Vizita e kryeministrit të Ishujve Solomon në Kinë thellon bashkëpunimin dypalësh
2023-07-15 16:17:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gjatë vizitës të enjten në fshatin “Huanglongxian” në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, kryeministri i Ishujve Solomon Manasseh Sogavare që ndodhet për vizitë shtetërore në Kinë u shpreh se ky fshat është një shembull që vlen të mësohet nga vendi i tij. “Huanglongxian” është një fshat i bukur e i pasur malor, i cili la pas varfërinë përmes zhvillimit të sektorit të çajit.

Kjo është hera e dytë e vizitës së kryeministrit Masasseh Sogavare në Kinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Ishujve Solomon në vitin 2019. Gjatë vizitës në Kinë, dy vendet krijuan zyrtarisht një partneritet strategjik gjithëpërfshirës të respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të përbashkët në epokën e re.

Në katër vitet e fundit, Ishujt Solomon kanë përfituar nga zhvillimi i shpejtë i marrëdhënieve me Kinën. Sot Kina është partnerja e parë tregtare dhe destinacioni i parë i eksportit të Ishujve Solomon, ndërsa eksporti në Kinë zë 2/3-tat e eksportit të përgjithshëm të këtij vendi ishullor në Paqësorin Jugor.

Njëkohësisht përvoja e Kinës në zhdukjen e varfërisë dhe zhvillimin ekonomik u ka hapur Ishujve Solomon mundësi të reja. Kina zbaton marrëveshjen “zero tarifa” për 98% të produkteve nga Ishujt Solomon që eksportohen në Kinë, ofron bursa qeveritare për të rinjtë e këtij vendi për studimin e tyre në Kinë, dërgon ekipe mjekësore në Ishujt Solomon për  të zhvilluar shërbime diagnostikimi si dhe trajtime profesionale për mjekët vendas etj.

Gjatë vizitës së kryeministrit Masasseh Sogavare në Kinë, dy palët nënshkruan shumë marrëveshje në fushën e tregtisë, të aviacionit civil, të doganës, të meteorologjisë etj. për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh. (Fani)