Vala e të nxehtit përfshin Evropën jugore me temperatura mbi 40 gradë
2023-07-14 11:27:13

Foto nga VCG

Një valë e të nxehtit po përfshin pjesë të Evropës Jugore, me temperatura të mundshme rekord në ditët në vijim.

Temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celcius në disa pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë. Në Itali, temperaturat mund të arrijnë deri në 48 gradë, ndërsa një paralajmërim alarmi i kuq është lëshuar për 10 qytete italiane, bën të ditur “BBC”, citon “RTSH”.

Vala e të nxehtit “Cerberus”, e quajtur nga Shoqëria Meteorologjike Italiane sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në ferrin e Dantes, pritet të sjellë kushte ekstreme në ditët në vijim.

Temperaturat pritet të arrijnë kulmin sot, ku në disa zona të Evropës Jugore termometri mund të arrijë në mbi 40 gradë.

Temperatura më e lartë ndonjëherë në Evropë prej 48,8 gradë Celsius u regjistrua pranë Sirakuzës në ishullin italian të Sicilisë në gusht 2021.

Më shumë se 60.000 persona vdiqën në Evropë si pasojë e të nxehtit vitin e kaluar.

Ekspertët thonë se periudhat e motit jashtëzakonisht të nxehtë po bëhen më të shpeshta dhe ndryshimi i klimës do të thotë se tani është normale të përjetohen temperatura rekord. (Irma)