
CFP
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë alarmin për rrezikun e miopisë, që pritet të prekë rreth 50 për qind të popullsisë së botës deri në vitin 2050. Kjo vjen edhe për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës, që na detyron të kalojmë shumë orë në ambiente të mbyllura dhe përpara pajisjeve elektronike, raporton “RTSH”.
Një numër në rritje i të rinjve apo edhe adoleshentëve, vuajnë nga miopia. Është treguar se rritja e rasteve ka një lidhje të fortë si me faktorët gjenetikë dhe mbi të gjitha mjedisor.
Në ditët e sotme, ekzistojnë tre terapi të vlefshme për të zgjidhur problemin e miopisë. Çdo terapi ka padyshim rastet dhe dallimet e veta specifike. Ilaçi më i thjeshtë është mbajtja e syzeve dhe lenteve të kontaktit. E dyta është terapia me lazer, e cila megjithatë indikohet kur gjendja e syrit ndalon së përkeqësuari dhe mbetet e qëndrueshme për një periudhë. E treta është inovative dhe këto janë lentet intraokulare. Quhen ICL (Implantable Collamer Lens) dhe janë bërë nga një material i butë, i hollë, i lakueshëm dhe gjatë një operacioni të shkurtër ambulator vendosen midis thjerrëzës kristalore dhe bebëzës së syrit. (Elona)
