Bursa shqiptare ALPEX dhe përfitimet
2023-07-14 09:37:12

Bursa e energjisë (Foto Monitor)

Bursa e energjisë (Foto Monitor)

Bursa shqiptare e energjisë ALPEX, e bërë funksionale në fillim të prillit 2023, ka qenë pritur prej kohësh nga ana e bizneseve prodhuese të vendit dhe investuesve të huaj të energjisë në vend. Ajo do të ndihmojë sipërmarrjet prodhuese të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjetur energji elektrike me çmim më të lirë në këtë bursë. Bursa ka 7-8 ekspertë punonjës të saj. Shteti shqiptar ka investuar 4.4 milionë euro në këtë bursë.

Bursa po përdor algoritmin (program kompjuterik) mbarëevropian EUFEMIA(njëlloj si bursa HUDEX në Budapest). Pas disa muajsh, kohë që duhet për çështje teknike, bursa ALPEX do të hapet edhe në Prishtinë, me një staf me numër të ngjashëm, të përbërë nga ekspertë kosovarë.

ALPEX po krijon kushtet për një treg konkurrues. Ajo do të prodhojë më shumë transparencë të kontratave të shitblerjes së energjisë elektrike.

ALPEX mundëson një treg energjitik të orientuar drejt investimeve dhe rritjes se kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend, në përfitim të menjëhershëm të qytetarëve shqiptarë-konsumatorë të energjisë, si dhe të bizneseve, në rradhë të parë atyre prodhuese në Shqipëri.

Bursa e energjisë në Tiranë dhe Prishtinë do të galvanizojë sigurinë e investuesve të huaj për një treg profesional energjie Shqipëri-Kosovë dhe do të përbëjë një garanci më shumë për ta, në shfrytëzimin dobiprurës për ta dhe për vendin, të burimeve energjitike të pastra të Shqipërisë dhe Kosovës.  Dr. Lorenc Gordani, ekspert i politikave energjetike në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për funksionimin e Bursës së energjisë ALPEX dhe përfitimet që priten prej saj.

Dr. Lorenc Gordani

Dr. Lorenc Gordani

 

CMG: Dr. Gordani, në prill 2023 u themelua dhe u bë vepruese bursa shqiptare ALPEX. Ju personalisht e keni pritur gjatë këtë ditë. Pse na ndihmon shumë prania e një tregu të tillë të rregulluar për shitblerjen e energjisë elektrike?

Dr. Lorenc Gordani: Po. Është e vërtetë. Nga data 11 prill është bërë lançimi efektiv i bursës. Bursa operacionale nisi më datën 12 prill, pasi bëhet fjalë për segmentin e bursës kryesore, atë që quhet “day ahead” market, pra tregu i ditës së përparme.

Ky është një moment historik. Në fakt, bursa është jashtëzakonisht e rëndësishme. Do të thosha që në çdo sektor të ekonomisë, ne kemi operimin e platformave telematike, të cilat, në mënyrë gjerësisht të pranuar, rritin konkurrencën dhe nxisin transparencën.

Në mënyrë më specifike, lidhur me sektorin e energjisë, bursa është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kudo ofertohet energjia në ditët e sotme, nëpërmjet bursave në Evropë. Madje bursat tentojnë të homologohen, duke u bashkuar me njëra-tjetrën, duke bërë një bursë të madhe, ku energjia rrjedh sipas sinjaleve të tregut.

Pra, bursa nuk bën dallim se ku ofertohet energjia. Ajo shkon atje ku gjen çmimin më të lartë dhe e kundërta, shkon aty ku ka nevojë dhe ku kërkohet energjia.

Bursa, e parë në mënyrë më të thjeshtë, përsa i përket vendit tonë, si gjithë vendet e tjera, do të japë ato që janë sinjalet e tregut.

Do të japë sinjalet e tregut për dy përbërësit kryesorë të energjisë. Përsa i përket energjisë si mall, dhe, nga ana tjetër, përsa i përket infrastrukturës. Kjo do të thotë që tani e në vijim, ne nuk nxisim më investimet që mund të jenë jo fitimprurëse, ose që mund të jenë bërë keq, ose janë bërë, bazuar thjesht në letra referuese, dhe pa sinjale të qarta të tregut.

Kemi burime të ndryshme energjitike, sikurse mund të jenë fotovoltaikët, uji, gazi, qymyri dhe nafta dhe nxiten ato burime energjie, të cilat janë më konkurruese. Duke mbajtur në konsideratë dhe ndotjen ambjentale që japin këto burime. Kjo, pasi shumë shpejt do të futet në ALPEX dhe një segment tjetër i bursës, siç janë çertifikatat e gjelbërta. Do të futet edhe pagesa e një takse për ndotjen mjedisore. Pra, të gjitha kompanitë që edhe ndotin do të kërkojnë t’i blejnë këto çertifikata.

