Wang Yi i kërkon ShBA-së të ndërmarrë veprime konkrete për t'i kthyer marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur
2023-07-14 12:06:31

Foto nga MPJ

Diplomati i lartë kinez Wang Yi tha të enjten se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime konkrete për t'i kthyer marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur.

Gjatë takimit me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken në Xhakartë të Indonezisë, ku të dy diplomatët ndodhen për të marrë pjesë në një varg mbledhjesh të ministrave të jashtëm të ASEAN, Wang, drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, tha se të dy palët kanë arritur konsensus nëpërmjet komunikimit të thellë e të sinqertë gjatë vizitës së Blinkenit në Kinë muajin e kaluar.

Konsensusi më i rëndësishëm është kthimi në agjendën e vendosur nga dy krerët e shtetit në Bali të Indonezisë dhe ndjekja e kursit të duhur në marrëdhëniet kino-amerikane, shtoi ai.

Sipas tij, pala amerikane duhet të reflektojë mbi shkakun kryesor që shpie në vështirësimin e marrëdhënieve kino-amerikane, ta kthejë konsensusin e arritur midis presidentëve në takimin e tyre në Bali në veprime konkrete dhe të përmbushë premtimet e bëra nga presidenti i ShBA-së Joe Biden.

Nevojiten veprime konkrete për të hequr pengesat, si të pritura ashtu edhe të papritura, për t'u dhënë impuls marrëdhënieve të qëndrueshme Kinë-ShBA, vuri në dukje Wang Yi.

Ai i bëri thirrje ShBA-së të mbajë një qëndrim racional e pragmatik dhe të punojë bashkë me Kinën për të promovuar konsultimet mbi parimet udhëzuese për marrëdhëniet kino-amerikane, të zgjerojnë kanalet e komunikimit për çështjet diplomatike e të sigurisë, të përmirësojnë efektshmërinë e komunikimit dhe të lehtësojnë shkëmbimet njerëzore.

Wang shpjegoi edhe pozicionin solemn të Kinës mbi çështjen e Tajvanit, duke kërkuar që ShBA-ja të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës e të mos dëmtojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, të ndalojë presionet ekonomike, tregtare, shkencore e teknologjike ndaj Kinës dhe të heqë sanksionet e  paligjshme dhe të paarsyeshme kundër Kinës.