohem me balada, pasi gjatë gjithë kohës kam qenë me to. Kjo ishte një ninullë e bukur që ma kishte mësuar nëna dhe që e vogël më rrotullohej gjithmonë brenda vetes, derisa erdhi momenti për ta bërë në këtë festival. Mendoj se kam bërë më të mirën time, ndërsa për veshjen dua të falenderoj Vladimir Duron në Librazhd, i cili u mor nga koka te këmba me kostumin tim dhe ka bërë një kryevepër, ka bërë një imitacion të veshjes së nënës time. Prandaj unë e falenderoj pafund dhe jam shumë e lumtur që kostumi u pëlqye shumë nga regjisori Pali Kuke dhe plot të tjerë që ishin në kalanë e Gjirokastrës, duke realizuar dokumentarë, foto dhe gjithçka. Kostumi popullor ishte diçka që më shkonte mua dhe ninullës, mendo nëna veshur me të bardha duke i kënduar fëmijës, duke përkundur djepin dhe shamia e bardhë dhe e bukur. Pra çdo gjë ishte e bardhë dhe unë jam shumë e lumtur për këtë performancë timen në festival.

CMG: Ju keni marrë pjesë në të gjitha festivalet e Gjirokastës, por cili ishte emocioni që përjetuat këtë vit?

Hatixhe Lushi: Kjo ishte një ndjesi ndryshe, që për herë të parë këndova një ninullë, sepse herët e tjera kam kënduar baladë. Këtë herë isha më e çliruar emocionalisht sepse po i këndoja një bebeje, nuk po këndoja më balada të heronjëve Ymer Aga e Brahim Keta, balada që për mua janë gur në artin dhe në zinxhirin e këngëve të mia. Por kjo ninullë më erdhi si një bekim dhe u ndjeva jashtë mase bukur.

CMG: Keni një zë unik në interpretimin e baladave dhe jeni e pranishme në çdo aktivitet kur flitet për baladat.

Hatixhe Lushi: Unë dua të falenderoj gjithmonë TOB-in sepse vunë në skenë Ajkuna qan Omerin me Gerti Drugën, ku unë e qava Ajkunën. Pastaj u realizua “Rituali i jetës” me koreografin Arian Sukniqi, të cilin e falenderoj që më kishte të ftuar speciale. Gjithashtu falenderoj edhe udhëheqësin artistik të ansamblit Alban Tahirin, që më thirrën dhe u mundova t’i interpretoj vajtimet në mënyrë perfekte. Për këtë jam e lumtur se çdo gjë që hyn në zërin tim, përpunohet aty dhe nuk del kot.

CMG: Librazhdi vazhdon të jetë në zemrën tuaj dhe ju shkoni atje shpesh, ku keni realizuar dhe disa koncerte.

Hatixhe Lushi: Unë kam shumë dashuri, dhe një nga dashuritë e mia është Librazhdi, sepse atje kam kujtime, atje kam shtëpinë dhe miqtë, artin, muzikën. Gjithçka rrotullohet rreth Librazhdit, rreth lumit Shkumbin, ku vijnë baladat, ninullat, këngët e shpirtit siç e quajta edhe recitalin tim që e realizova më 15 prill në qytetin e Librazhdit. Ai ishte një koncert i mrekullueshëm, jo se koncertet e tjera kanë qenë nën nivel, por ky koncert ka qenë një mrekulli për mua, ka qenë një dashuri më vete me këngët e zgjedhura, këngë shpirti. Nuk u mundova të bëj as Bareshën, Brahim Ketën apo diçka tjetër, por thashë do të bëj këngët e shpirtit dhe gjeta serenata, romanca, arie, që i desha unë.

CMG: Pse koncerti i fundit në Librazhd ishte ndryshe nga të tjerët që keni realizuar më përpara?

