“Në Tempull” me personalitete të botës shqiptare
2023-07-13 09:53:31


Albert Zholi 

Libri i ri “Në Tempull” i autorit Fadil Shehu vjen si një përmbledhje intervistash, reportazhesh dhe dokumentaresh me personalitetet më të shquara të artit dhe të kulturës shqiptare në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Stamboll, Greqi dhe SHBA.

 Vetë titulli intrigues do të përcjellë para lexuesit madhështinë e këtyre personaliteteve të kombit shqiptar që me artin e tyre kanë prekur tempujt e madhështisë. Një fjalë e urtë thotë: “Arti ka lindur në Tempull dhe për Tempullin”. Që në prehistori, në Tempull njeriu përpiqej të realizonte ekzistencën e tij, në kuptimin më të thellë të ekzistencës, jo thjesht të gjallesës.

Pra tek këta personalitete të librit e dukshmja me të padukshmen janë bashkuar të unifikuar, që sjellin një ndjesi shpirtërore relaksuese.

Albert Zholi, është redakotr i këtij libri dhe ndan  me Radio Ejani përjetimet gjatë punës me librin.

CMG: Albert, a mund të bëjmë një pasqyrim të këtij libri?

Albert Zholi: Librat me intervista janë një minimonografi për çdo personazh. Realizimi i një interviste profesionale do kohë për çdo gazetar, pasi duhet të njohësh mirë jetën dhe veprën e personazhit, cilësitë e tij, jetën në përditshëmri që të hysh brenda shpirtit të tij dhe ta zbërthesh atë. Çdo intervistë pa një studim paraprak do jetë e zbehtë, empirike dhe pa interes për lexuesin. Thënë thjesht, të intervistosh personalitete të njohura të kulturës, letërsisë, shkencës duhet të jesh zot i drejtimit gjatë bisedës, pasi aty shpaloset profesionalizmi gazetaresk. Nëse gazetari shkon i papërgatitur ndodh që personaliteti ta orientojë kahjen e bisedës andej nga ai dëshiron, dhe jo aty ku është synimi i gazetarit apo redaksisë. Në librin “Në Tempull”, autori Fadil Shehu i ka patur parasysh këto kërkesa ndaj ka rritur të sjellë para lexuesit intervista plot jetë, gjallëri, detaje, ngjarje, emocione, që e sjellin personazhin të plotë.

CMG: Sa personazhe ka ky libër?

Albert Zholi: Ky libër që ka rreth 50 personalitete të larta, tregon njëherazi punën e madhe studiuese, parapërgatitore, hyrjen në psikologjionë e personazhit, seriozitetin e autorit dhe ndjeshëmrinë e tij. Libri lexohet plot dëshirë pasi secili personazh ka një jetë interesante, të vrullshme që sjell njohuri të reja para lexuesit për fusha të ndryshme. Autori e ka bërë përzgjedhjën e personazheve në përshtatje të gjurmëve që ka secili në fushën e vet, njohjen e tyre në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, pozicioni që zë në shoqëri dhe kohën që jetojmë.

Rexhep Qosja

CMG: Cila do të jetë risia për lexuesin shqiptar?

Albert Zholi:  Si risi për lexuesin do të jetë specifika e çdo personazhi, ku gjatë leximit të këtij libri, parakalojnë personalitete të njohura, që sjellin jo vetëm arritjet e tyre, por edhe të artit, shkencës, letërsisë, shqiptare të cilët ata përfaqësojnë ku ata nxjerrin në pah labirinthe jetësore apo profesionale të panjohura më parë nga lexuesit. Personazhet janë të lidhur ngushtësisht me jetën e letrave shqipe, me zhvillimin kulturor, me kushtet ekonomiko-politike të cilat i japin zhvillime të reja gjithë jetës së kombit tonë, por njëherazi edhe shteteve ku në tempull  ata kanë dhe ndikimin e tyre.

CMG: Për çfarë flasin personazhet në këto intervista?

Albert Zholi:  Në formësimin e intervistës, personazhet me përgjegjësi dhe nivel të lartë profesional përcjellin me ndjeshmëri jo vetëm sukseset, arritjet por dhe probleme.

Personazhet sjellin jetën e e tyre, por edhe atë ekonomiko-shoqërore-politike, shqiptare në dekada dhe epoka të ndryshme të hapësirës shqiptare, duke dhënë kështu një fond të paimagjinueshëm në pasurimin e historisë shqiptare. Në çdo njërën prej këtyre intervistave apo portreteve, autori pyetjet i vë në funksion logjik tek hallet dhe të ardhmen e këtij populli të shumëvuajtur por vital, që ka ditur në çdo situatë të dalë fitimtar.

Ismail Kadare 

CMG: Një ndër këto intervsita shumë të veçanta është edhe ajo me shkrimtarin e madh Ismail Kadare

Albert Zholi: Absolutisht që do e nisnim me të, Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj në të gjithë botën. Jo vetëm që ka shumë vite që pretendon për Nobel, por  është një imazh që nuk konsumtohet tepër në media, një njeri që ruan vlerat dhe ka lartësuar këto vlera  në botë. Kadare vijon të jetë pak i tërhequr nga debatet publike, por heshtja është kulture.

Tiparet e tij në këtë bisedë janë edhe opinionet e mençura në lidhje me politikën. Këto opinione jepen rrallë nga ai dhe këto përgjigje janë mësime për dekada të ardhshme.

CMG:Cilat janë figurat më të rëndësishme që përfshin ky libër?

Albert Zholi:  Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Aristidh Kola.

CMG: Gjithashtu figurë e rëndësishme është edhe Rexhep Qosja, si e keni sjellë atë në këtë libër?

Albert Zholi:   Kam pasur nderin të bëj shumë intervsta me të dhe të flas me të. Të gjitha esetë  e tij dhe librat e tij, kanë folur për gjuhën e bukur shqipe.

Qosja është njohësi më i  mirë i gjuhës shqipe.

Mund të flasë me orë të tëra dhe sjellë në vëmendje fjalë të reja, të cilat ne nuk i përdorim.

Intervistoi: Megi Latifi