BE-ja propozon ndalimin e eksporteve të makinave për skrap
2023-07-15 11:49:01

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Evropian propozoi ndalimin e eksporteve të makinave për skrap që nuk janë të përshtatshme për t’u shitur në vendet jashtë Bashkimit Evropian.

“Ndalimi është pjesë e planeve për të reduktuar emetimet e karbonit, për të krijuar më shumë vende pune dhe për të përmirësuar aksesin në lëndët e para, si çeliku dhe alumini për sektorin e automobilave”, bëri të ditur KE-ja, citon “ATSH”.

Prodhuesit do të detyrohen të përdorin 25% të plastikës së ricikluar në makinat e reja duke e bërë më të lehtë çmontimin e makinave, pasi ato të kenë arritur në fund të jetëgjatësisë së tyre të dobishme.

Komisioni gjithashtu kërkon të përshpejtojë zbatimin e rregullave ekzistuese për t’i bërë prodhuesit të marrin më shumë përgjegjësi për asgjësimin e makinave të tyre me më shumë inspektime dhe gjurmim digjital.

Një tjetër propozim parashikon riciklimin e 30% të plastikës nga makinat për skrap që hidhen.

 “Kostot për makinat e reja pritet të rriten me më pak se 40 euro (45 dollarë)”, njoftoi KE-ja.

Kufizimet e eksportit do të zbatohen gradualisht edhe për motoçikletat, kamionët dhe autobusët.

Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së do të shqyrtojnë propozimin ligjor përpara se të hyjë në fuqi.  (Irma)