Foto nga instagrami
“Gjon Mili Jazz & Blues Festival” është zhvilluar në Tiranë më 12 dhe 13 korrik ndërsa nga 14-15 korrik në qytetin e Korçës. Shfaqjet në Tiranë u zhvilluan tek Instalacioni “Reja” në qendër të kryeqytetit. Ky festival synon që të promovojë figurën e Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me muzikën Jazz në periudhën e saj më të artë, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë. Festivali ka për qëllim të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë në muzikën Jazz dhe Blues, duke motivuar muzikantët e rinj shqiptarë me anë të shkëmbimeve artistiko- kulturore me artistë ndërkombëtarë me eksperiencë. Festivali “Gjon Mili Jazz & Blues Festival” prezantohet nga Stenaldo Mëhilli dhe Elona Islamaj. Drejtori i festivalit, artisti Andi Kongo në intervistë për Radio Ejani na njeh me axhendën dhe pjesmarrjen e tij.
Andi Kongo (Foto nga instagrami)
CMG: Si lindi ideja e këtij festivali, që mban emrin e një figure të njohur të artit?
Andi Kongo: Shqipëria edhe pse një vend i vogël ka dhënë shumë personalitete të fushave të ndryshme si sociale dhe të artit, të cilat kanë lënë një shenjë të veçantë në historinë botërore dhe Gjon Mili është një ndër ta. Ai njihet patjetër si novator i fotografisë dhe ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në SHBA, por ajo që është më pak e njohur, edhe pse botërisht dihet që ai ka bërë tre filma për muzikën jazz. Përveç tre filmave, ndonëse ishte fotograf i njohur ai në studion e tij realizoi muzikë në mënyrë improvizuese dhe muzikantët mblidheshin dhe luanin së bashku.
Studion e Gjon Milit e kanë frekuentuar artiste si Duke Ellington, Dizzy Gillespie, Billie Holiday, Lester Young, etj. Flasim për periudhën më të artë të muzikës ‘jazz’ dhe më saktë për periudhën ‘Swing Era’ dhe ‘Modern Jazz’ të cilat Gjoni i ka dokumentuar mjaft mirë me fotot e tij. Patjetër që ka patur një raport shumë të veçantë me muzikantët ‘jazz’, pasi i kanë dedikuar pjesë në emrin e tij, pra kemi një pjesë nga Mery Lou William me titull “Gjon Mili Jam Session”, ndërsa është edhe një pjesë tjetër nga Dave Brubeck që quhet “Stompin for Mili”. Ata janë të gjithë muzikantë me të cilët Mili arriti të bashkëpunojë dhe t’i promovojë me fotot artistike që bëri. Kjo lidhje e veçantë me muzikën ‘jazz’ dhe ‘blues’ e bënë atë një urë lidhëse me kombin shqiptar që vendi ynë ka me muzikën ‘jazz’.
Foto nga instagrami
CMG: Si është ndërtuar ky festival? Pse është ndarë mes Tiranës dhe Korçës?
Andi Kongo: Ky festival përveç se promovon figurën e Gjon Milit, synon gjithashtu bashkëpunimin artistik midis brezave dhe muzikantëve nga vende të ndryshme, por sidoqoftë mundohemi që të rrisim interesin e muzikantëve të rinj për muzikën ‘jazz’ në Shqipëri. Janë angazhur shumë të rinj në këtë festival, por ka edhe muzikantë me shumë eksperiencë, të cilët japin kontributin e tyre dhe shembullin me anë të eksperiencës që ata kanë, duke i treguar brezave të rinj rrugët e ndryshme drejt muzikës ‘jazz’.
Ky festival zhvillohet dy ditë në Tiranë dhe një ditë në Korçë për dy arsye; Tirana ka përqëndrimin më të madh të popullsisë dhe si rrjedhojë impakti është edhe më i madh. Ndërkohë Korça është vendlindja e Gjon Milit dhe nuk mund ta linim jashtë nga ky festival.
CMG: Cilat janë risitë e festivalit këtë vit ?
Andri Kongo: Risia e këtij festivali është angazhimi i disa të rinjve të talentuar që luajnë në instrumenta apo këndojnë muzikë jazz, që luajnë solo ose shoqërohen nga muzikantë me eksperiencë. Elementi më pikant që ne do zbulojmë në këtë festival është ekzekutimi për herë të parë në Shqipëri i Bluz-it të parë të shkruajtur, i cili nuk është shkruar nga një afro-amerikan si shumë mund ta besojnë, por nga një italian arbëresh që quhet Anthony Maggio dhe bluz-i quhet “I got the Blues”. Ai ishte një poli- instrumentist që kishte emigruar në Amerikë. Një ditë ai dëgjoi një afro-amerikan që këndonte dhe e pyeti se çfarë po këndonte, ndërsa ai ju përgjigj: “I got the Blues”. Anthony shkoi në shtëpi dhe shkroi një partiturë që nuk nuk i dha shumë rëndësi, ishte një partiturë e thjeshtë për piano, por një miku i tij orkestrant në opera insistoi që ta publikonte. Në mënyrë të paparashikueshme, kjo pjesë u bë e famshme në ato kohë. Në fakt ishte hera e parë që shkruhej fjala “blues” në një partiturë. Pra rëndësia është historike edhe pse nuk mund të themi se Anthony Maggio, nuk e shpiku, ai mori një melodi dhe e përpunoi.
Kjo është një provë evidente e shkëmbimit kulturor që ndodhte atëherë midis kombësive të ndryshme dhe bëri që të lindë muzika ‘jazz’. “I got the blues” është një bluz, që ishte në modë në ato kohë në vitet e parë të lindjes së muzikës jazz. Do të ekzekutohet për herë të parë nga të rinjtë shqiptarë, në të treja netët e festivalit në Tiranë dhe në Korçë.
Fotografi Gjon Mili (Foto Life)
Fotografi Gjon Mili dhe lidhja me muzikën Blues dhe Jazz
Gjithçka nisi në vitin 1943, kur Gjon Mili realizoi për revistën ‘Life’, dy nga setet e tij fotografikë më të famshëm “The Lindi Hop” dhe “Jam Session”. Falë këtyre artikujve Gjon Mili u lidh gradualishit me kulturën ‘jazz’ dhe me promovimin e mëtejshëm të saj. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”, filma të njohur të kinematografisë botërore me qëllim promovimin e muzikës jazz.
Artisti shqiptar Gjon Mili, si mjeshtër dhe novator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara dhe, si rrjedhojë, në mbarë botën. Si muzikant amator (luante oboen), ai pati një lidhje të veçantë me muzikën ‘Jazz’ dhe arriti të dokumentojë tranzicionin midis dy periudhave më të rëndësishme të saj, ‘Swing Era’ dhe ‘Modern Jazz’.
Intervistoi: Sava Lena