
Foto nga VCG
Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Parlamenti turk nuk do ta ratifikojë kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO së paku deri në tetor.
Duke folur për gazetarët në Vilnius, pas samitit të NATO-s, Erdogan tha se Parlamenti i Turqisë është në pushim për dy muaj dhe më pas ka shumë propozime të tjera legjislative për të diskutuar, shkruan “Panorama”.
Turqia u pajtua që Suedia t’i bashkohej aleancës ushtarake në fillim të kësaj jave.
Turqia kundërshtoi me muaj për anëtarësimin e Suedisë në aleancë, duke pretenduar se ky vend strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja zyrtare i konsideron terroriste.
Për të hyrë në NATO, kandidatura e një shteti duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Hungaria e ka shtyrë, po ashtu, ratifikimin e kandidaturës suedeze deri në vjeshtë.
Suedia dhe Finlanda braktisën politikën shumëvjeçare të neutralitetit ushtarak pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.
Finlanda u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s në muajin prill.
Organizata më e madhe ushtarake në botë numëron 31 vende anëtare, në mesin e të cilave tri janë nga rajoni i Ballkanit. (Irma)