Hatixhe Lushi: Ky koncert ishte ndryshe sepse këngët ishin të zgjedhura me shumë dashuri dhe me shumë veçanti. Ka punuar shumë bukur Shkëlqim Braja që dua ta përshëndes, si dhe drejtoresha e pallatit të kulturës Bardha Alimeta, e cila në çdo moment ka qenë prezent në këtë koncert. E reja e këtij koncerti ishte se ishin pikturat e bashkëshortit tim Arif Lushi që vezullonin dhe një kënd me libra të djalit tim Arti. Pra ky koncert kishte një gërshetim shpirtëror, gërshetim vlerash dhe familjar, një dhuratë që ne ja bëmë qytetit tonë. Falenderime pafund për ish kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra, për Mariglenin kryetarin e ri që ka ardhur, i cili dha ndihmën e tij. Falenderime edhe për qytetarët që e duan këngën dhe zërin tim

CMG: Si ka qenë jeta juaj me piktorin e njohur Arif Lushi?

Hatixhe Lushi: Që të kesh burrë një piktor thoshte Nexhmije Pagarusha duhet të jesh e fortë, sepse piktorët kanë botën e vet. Ai ka jetën e vet dhe kur i vjen frymëzimi duhet ta kryejë portretin apo peisazhin. Jo se është bashkëshorit im Arif Lushi, por ai është një piktor i shkëlqyer, peisazhisht i shkëlqyer, është ngjyra dhe dashuria vetë tek ai. Unë jam gjithmonë e lumtur sepse ne të dy kemi gjetur gërshetimin e pikturës, e ngjyrës me zërin, dhe kjo ka qenë pikënisja që ne jemi dashuruar. Unë kam parë një ekspozitë të tij për herë të parë sapo mbarova shkollën e mesme të muzikës. Ai kishte mbaruar liceun dhe kur shikoj punë e tij u mahnita  dhe që aty mu dha një goditje dhe thashë Tixhe kjo është jeta jote, dhe në atë moment unë vetëm se jam lumturuar me piktorin Arif Lushi. Ai ka qenë personi që nuk ma ka prishur mua kurrë  dhe për mua është gjëja më e shtrenjtë në botë që kam, bekim është burri im.

CMG: Gjithmonë përcillni pozitivitet tek të gjithë njerëzit dhe veçanërisht miqtë tuaj.

Hatixhe Lushi: Në jetë askush mos të thotë se unë jam i lumtur dhe i kam të gjitha në rregull. Unë mërzitem vetëm atëhere kur dikush nga familja nuk është mirë apo ka një problem, ndërsa për gjërat e tjera kurrë nuk dorëzohem sepse të gjitha gjërat kanë zgjidhje. Për mua edhe dështimet janë mësime, unë kam dështur por kam arritur qëllimin tim me punë. Unë mendoj se duke punuar njeriu arrin.

CMG: Keni ndonjë aktivitet artistik së shpejti?

Hatixhe Lushi: Unë sapo mbarova koncertin dhe Shkëlqim Brahja ka bërë një këngë me tekst të Lefter Çipës, që titullohet “Krihi kaçurrelat”, një tekst kaq i bukur dhe i dashur me motivet e jugut. Me pesë fjalë Lefter Çipa e fut krejt dashurinë e jugut, e detit dhe gjithë bukurisë së femrës. Kjo këngë është e dashur për mua dhe mendova që ta dërgoj në festivalin “Zambaku i Prizrenit”. U gëzova shumë kur më morën në telefon dhe më thanë se këngë është pranuar me nota maksimale nga juria dhe për orkestrimin e saj unë kisha qejf Valton Beqirin dhe ai ma plotësoi këtë dëshirë. Kështu që në datën 1 gusht është festivali të cilin e pres me shumë dashuri.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Hatixhe Lushi: Unë i përshëndes të gjithë dhe ju them të bëni për artin e mirëfilltë shqiptar, ashtu siç e bën dhe mbron emisioni Bio Folk.

Intervistoi: Gazmend Agaj