Këto janë të gjitha aspekte që janë zhvilluar kudo në Evropë, dhe përfundimisht, mund të themi që edhe tek ne në Shqipëri, ne do ia arrijmë të plotësojmë një zhvillim ekonomik. Pra, atë që ka qenë ëndrra e shqiptarëve që prej viteve 90-të të shekullit të kaluar. Ëndrra e zhvillimit të ekonomisë dhe futjes në ekonominë e tregut, rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të sektorit privat. Përfundimisht jemi në këtë trend tani.

Logo e ALPEX (Foto Europex)

Logo e ALPEX (Foto Europex)

  CMG: Në gjykimin tuaj Dr. Gordani, sa vlerë të shtuar në rajon jep një treg i përbashkët i mirërregulluar i energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë, nëpërmjet bursës ALPEX?

Dr. Lorenc Gordani: Pa diskutim që të dyja vendet përfitojnë në mënyrë direkte. Përfiton sidomos Kosova, që është një vend që kohët e fundit ka vuajtur edhe mungesën e energjisë. Ajo do të jetë përfituesja kryesore në këtë drejtim. Pra, do të sigurojë energjinë me çmimin më të volitshëm.

Nga ana tjetër, veçanërisht për rastin e Shqipërisë, në çfarëdolloj situate, emergjence apo krize, të shkurtër apo të gjatë,  do të kemi alternativa më të vlefshme. Konkurrenca në bursë bën që mund të blejmë energji në momentin që na duhet dhe me çmimin më të përshtatshëm.

 CMG: Si e shikoni të ardhmen e ALPEX? Është realisht në hapat e saj të parë. A e ka potencialin të rritet, të bëhet një bursë e rëndësishme në rajon?

Dr. Lorenc Gordani: Pa diskutim që e ka. u sapo e thatë. Kjo varet gjithsesi nga interesi i aktorëve, i veprimtarëve në bursë. Dhe të dy aktorët kryesorë, që është vendi ynë dhe Kosova, e cila shumë shpejt do të bëhet pjesë e bursës shqiptare, janë të interesuar. Kosova është aksionere në bursë, por nuk ka filluar të ofertojë. Shumë afër do të nisë të ofertojë. Si në Shqipëri, dhe në Kosovë ka një interes të jashtëzakonshëm, duke qenë se në rajon ka disa bursa të energjisë.

Madje, duke qenë se ka pasur edhe një lloj trysnie, që ndoshta nuk e dini.   

CMG: Po, nuk e dimë.

Dr. Lorenc Gordani: Ka patur një lloj trysnie, që Shqipëria të bëhet pjesë e bursave të rajonit. Në fakt, Shqipëria ka qenë më e vendosur të ketë një bursë të sajën.

Faktet treguan që ka lançuar bursën. Tani, edhe bursat e tjera janë shumë afër, por në terma absolutë, jemi bursa e dytë në rajon. Pas Sintex-it, vjen Alpex-i. Bursa jonë është bërë efektive. Kështu që të gjitha vendet e tjera të rajonit po nxitojnë dhe unë besoj që ky hap, që mund të ishte hedhur pak më herët, gjithsesi ka ardhur në momentin e duhur, që ne të mund ta rrisim bursën, për t’iu përgjigjur pyetjes që ju pikërisht shtruat.

Nga pikëpamja tjetër, ka dy opsione. Ose të gjitha bursat bashkohen me njëra-tjetren dhe është një bashkim i plotë, ose operojnë me të njëjtat protokolle.

Nëse, sa më shpejt ne përshtatemi me protokollet evropiane, krijojmë një treg likuid(me para të thata) dhe tregojmë që mund të qëndrojmë me këmbët tona, mund të bëhemi ndoshta edhe përthithës së bursave të rajonit.

Pra, inisiativat që janë në rajon, mund ta shikojnë Shqipërinë si një hub kryesor, si një qendër, në të cilën të ofertohet energjia elektrike për rajonin.    

CMG: ALPEX, krahas rritjes së transparencës, a do të arrijë që të ulë disi çmimin e energjisë elektrike të tregtuar deri sot në Shqipëri?

Dr. Lorenc Gordani: Së pari, duhet të them se ajo që është trendi më i konsoliduar, ose që pritet më së shumti të ndodhë, është që ne të shikojmë në vazhdimësi luhatje të fortë të çmimeve. Pra, kësaj nuk i shpëtojmë dot.

Përtej kësaj, mbetet fakti që pikërisht, me çdo gjasë, transparenca, bashkuar me konkurrencën, do të bëjë që të kemi një çmim shumë më të mirë të energjisë. Dhe këtë e them me siguri, se çmimi do të jetë më i mirë nga sa ka qenë.

Shqipëria, në një farë mënyre, nga shumë arësye që nuk kemi kohë t’i shpjegojmë këtu, është konsideruar një pikë fundore. Pra jemi thuajse një pikë fundore. Nëse ne do të kishim zhvilluar një lidhje të energjisë me Italinë, kjo do të kishte ndryshuar shumë gjeografinë e lëvizjes së energjisë, sikurse e ndryshuam atë të lëvizjes së gazit, përmes gazsjellësit TAP.  

