BE-ja heq kontrollet shtesë ndaj eksporteve japoneze
2023-07-15 11:46:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

BE-ja ka hequr kontrollet shtesë ndaj eksporteve të ushqimeve japoneze në vendet e Bashkimit Evropian, të vendosura pas katastrofës bërthamore të Fukushimës 12 vjet më parë.

“Heqja e kufizimeve u mundësua pas bashkëpunimit të ngushtë BE-Japoni dhe punës së zellshme të autoriteteve japoneze”,- deklaroi eurokomisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides, përcjell “ATSH”.

Më 11 mars 2011, një cunami i shkaktuar nga një tërmet i madh u përplas në brigjet japoneze, duke çuar në vdekjen e mijëra personave dhe shkrirjen e bërthamave të reaktorit në centralin bërthamor Fukushima Daiichi.

Pas kësaj, për të mbrojtur shëndetin publik, BE-ja vendosi kontrolle radioaktiviteti para eksportit për ushqimet dhe produktet bujqësore nga Japonia, duke rishikuar masat çdo dy vjet.

Në vitin 2021, kontrollet e mbetura u lanë vetëm për eksportet e kërpudhave të egra, bimëve të egra të ngrënshme dhe disa lloje peshqish.

Komisioni Evropian njoftoi se megjithatë monitorimi duhet të vazhdojë dhe autoritetet japoneze duhet t’i bëjnë publike të gjitha rezultatet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e njoftoi vendimin e bllokut së bashku me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, në fund të një samiti BE-Japoni në Bruksel.

Japonia dhe BE-ja ranë gjithashtu dakord të rrisin bashkëpunimin në furnizimet e lëndëve të para, prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe mbrojtjen e kabllove detare nënujore. (Irma)