“Lancet”: Një miliard diabetikë në 2050-n
2023-07-13 17:08:15

CFP

CFP

Numri i njerëzve me diabet në mbarë botën do të dyfishohet gjatë tre dekadave të ardhshme duke arritur në 1.3 miliardë deri në vitin 2050, bëhet e ditur në studimin e botuar në “Lancet”, cituar nga “ATSH”.

Studiuesit zbuluan se 529 milionë persona kishin diabet në vitin 2021 dhe rritja e numrit të diabetikëve do të rriste prevalencën e sëmundjes nga 6 për qind e popullsisë së botës në gati 10 për qind deri në vitin 2050. Gjetjet e studimit bazohen në analizën e të dhënave nga më shumë se 27.000 burime në 204 vende dhe territore.

Sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 37 milionë persona në SHBA kanë diabet.

Diabeti është një sëmundje kronike që zhvillohet kur niveli i sheqerit (glukozës) në gjak të një personi është shumë i lartë.

Studiuesit zbuluan se rreth 96 për qind e njerëzve në mbarë botën me diabet në 2021-shin kishin tipin 2, duke vënë në dukje se prevalenca në rritje e diabetit të tipit 2 është kryesisht për shkak të rritjes së obezitetit.

Përhapja e vazhdueshme globale e diabetit paraqet një sfidë të madhe të shëndetit publik për politikëbërësit, profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe pacientët. (Elona)