Në rastin konkret, energjia ka vetëm një rrugë tranzitimi në Shqipëri. Hyn nga Mali i Zi, pra nga Evropa Juglindore, dhe del drejt Greqisë, e cila ka çmime shumë të larta. Pa diskutim, për këto dy vende, jo më kot kemi edhe një operator grek, i cili mori inisiativën për të nxitur bursën shqiptare.

Nga e gjithë kjo situatë, pres që do të kemi një çmim shumë më të ulët, nga sa kanë qenë çmimet, që u verifikuan pa pasjen e bursës së energjisë.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto A2 CNN)

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto A2 CNN)

CMG: Si e parashikoni dimrin e vitit 2023? Çmimet në bursat ndërkombëtare dhe edhe në ALPEX do të rriten ndjeshëm, apo do të jetë një rritje e kontrolluar, sipas jush?

Dr. Lorenc Gordani: Unë në këtë rast preferoj t’ju referohem pikërisht atyre që janë deklarata zyrtare. Së fundmi, pikërisht në ditët e fundit, kemi pasur deklarata nga Fatih Birol, që është Presidenti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Deklarata e tij e fundit është që vendet duhet të përgatiten për të gjithë skenarët e mundshëm, pasi në fakt, ky vit nuk pritet të ketë të njëjtat çmime dhe vështirësi të mëdha, si gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, përsëri ka rrezik të ketë mungesë energjie dhe çmime të larta të energjisë. Mbetet që çmimet do të jenë disi më të moderuara, edhe për faktin e hapave që janë hedhur në të gjithë rajonin tonë, duke liberalizuar tregje dhe duke realizuar ndërlidhje më të mirë.

Të gjitha këto masa dhe të tjera kanë peshën e tyre, sepse edhe vetë Evropa tani është më e përgatitur dhe efektet e rritjes së çmimeve që vjet ishin rrokadë, pra domino, këtë vit do të jenë kërcime çmimi më të kufizuara. Si rrjedhim, edhe rajoni jonë pritet të vuajë më pak.

Megjithatë, duhet të kemi vëmendje në sektor dhe duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm.

CMG: Çfarë masash, në gjykimin tuaj, duhet të marrë qeveria, për të përballuar më mirë problematikat e furnizimit me energji elektrike në dimrin 2023-2024 që duket sikur është larg, por që pas verës dhe vjeshtës së shkurtër, do të vijë shpejt?

 

Dr. Lorenc Gordani: Mënyra më e mirë për t’i paraprirë të ardhmes së panjohur është që të përgatitemi. Në këtë kuadër, do të thosha që masat janë pafund. Për shembull, e gjej të pavend deri diku, por, nga ana tjetër, kjo tregon për vlerësimin që ka qeveria shqiptare, duke mbajtur gjendjen e jashtëzakonshme të furnizimit me energji.

Do të thosha që ne duhet të hedhim hapa, pikërisht në këtë periudhë, që është periudha më e qetë. Duhet të hedhim hapa më të guximshëm, për të mundësuar plotësimin e reformave të ndryshme, që kanë të bëjnë me liberalizimin e tregut energjitik tek ne. Ne duhet të shkojmë, sa më shumë, në të gjitha segmentet e tregut që është e mundur, drejt derregullimit të tij. Pra, të heqim çmimet e rregulluara nga shteti, pse ato sjellin një ngarkesë dhe një bllokim të të gjithë sektorëve dhe zënë frymëmarrjen e lirë të kërkesë-ofertës në treg. Ne duhet të nxisim sa më shumë konkurrencën, futjen e operatorëve të rinj. Këta fatmirësisht kanë arritur në mbi dhjetë operatorë privatë në bursën ALPEX. Janë bërë pjesë tashmë e bursës. Janë operatorët kryesorë që kanë vepruar në Shqipëri.

Ne duhet të nxisim pastaj të gjithë pjesën tjetër, që ka të bëjë me kursimin e energjisë. Aty nuk kemi prekur asgjë dhe mendoj se burimi më i mirë i energjisë është kursimi i energjisë.

Sikurse e thashë dhe më parë, duhet të mundësohen investimet e reja në ata sektorë që janë konkurrues dhe janë me leverdi. Sikurse janë fotovoltaikët. Për ta, ne kemi një kërkesë të jashtëzakonshme të operatorëve. Këta duhet t’i nxisim me masa, të cilat duhet të jenë sa më të shpejta. Shumë masa janë marrë deri tani, por ato kërkojnë një kohë më të gjatë për t’u realizuar.

Duhet të punojmë shumë për të mundësuar marrjen e masave të reja, përmes ndërhyrjeve fizike për forcimin e rrjetit energjitik. Duhet të nxjerrim harta të qarta se ku janë zonat ku mund të investohet, duhet t’i thjeshtojmë dhe lehtësojmë procedurat për marrjen e lejeve, përmes aplikimeve online. Këto janë masa që ndihmojnë në kthimin sa më të shpejtë të investimeve, të ndërmarra nga sektori privat.           

 

Intervistoi Fatos Çoçoli